/

Mbi Prejardhjen e Fisit Dylgjeri në Elbasan dhe Fier

Prej shumë kohësh në Elbasan jeton fisi DYLGJERI, si dhe një degë tjetër e këtij fisi banon në Metaj të Fierit. Megjithatë, nuk ka asnjë dokument burimor të saktë në arkivat tona, që të tregojë se nga dhe kur ka ardhur në Elbasan ky fis, sa vetë ishin, ku u ngulën fillimisht, me çfarë janë marrë, kush ka qenë statusi i tyre social, u vendosën fillimisht në Elbasan apo në Fier, kur u bë ndarja etj. Në kushtet e zbrazëtirës totale të informacioneve, në këtë shkrim do të zenë vend transmetimet e dhëna me gojë nga brezi në brez, si dhe Legjenda e Pusit që Lahet Vetë – Pusi i Dylgjer-hysenit në Elbasan.

2247 pamje
18 minuta lexim
Bukurosh Dylgjeri

(Ky postim ka për qëllim nxitjen e familjeve elbasanase për të shkruar mbi historikun e tyre, prejardhjen, profesionet fillestare të tyre në qytet, lagjja e banimit në qytet etj. Përshkrimi nga çdo familje i historikut të tyre, i vlen historisë së qytetit)

Prej shumë kohësh në Elbasan jeton fisi DYLGJERI, si dhe një degë tjetër e këtij fisi banon në Metaj të Fierit. Megjithatë, nuk ka asnjë dokument burimor të saktë në arkivat tona, që të tregojë se nga dhe kur ka ardhur në Elbasan ky fis, sa vetë ishin, ku u ngulën fillimisht, me çfarë janë marrë, kush ka qenë statusi i tyre social, u vendosën fillimisht në Elbasan apo në Fier, kur u bë ndarja etj. Në kushtet e zbrazëtirës totale të informacioneve, në këtë shkrim do të zenë vend transmetimet e dhëna me gojë nga brezi në brez, si dhe Legjenda e Pusit që Lahet Vetë – Pusi i Dylgjer-hysenit në Elbasan.

Dihet mirëfilli se ne jemi shtet relativisht i ri dhe regjistrat e popullsisë për kohë më të vjetra gjenden në Stamboll e gjetiu, por që praktikisht është e pamundur të hulumtohen. Pra, unë nuk mendoj që do të jap një përfundim të plotë të historisë së fisit Dylgjeri, por do të shënoj gjithçka që kam dëgjuar, pa përjashtuar asnjë variant kundërshtues. Një nga xhaxhallarët e tim eti, i quajtur Tahsim Dylgjeri, që para shpalljes së Pavarësisë ka studiuar për drejtësi në Stamboll, ka thënë se “ne jemi brezi i trembëdhjetë që rritemi në Elbasan”. Nuk e di se çfarë mundësish ka pasur ai për shfletimin e regjistrave të popullsisë, apo kush ia ka thënë. Nëse këtë e marrim të mirëqenë dhe pranojmë që një brez apo gjeneratë është përafërsisht 25 vjeç, ne pinjollëve të këtij fisi sot (brezi i 15) na takon të themi se jemi vendosur në këtë qytet 375 vjet më parë.

Më kanë thënë se në pjesëzën “Shqipnija 200 vjet mȃ parë” të librit “Şejjahatnamesi” (Shënime udhëtimi) të kronikanit osman Evlija Çelebiu (përkthyer nga Salih Vuçiterna në vitin 1930), thuhet se “…..fisi Dylgjeri është ndër 10 fiset e para që është ngulur në Elbasan”. Ky udhëpërshkrues i Portës së Lartë, e ka vizituar Elbasanin në Nëntor të vitit 1660. Kjo dëshmi mund të merret në konsideratë.

Jam interesuar për etimologjinë e fjalës Dylgjeri, që në shqip nuk ka kuptim dhe nuk ofron asgjë, por ka qenë e pamundur për të gjetur përgjigje. Thuhet se është fjalë turke, por në të vërtetë është fjalë me origjinë osmane. Siç dihet, osmanishtja ishte një gjuhë me strukturë të përzier ndërmjet turqishtes, arabishtes dhe persishtes. Një miku im ka pyetur një profesor turk mbi kuptimin e fjalës Dylgjer, i cili i kishte thënë se bëhet fjalë për një shprehje, që nënkupton një person që merret me profesion, zanat, dikush që bën diçka me duart e tij etj. Pra, le të themi mjeshtër, usta.

