///

Ibrahim Biçaku – (1905 – 1977)

Ibrahim Biçaku ishte i vetmi fëmijë mashkull i patriotit Aqif Pashë Elbasani. Harriçen dhe Iptidadijen (kopshtin dhe arsimin fillor) i kreu në Elbasan, ndërsa në moshën 13-vjeçare shkon në Vjenë të Austrisë ku përfundon arsimin e mesëm, si dhe dy fakultete, të agronomisë dhe të shkencave politike.

653 pamje
9 minuta lexim
Ibrahim Biçaku

(Kryeministri elbasanas në periudhën 6 Shtator 1944 – 25 Tetor 1944)

Qeveria e drejtuar nga Ibrahim Biçaku i përket një kohe të turbullt, pasi Lufta e II Botërore ishte në fundin e saj dhe marrja përsipër e drejtimit të qeverisë shqiptare nën pushtimin nazist, ishte një aventurë e vërtetë, dhe ndoshta ai ka menduar për një akt të lartë atdhedashurie. Vendi duhej të kishte një qeveri shqiptare në periudhën e pushtimit nazist.

Ibrahim Biçaku ishte i vetmi fëmijë mashkull i patriotit Aqif Pashë Elbasani. Harriçen dhe Iptidadijen (kopshtin dhe arsimin fillor) i kreu në Elbasan, ndërsa në moshën 13-vjeçare shkon në Vjenë të Austrisë ku përfundon arsimin e mesëm, si dhe dy fakultete, të agronomisë dhe të shkencave politike.

Duhet thënë se ai nuk kishte asnjë synim politik në jetën e tij, ndonëse në vitin 1937 zgjidhet deputet i pavarur i Elbasanit në parlamentin shqiptar.

Pas vdekjes së të atit në vitin 1926, kthehet në atdhe dhe merret me administrimin e pronave dhe bizneseve të shumta, të cilat i trashëgoi nga i ati. Ibrahim Biçaku ishte themeluesi i të parës fermë bujqësore, të cilën e ngriti sipas modeleve kapitaliste më të mira të kohës. Ai ishte ndoshta kapitalisti i vetëm bujqësor që solli në vendin tonë autotraktorin e parë për punimin e tokës në fermën eksperimentale në Belik (Bejllëk), pranë Cërrikut.

Ibrahim Biçaku
Ibrahim Biçaku

Në Shtator të vitit 1944 mori përsipër drejtimin e qeverisë shqiptare. Me ngadhënjimin e forcave komuniste në fund të muajit Nëntor 1944, ai nuk u largua nga Shqipëria, i bindur se ishte i pafajshëm. Për pak muaj sa ishte kryeministër, ai nuk firmosi kurrë asnjë urdhër për pushkatim, djegie banesash, burgim ose internim të militantëve komunistë, madje ekzistojnë të dhëna që ka ndihmuar edhe forcat komuniste.

Në Dhjetor të po atij viti arrestohet në Shkodër dhe në muajin Prill të vitit 1945 dënohet me vdekje. Dënimi iu kthye me burgim të përjetshëm dhe del nga burgu pas 18 vjetësh. Duhet theksuar se falja e jetës së tij është përfolur dhe shkruar sikur u kërkua nga elita elbasanase e kohës, të cilët firmosën një peticion për faljen e jetës. Mirëpo, thuhet se falja e jetës së tij u kërkua nga e ëma e Ymer Dishnicës, e cila i tha diktatorit “që ende ke ndër dhëmbë bukën e Ibrahimit”. (Me ndërhyrjen e Bahri Omarit, Ibrahim Biçaku e punësoi E. Hoxhën në dyqanin “Flora” në Tiranë, pronë e familjes Biçaku ku tregtohej duhan).

Ndoshta kjo ndërhyrje, si dhe ndonjë trill i diktatorit, u fal jeta e pinjollit të vetëm të Aqif Pashës. Ai kryen veç burgimin deri në vitin 1962.

Sidoqoftë, është fakt se Ibrahim Biçaku ishte i vetmi ish-kryeministër “kuisling” në të gjithë Europën që i shpëtoi furisë vdekatare të ngadhnjimtarëve të kësaj lufte.

Më kanë treguar se pas daljes nga burgu, për hir të së vërtetës, Ibrahimin e punësuan përkthyes në një institucion në Tiranë, meqenëse ishte njohës i disa gjuhëve të huaja, e veçanërisht i gjermanishtes.

Por, martesa e tij me një ish-bejlereshë, ndoshta u konsiderua si simpati dhe konseguencë për shtresat e përmbysura të kohës.

(Unë i mbaj mend mirë teksa ecnin të dy të kërrusur dhe bashkëshortja e tij vishte një fustan të gjatë, deri në fund të këmbëve. Të krijonin një ndjesi të përzier, çudi dhe keqardhje … mbase të çmendur (?). Ecnin ngadalë të dy, me hapa të vegjël dhe me kokën pak të ulur. Nuk flisnin dhe nuk përshëndetnin njeri. Të dy ata, ngjanin sikur kishin ardhur nga një epokë e harruar).

E largojnë nga puna e përkthyesit në Tiranë dhe e punësojnë roje të vorrezave publike në Elbasan. Rreth vitit 1970, rastësisht, në këtë vorrezë po bëhej rivarrimi i eshtrave të babait të një qytetari elbasanas. Babai i këtij elbasanasi kishte qenë udhëheqës shpirtëror i një sekti mysliman dhe fillimisht ishte varrosur në një teqe bektashie. Gjatë kësaj ceremonie, e cila u fotografua nga gazetarët e kohës, diku ishte fiksuar edhe rojtari Ibrahim Biçaku. Dukja e tij në këto fotografi solli reagimin e ashpër të qytetarit i cili po rivarroste eshtrat e të atit, pasi nuk duhej që “reaksionari” dhe “krimineli fashist” të ndotë këtë ceremoni.

E largojnë sërish të mjerin Ibrahim Biçaku dhe e punësojnë pastrues të WC publike pranë ish-agjensisë së autobusëve të Cërrikut, në Elbasan. Kjo ka qenë pjesa më e nxirë dhe më e dhimbshme e jetës së këtij njeriu të mirë dhe aspak fajtor. Ato WC krejt të pista e të ndyra – të cilat unë i mbaj mend – e meritonin plotësisht emrin, qenef. Jo vetëm kaq, por persona të degjeneruar dhe pijanecë e shurronin vazhdimisht në kokë këtë engjëll, që nuk kishte shkelur as edhe një milingonë në jetën e tij.

Thuhej se Ibrahim Biçaku kishte një orë dore, e cila përveç kohës, tregonte edhe presionin atmosferik, nivelin e lagështirës së ajrit, numrin e rrahjeve të zemrës etj, e cila nuk dihet ku përfundoi.

Edhe se ndonjë i afërm ose bashkëqytetar i ofronte fshehtas diçka për të ngrënë ose për të veshur, ai u shua në mjerim të plotë më datë 4 Janar të vitit 1977, pa lënë asnjë pasardhës.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shkurt 2023

RSS
Ndiq me Email
Share