Filip Papajani ishte elbasanas, nga lagjia Kala. Kishte lindur më 1878. Që në vogëli kishte çfaqur tendenca pavarësie dhe mosbesimi në çdo gjë. Nuk i besonte fesë dhe tallej me “njerëzit e zotit”, priftërinjtë e hoxhallarët, megjithëse siç e tregoi jeta, me kalimin e viteve u lidh me miqësi të ngushtë me ta.
Kur ishte i vogël e dërgonin për të çuar meshën në kishë, së bashku me një grosh për të paguar priftin për shërbesën fetare. Në atë kohë gjella e përditëshme në familje ishin fasulet e zjera me pak kripë dhe buka e misrit, e vetëm me rastin e pashkëve apo kremteve të tjera, si dita e emërit, gatueshe ndonjë gjellë tjetër. Filipi, me groshin blinte djathë të bardhë dhe me bukën e grurit me të cilën ishte gatuar mesha uleshe dhe hante bukë e djathë prapa murit të kishës. Aty dikush e pa dhe lajmëroi familjen. Rezultati i gjithë kesaj ngjarje ishte një e rrahur e mirë dhe që prej asaj dite nuk e dërguan më për të çuar meshën në kishë.
Nuk dihet se çfarë shkolle të mesme arriti të përfundonte por fakti është se shkoi në Rumani me në xhep adresën e një dajës së tij që kishte shkuar emigrant shumë vjet më parë dhe lajmet që vinin në Elbasan e tregonin se kishte arritur të bëhej pasanik i madh. Dajën e gjeti shëndoshë e mirë por sa për pasurinë, vetëm në ëndërr e kishte parë. Kishte mbetur pjata-larës nëpër restorantet më të mira të Bukureshtit.
Filipi me të mbëritur u rregjistrua në Universitet, në fakultetin e mjekësisë, por për të mundur të paguajë studimet dhe jetesën punoi dhe ky, me rekomandimin e dajës, si pjatalarës nëpër restorante, në turnin e dytë e të tretë.
Në Rumani gjeti një ambient ku vlonte fryma e zjarrtë patriotike e ku të gjithë shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit punonin dhe përpiqeshin për Shqipërinë. Në Koloninë patriotike të Bukureshtit mori pjesë në Lëvizjen për një Shqipëri të pavarur që drejtohej nga Princi Albert Gjika, rumun, me origjinë të largët shqiptare, personalitet ky mjaft i dëgjuar në qarqet politike e letrare rumune të asaj periudhe. Për të shuar kurreshtjen do të themi se ishte i vellai i shkrimtares mjaft të njohur, Elena Gjikës që në letërsi njihet me pseudonimin « Dora d’Istria ». Pranoi gjithashtu që Princ Gjika t’i vinte kurorën e martesës në Kishën Katedrale të Bukureshtit e cila ngjarje, për arsye të personalitetit të princ Gjikës u pasqyrua në faqet e para të shtypit të kohës duke u bërë shkas që çështja shqiptare të marrë karakter të veçantë publik duke ngjallur interes e diskutime të veçanta në shtyp, pikërisht në një periudhe kur Shqipëria ishte akoma nën zgjedhën turke dhe shumë pak (të mos themi aspak) njiheshe në popullin rumun ekzistenca e saj dhe problemet që e preokuponin në botën e jashtme.
Filipi bënte pjesë gjithashtu në grupin e shqiptarëve të Kolonisë së Bukureshtit të cilët më 23 Prill 1905 organizuan po në Bukuresht, në sallën e Teatrit Kombëtar të qytetit, një Kongres ku morën pjesë si të ftuar përfaqësues nga kolonitë shqiptare nga bota mbarë si dhe nga Shqipëria e nga Maqedonia, apo edhe personalitete politike, publike, e letrare nga e gjithë Rumania.