Te ne në Elbasan është i përhapur mendimi se në zanafillë Dylgjersit janë marrë me peshimin e ujrave, çka do të thotë se ata kanë hartuar dhe ndërtuar vepra hidrike si, kanale ujitës, diga të thjeshta, rema uji për mullinj, puse për ujë të pishëm etj.

Me interes rreth kësaj teme është edhe libri i Kostandin Dylgjerit mbi origjinën e degës Dylgjeri të Fierit. Në librin tij, thuhet se ai ka pasur fatin të bisedojë me Vexhi Buharanë në Berat, mbi këtë tematikë. Osmanologu i shquar Vexhi Buharaja ka thënë se termi: Dylgjer, i përket fondit persisht dhe përkthehet “karpentier”, pra, mjeshtër i shtrimit të dërrasave për skela apo bazamente të dyshemeve, ndërtimit të çative etj. Sidoqoftë, për ekzistencën e degës së Fierit unë kam dëgjuar shumë vonë, pasi tek ne në Elbasan nuk dihej gjë dhe çdo kujtim që kishte lidhje me ta, ishte shuar nga koha e gjatë. Mbaj mend që rreth 30 vjet më parë kam lexuar në një gazetë të kohës një artikull me autor Mihal Dylgjeri. Më bëri shumë përshtypje emri dhe kam pyetur tim atë, i cili nuk dinte gjë dhe nuk më dha asnjë përgjigje interesante. Sido që të jetë e vërteta e ndarjes së këtyre dy degëve, pra Dylgjeri të Elbasanit dhe Fierit, vihen re diferenca. Ne banojmë larg njëri-tjetrit, banojmë në zona urbane dhe rurale, si dhe kemi origjinë fetare të ndryshme. Megjithatë, ne të gjithë jemi DYLGJERI, i njëjti fis dhe e respektojmë shoqi-shoqin. Kaq na mjafton.

E pra, një gojëdhanë e vjetër na thotë që prejardhja jonë është nga Dibra e Madhe. Para dy vjetëve më ka treguar një miku im se në Dibër të Madhe ka ende fis shqiptarësh me mbiemrin DYLGJEROVSKI. (Natyrisht, prapashtesa në këtë mbiemër nënkupton përpjekjet e pushtetit sllav për asimilimin e shqiptarëve). Ka edhe detaje të tjera, në dukje të parëndësishëm që ndoshta e përforcojnë këtë hipotezën e prejardhjes nga Dibra e Madhe. Kështu psh, ne në zhargonin tonë përdorim shpesh fjalën shpotitëse “…ah dibran” për fëmijët tanë të vegjël që tregohen kokëfortë etj.

PUSI QË LAHET VETË

Por, që të kemi një kuptim më të qartë dhe sa më afër të vërtetës mbi prejardhjen dhe kohën e Dylgjerve të Elbasanit, duhet patjetër që të analizohet legjenda e Pusit që Lahet Vetë në Elbasan, i njohur ndryshe edhe si Pusi i Dylgjer-hysenit.

Është ky toponim i famshëm që ngjall kureshtje jo vetëm te ne që mbajmë këtë mbiemër. Ky pus (sot konsiderohet objekt muzeal dhe Monument Kulture) ndodhet në lagjen “Partizani” të Elbasanit. Dikur kjo lagje quhej “Karavelije”, ndërsa rruga ku ndodhet pusi quhej “Dylgjer-hysen”. Sipas legjendës – e cila me kalimin e viteve është veshur edhe me elementë mistikë dhe folklorikë – ky pus lahej vetë dy herë në vit. Pra, në pranverë dhe në vjeshtë rritej niveli i ujit, i cili derdhej jashtë grykës së pusit duke kryer edhe larjen e mureve të gurta. Larja e pusit bëhej vetëm natën dhe askush nuk ka arritur ta shohë, por në mëngjes herët periferia e pusit ishte e mbushur me ujë të shumtë. Thuhej se, “nëse dikush e shihte pusin duke u larë, atëherë ai person do të vdiste shumë shpejt”.

Unë mendoj që larja e pusit edhe mund të ketë ndodhur, por për shkaqe natyrore. Ky pus ndodhet fare pranë përroit të Zaranikës dhe ndoshta furnizohet me ujë nga baseni nëntoksor i këtij përroi. Zaranika ka një reliev shumë të theksuar me pjerrësi nga veriu në jug dhe sjell ujra të rrëmbyeshëm gjatë periudhës së shirave, në pranverë dhe në vjeshtë.

