//

Doktor Hasan Kurti

Pas mbarimit të shkollës së mesme, në Korrik 1954, doktor Hasani emërohet në Qendrën Sanitare, shef i Epidemiologjisë në Elbasan. Emërimi në punën e re koinçidon me përhapjen e epidemisë së kollës së mirë e, më vonë, me epideminë e fruthit - morbilli. Për të punuar atij i duhej të shkonte në Gjinar dhe në Zavalinë apo në zona të tjera duke ecur për shumë orë në këmbë në kushtet e mungesës së rrugës së makinës.

2792 pamje
8 minuta lexim

Hasan Kurti lindi në 6 Maj të vitit 1933 në Vidhas të Elbasanit. Ai mbeti jetim që kur ishte fëmijë dhe në moshën 7-vjeçare. Për shkak të varfërisë ekstreme, largohet nga shtëpia për të shërbyer në një familje, ku detyrohet të bëjë punë të rënda bujqësore, me lodhje dhe mundim.

Fillon të mësojë si audodidakt, por ëndrra për t’u arsimuar iu realizua pas çlirimit të Shqipërisë. Shkollën fillore e kreu në Bradashesh. Në vitin 1949 filloi klasën e pestë me korrespondencë, studionte vetë e jepte provimet. Klasën e 6-të dhe të 7-të e përfundoi në shkollën shtatëvjeçare “Naim Frashëri”. Në darkë drejtonte kurse kundër analfabetizmit për moshat e rritura.

Fëmijëria e jetuar mes varfërisë dhe sëmundjeve kishte zgjuar tek Hasan Kurti dëshirën për t’u bërë mjek e për të ndihmuar më të dobëtit e të pafatët. I jepet e drejta e studimit dhe më vonë fiton bursën për në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, në Korrik 1954, doktor Hasani emërohet në Qendrën Sanitare, shef i Epidemiologjisë në Elbasan. Emërimi në punën e re koinçidon me përhapjen e epidemisë së kollës së mirë e, më vonë, me epideminë e fruthit – morbilli. Për të punuar atij i duhej të shkonte në Gjinar dhe në Zavalinë apo në zona të tjera duke ecur për shumë orë në këmbë në kushtet e mungesës së rrugës së makinës.

I ricordi di un medico
Dr. Hasan Kurti – Kujtimet e një Mjeku

Në vitin 1956 filloi Fakultetin e Mjekësisë. Studionte në mënyrë sistematike. Pas mbarimit të Fakultetit, në Shtator të vitit 1962 fillon zyrtarisht punën pranë Kombinatit të Drurit në Elbasan dhe më pas në Qendrën Sanitare, në sektorin e sëmundjeve ngjitëse.

Në Shtator të vitit 1964 shkon në Tiranë për t’u specializuar në Röntgen Diagnostikë Radiologji. Pas përfundimit të specializimit fillon punën si mjek radiolog në Spitalin Civil në Elbasan.

Pas shumë vitesh pune në spital transferohet në ambulancën e qytetit, ku ushtron profesionin e mjekut radiolog në kushte jo të lehta, me orare të tejzgjatura, me fluks të madh njerëzish si dhe me radiacion të lartë të rrezeve Röntgen. Del në pension në vitin 1993.

Në Qershor 1995 transferohet familjarisht në Tiranë. Në 2006 shpërngulet së bashku me të shoqen në Itali, pranë vajzave. Pas vdekjes së gruas, në të njëjtin vit, i dedikohet dorëshkrimit të jetës dhe kujtimeve të punës si mjek, që ia dorëzon përpara se të sëmurej, vajzës së tij, shkrimtares Irma Kurti.

Mbylli sytë përgjithmonë në 19 Prill 2018 në Bergamo të Italisë.

Botohen në Itali kujtimet e mjekut elbasanas Hasan Kurti

“I ricordi di un medico” përmban pjesë nga ditari, që ai ia la së bijës përpara se të sëmurej.

Doli nga shtypi nën siglën e Shtëpisë Botuese Kimerik në Itali libri i titulluar “I ricordi di un medico” (Kujtimet e një mjeku), me fragmente nga ditari i doktor Hasan Kurtit.

Libri është i ndarë në tri pjesë: “Një udhëtim pa kthim”,  “Fëmijëri e mohuar” dhe “Fragmente jete e ëndrrash”. Në të gjen mbresa e përshtypje, gëzime e vuajtje të jetës së doktor Hasanit, duke filluar me humbjen e bashkëshortes Sherife Kurti disa muaj pas shpërnguljes së tyre në Itali, copëza të një fëmijërie të privuar nga dashuria e prindërve, ecjen e gjatë për të realizuar ëndrrën për t’u bërë mjek, megjithë vështirësitë e panumërta, kujtime nja jeta shkollore si dhe nga eksperienca e punës si radiolog në Spitalin Civil dhe në Ambulancën Qendrore në Elbasan.

Në parathënin e librit të shkruar nga shkrimtarja Irma Kurti, që është dhe bashkautore e librit shkruhet:

“Ky libër më ka bërë shoqëri gjatë muajve të vështirë të izolimit prej pandemisë. Ai u bë ëndrra që më mbante zgjuar dhe të kthjellët. Për orë të tëra e gjeja veten të emocionuar dhe të shkëputur nga realiteti, ndërsa përpiqesha të deshifroja rreshtat e shkruar prej babait, t’i përpunoja dhe të gjeja mënyrën më të mirë për t’ia përçuar lexuesit.

Kujtimet e një mjeku është dëshmia e tim eti. Në këto faqe zbulohen vullneti e këmbëngulja, kuraja e tij për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, me gjithë vështirësitë e panumërta. Në çdo faqe, në çdo rresht e fjalë unë kam dëgjuar zërin e tij.”

Libri do të botohet së shpejti edhe në gjuhën shqipe.

Irma Kurti

Irma_Kurti

Itali, Mars 2021

RSS
Ndiq me Email
Share