Kongresi doli me kërkesën e propozuar nga vetë Princ Gjika për një Shqipëri të pavarur. Kongresi zgjodhi një komitet qëndror e vendosi të botojë një gazetë me emrin “Kombi”. Gjithashtu mori vendimin që të pregatitej kryengritja e armatosur. Për këtë caktoi një organ drejtues në të cilin bënte pjesë edhe Filip Papajani. Ky vetë bashkëpunoi në gazetat në gjuhën shqipe që botoheshin atje. U bë mik i ngushtë i Asdrenit dhe kur ky i fundit aty nga vitet ’30 erdhi për një vizitë në Shqipëri, qëndroi për disa ditë si bujtës i Doktor Filipit në Pogradec.
Filipi në Bukuresht u njoh me familjen e një emigranti nga Korça i cili ishte vendosur përfundimisht në Rumani dhe kishte marrë me vete të gjithë familjen duke e ndërruar mbiemrin në Kostandinesku.
U fejua me të bijën e tij dhe u martuan, siç e përmendëm më lart, po në Bukuresht më 1909. Aty, më 1910 lindi vajza e parë Margarita. Si patriot dhe nacionalist i zjarrtë, menjëhere pas shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë më 1912, braktis grua e fëmijë dhe vjen në Atdhe së bashku me Asdrenin, me një delegacion të kryesuar nga Pandeli Evangjeli për të përkrahur vendosjen e Princ Vidit si Mbret të Shqipërisë.
Ai vetë pati një jetë të trazuar. Erdhi dhe dy herë të tjera në Korçë me një grup vullnetarësh për të luftuar kundra andartëve grekë që kishin zaptuar Korçën dhe kishin vrarë priftin Ballamaçi.
U bashkua me çetën e Mihal Gramenos duke u bërë shkas të krijohej dhe një miqësi e shëndoshë familjare, të cilën miqësi, gratë e tyre Niqi e Gramenos dhe Angjeliqia e Filipit e vazhduan deri në fund të jetës së tyre. Edhe unë e mbaj mend Niqin e Mihal Gramenos kur na vinte për vizitë deri aty nga viti 1950. Luftoi gjithashtu kundra bandave të Esat Pashës e të Haxhi Qamilit duke e konsideruar lëvizjen e këtij të fundit si anakronike e rikthim tek pushtimi turk.
Në vitin 1919 thërret në atdhe familjen dhe së bashku vendosen në Elbasan ku filloi të punojë si mjek duke lënë një përshtypje shumë të mirë në popull e duke i shërbyer me përkushtim atij, veçanërisht kur në Elbasan u përhap epidemia e kolerës dhe e gripit spanjoll.
Vazhdon të shkruajë dhe më 1921 themelon me shpenzimet e veta gazetën “Shkumbini” ku boton disa kryeartikuj kritikë shumë të fortë kundër regjimit që po vendosej në Shqipëri. Këtë aktivitet patriotiko-demokratik e vazhdoi deri në vitin 1924. Meqënëse klima e Elbasanit ishte e papërshtatme për familjen që ishte mësuar me klimën e thatë e të ftohtë të Bukureshtit, vendoset në Pogradec, e duke qënë nga natyra romantik, ndërton shtëpinë mu në bregun e Liqenit të Ohrit, por aq afër sa në dimër, kur frynte veriu, dallgët e liqenit përplaseshin tek muret e shtëpisë.
Nga ana tjetër disa duan të thonë se një nga arsyet e largimit të Doktor Lipit nga Elbasani ishte dhe intriga e kurdisur nga feudalët vendas (veçanërisht Verlaci), sikur Filipi, në vizitat e tija mjekësore që bënte nëpër familjet, kishte vizituar dhe rënë në dashuri me atë që konsiderohej në atë kohë si gruaja më e bukur e Elbasanit.
Ndërsa në të vërtetë njerëz të afërm të familjes e shpjegojnë në këtë mënyrë arsyen e largimit të tij prej Elbasani. Gjatë kohës kur ushtroi profesionin e mjekut, në periudhën e kolerës dhe të gripit spanjoll, kishte fituar një sasi napolonash flori, të cilat ja la për t’ja ruajtur nuses së dajës në shtëpinë e të cilës ishte vendosur. Dhe tashti i sigurtë që kur të kthehej do të ndërtonte një shtëpi të vetën, u nis për të marrë familjen në Bukuresht. Nga nisja për në Rumani, pregatitja e familjes dhe kthimi në Shqipëri, kaluan pothuaj afersisht gjashtë muaj. Me të ardhur në Elbasan i kërkon nuses së dajës së tij ti kthejë napolonat për të ndërtuar shtëpinë, dhe për habi, ajo i thotë se paret u harxhuan për të mbajtur shtëpinë. Filipi nuk e prishi terezinë, ngriti familjen dhe u vendos në Pogradec.