…ose PUSI I DYLGJER-HYSENIT

Në vazhdim të kësaj legjende thuhet se ka qenë një usta i quajtur Hysen, që ndërtoi këtë pus. (Të dhënat janë kontradiktore, sepse disa mendojnë që kanë qenë dy vëllezër të quajtur njëri Dylgjer dhe tjetri Hysen të ardhur nga Arabia (!), që kanë ndërtuar pusin). Unë po trajtoj variantin që thotë se usta Hyseni mbërriti në Elbasan nga fshati Zabzun i Librazhdit. Ai mori përsipër dhe ndërtoi këtë pus dhe, pasi mbaroi punën, hodhi brenda tij çekiçin dhe sqeparin me të cilët punoi. Më pas ai u martua me një vajzë vendase dhe trashëgoi shumë fëmijë.

Në vazhdim të legjendës duhet thënë se usta Hyseni konsiderohej si njeri i shenjtë dhe i pajisur me veti çudibërëse. “Bishtin e çekiçit të tij ai e mbolli pranë pusit dhe aty u rrit një rrap madhështor, në gjethet e të cilit shquheshin germa arabe sa herë që dilte Hëna e Re”. Pranë pusit u ndërtua edhe xhamija dhe besimtarë të shumtë vinin për të kryer ritin e faljes. Banorë të lagjes dhe besimtarë të tjerë nga qyteti dhe rrethinat mbushnin ujë me shishe nga ky pus dhe i futnin brenda dy gjethe nga rrapi i pusit duke u lutur: – O Hȃnë e Re, O Hȃnë e Lashtë, Zoti të na dashtë!. Më pas me këtë ujë ata lanin sytë dhe, pjesën tjetër e merrnin me vete. Po aty pranë xhamisë ndodhej edhe një teqe, si dhe në rrëzë të trungut të këtij rrapi u ngrit një Vend i Mirë, ku besimtarët luten e ndezin qirinj. (Në të vërtetë nuk dihet kush ka qenë ndërtuar e para, xhamija apo teqja. Nëse sqarojmë që në Perandorinë Osmane mjeshtrat e zejeve të ndryshme i përkitnin sekteve të shumtë mistiko-sufistë, atëhere ka shumë mundësi që në fillim të ketë qenë ndërtuar teqja).

Po le t’i referohemi historisë. Kështjella e Elbasanit u ringrit nga osmanët në vitin 1466 mbi gërmadhat e Skamp-ës ilire. Ky ka qenë i vetmi sukses i osmanëve, pas dy disfatave të turpshme që ata pësuan nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu në Krujë. Fillimisht kjo fortesë kishte karakter ushtarak dhe siguronte lëvizjet e karvaneve të ushtrisë osmane përgjatë Rrugës Mbretërore ose Udhës Egnatia. Mirëpo, falë pozicionit gjeografik, udhës Egnatia ku qarkullonin mallra të shumtë, si dhe qetësisë që sigurohej nga garnizoni osman i kalasë, shumë shpejt fushat përreth kalasë (varoshet) u populluan me banorë nga fshatrat përreth. Kështu, njëqind vjet pas themelimit të kalasë së Elbasanit vihet re një zhvillim i vrullshëm i tregtisë dhe zejtarisë. Kjo popullsi që sa vinte dhe shtohej kishte nevojë edhe për infrastrukturën e kohës, si: rrugë, dyqane dhe puse uji. Pikërisht kjo është koha kur mund të ketë ardhur edhe usta Hyseni, ose Dylgjer-hyseni në Elbasan, të cilin ne e konsiderojmë si themeluesin e fisit tonë.

Në vitin 1967 kur feja tek ne u ndalua me ligj dhe që u shoqërua me shkatërrimin e pjesshëm të objekteve fetare, Pusi i Dylgjer-hysenit u prish dhe u mbush me hedhurina të ndryshme. Por, pas ndërrimit të sistemit politik te ne, ky pus u pastrua dhe u riparua me shpenzime personale nga familja Bitoci që banon aty pranë.

(Megjithatë ky shkrim mbetet i hapur dhe kushdo mund të sjellë materiale të tjera shtesë)

Postuar fillimisht në disa portale të Elbasanit, Janar 2015

Bukurosh Dylgjeri

b_dylgjeri

Elbasan, Mars 2021

RSS
Ndiq me Email
Share