Me tu larguar Filipi, daja i vet ndërtoi kafenenë më të madhe dhe më lluksoze të qytetit. Kështu ishte pra realiteti i largimit të tij nga Elbasani. Por nuk duhet te harrojme se nje nga shkaqet ishin dhe kryeartikujt që botonte në gazetën e tij “Shkumbini” si dhe tek aktiviteti i tij përparimtar, antifeudal e në favor të fshatarësisë.
Që prej asaj date e deri sa vdiq më 1945 Filipi nuk shkeli më në Elbasanin e tij të dashur, të cilit i dedikoi dhe një poemë plot mall me titull “Elbasani”. Kjo poemë vazhdon akoma në ditet e sotme të kujtohet, të mesohet përmendësh dhe të recitohet në ambiente shoqërore apo familjare si dhe ne programet televizive.
Filipi që në rininë e tij në Rumani ishte marrë me gazetarì, kështu që i ishte krijuar pasioni i të shkruarit. Që në Bukuresht më 1913 boton poemën “Osman – Maria” ku dy të rinj me fe të ndryshme bien reciprokisht në dashuri. Këtë dëshirë ja plotësoi djali i dytë Bardhyli i cili u martua me myslimanen Nexhibé nga ku lindën tre djem, Ovidio, Iliri e Skënderi, duke kaluar një jetë shumë të lumtur së bashku.
Aty në breg të liqenit, sa herë që kishte kohë të lirë dhe kur i qëllonte të mos shkonte sa nga një fshat në tjetrin për vizita mjekësore për të kuruar të sëmurët, hipur në kalë (i vetmi mjet trasporti) i mbështjellë me gunën e barinjve, me pushkë në krah e revole në brez, Filipi frymëzohej e shkruante vjersha e tregime duke u renditur në shkrimtaret e Rilindjes Kombëtare në fillim me pseudonimin “Rasa e bardhe” dhe më vonë deri sa vdiq me pseudonimin “LIPI” (dhe me këtë emër njihet në letërsi ashtu siç është cilësuar dhe në F.E.SH.), ndërsa në popull e thërrisnin “Doktor shurdhi” për arsye se nuk dëgjonte mirë nga veshët.
Gjatë qëndrimit në Pogradec njihet dhe miqësohet me Lazgush Poradecin, me të cilin bashkëpunoi derisa vdiq. Nga shkrimet e tij mund të përmendim tregimet e gjata “Pellazge, Vllaznim-Qytetnim” (1923), poemën “Ndreka” (1925), dramat “Moisi Golemi” (1928), “Bardhushi” (1930), “Fatbardhi” (1934). Për jetën e vështirë të vegjëlisë shkroi tregimin e gjatë “Proka dhe vepra të tjera” (1936), si dhe përmbledhjen poetike “Elbasani” (1938) i influencuar aty-këtu edhe nga stili i poetit të madh rumun Eminescu. Në Elbasan dikush këtë poemë e mësoi përmendesh duke e recituar mbas darke në familje apo shoqëri.
Në lidhje me tegimin “Proka” kemi gjetur një shënim nga shkrimtari elbasanas Hyjni Ceka cituar në Enciklopedinë e personaliteteve elbasanase me titull “Në Panteon, drejt Panteonit 2000” botuar nga “Silver 2000” i cili na njofton se tregimi i sipër përmendur është ekranizuar nga “Kosova Film”, ku fitoi çimim në Festivalin e Kanës në Francë dhe u prit shumë mirë nga publiku evropian.
Shkroi dhe tregime të shkurtra, veçanërisht atë me titull “Kukudhi i Kavajës”, që u botua në vitin 1923 në gazetën “Shkumbini” e që më vonë zuri vend në antologjite e leximeve letrare të shkollave 7-vjeçare. Ky tregim u ribotua më vonë në « Antologjinë e Tregimit Shqiptar 1884-1939 » (1986).
Në ambientin e asaj periudhe, pati një riperkusion edhe në shtypin e kohës, kur prefekti i Kavajës, mbasi lexoi tregimin, e duke kujtuar se po trajtohej një ngjarje e vërtetë që kishte ndodhur në qytetin e tij, protestoi energjikisht në shtypin lokal të kohës, mbasi sipas atij, pas hetimesh të kujdeseshme që kishte urdhëruar të kryheshin, nuk i kishte rezultuar që kjo ngjarje të kishte ndodhur në Kavajë por me siguri që do të kishte ndodhur në ndonjë qytet tjetër si p.sh. në Durrës.
Filipi nuk hoqi dorë nga mendimet përparimtare duke ia ngulitur këto mendime dhe femijëve të tij, të dy djemtë e të cilit si Virxhili (Xhili) ashtu dhe Bardhyli (më revolucionari prej të dyve) dolën partizanë për çlirimin e vendit. Në kulmin e luftës, më 1943 zgjidhet kryetar i të parës Këshillë Nac. Clir. të qytetit dhe më vonë Kryetar i Këshillit të Rrethit të Pogradecit duke u bërë shkak që banda e Xhevat bej Starovës t’ja vjedhin e t’ja djegin shtëpitë.
Për shkak të aktivitetit të tij të hershëm patriotik dhe atij letrar, si dhe lidhjet që kishte krijuar që në rini me shokët e tij të fëmijërisë në Elbasan, pati një miqësi të ngushtë me të gjitha shtresat politike të vendit.
Miqësi të veçantë pati veçanërisht me Lef Nosin, edhe ky elbasanas, shok fëminije, i cili ndërhyri pranë komandaturës gjermane dhe ja shpëtoi të birin Virxhilin, që ndodhej në burgun e Selanikut, i kapur rob dhe i dënuar me pushkatim.
Gjithashtu ruajti miqësinë me Kryepeshkopin e Shqipërise Imzot Kristofor Kisin dhe me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Hafiz Musain, të cilët kur vdiq në Mars 1945 e përcollën që të dy për në varreza duke ecur njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë të arkivolit duke bërë përshtypje shumë të madhe pasi njerëzit pyesnin “ky që vdiq ishte kristian apo mysliman?”
Ai ishte dhe mbeti vetëm “Shqiptar”.
Për “LIPIN”, elbasanasi Prof. Besim Qorri ka botuar dhe një monografi mjaft të detajuar me titullin “Proka dhe vepra të tjera”, që u shit sapo doli në qarkullim e që aktualisht nuk gjendet në asnjë librari.
Shkruante lirshëm, me fantazi dhe krahasime të goditura dhe me një stil që tashme konsiderohet si “naif”, duke patur kujdes veçanërisht rimën. Një ditë para se të vdiste, shkroi një vjershë lamtumire nga kjo botë, të cilën ja dorëzoi të nipit të tij Robertit, në atë kohë 15 vjeçar, të cilit i ishte bërë zakon që sapo dilte nga shkolla, të shkonte me vrap çdo pasdite dhe të qëndronte me orë të tëra pranë krevatit të gjyshit në Pavionin e XII të Spitalit Civil të Tiranës. Vjersha ruhet akoma ne dokumentat e familjes Cipo.
Një qen i zi
I zi sterrë
Si skëterrë
I math! sa një ari
N’oborr m’aulliu
Ktë gjak ç’m’a ngriu.
Një korb qyqar
m’erth n’oborr
mor i gjorë!!
Shtiu llahtar!!
Këndon, ç’këndon?
Mjerim lajmon.
Një tra kërcet
Shkak? Pa shkak!!
Derth helm n’gjak
Ky zan’i shkret
Plot tmer, trishtim
mbush shpirtin t’im.
Gjà s’përpërin
Dhoma varr;
Trupi zjarr
Nga frika ngrin
Qaj e vajtoj
Po vdes, po shkoj.
Një yll perëndon
Shokët lé
Bije përdhe
Udhën harron
N’errsin’u zhyt
U shojt, u mbyt …
Robert Cipo