Mahir Domi dijetar me mendje të kthjellët një nga shembujt tipikë të intelektualit shqiptar
(Me rastin e 105-vjetorit të lindjes së M. Domit )
Prof. Mahir Domi gjithnjë do të kujtohet si dijetar me horizont të gjerë e njeri me zemër të pastër, me mendje të kthjellët e pa paragjykime, me fjalë të ngrohtë dashamire dhe me kurajë intelektuale dhe me integritet moral. Ky dijetar është një nga shembujt tipikë të intelektualit shqiptar që, edhe kur arrin t’i përkasë krejt kombit, e mban qendrën shpirtërore të rëndesës te mjedisi shoqëror e njerëzor i vendlindjes. Mahir Domi mbeti gjithë jetën një bir i Elbasanit, ashtu si edhe një varg intelektualësh të tjerë të mirënjohur që i ka dhënë kombit shqiptar ky qytet i përmendur për dije, arsim e atdhesi – për ta thënë me një fjalë të A. Xhuvanit. Në shoqëri me bashkëvendësit e brezit të vet sikur tjetërsohej, bëhej gazmor e i qeshur, sikur nuk ishte më ai profesori serioz që kurdo e kudo do të bluante në mendje ndonjë problem shkencor që e mundonte.
M. Domi erdhi në jetë më 12 mars 1915, në prag të Ditës së Verës, si shtetas i shtetit të porsalindur shqiptar, por që nuk qe ngritur dot ende më këmbë. Në korrik të atij viti, po në Elbasan, do të vinte në jetë edhe Dhimitër Shuteriqi, shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letërsisë, edhe ai anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Jeta e brezit të tyre është e ndërthurur me ëndrrat, me shpresat entuziaste e me zhgënjimet e hidhura, që ndërkëmbeheshin sipas rrethanave të brendshme e të jashtme. Por ai brez e shtrëngoi fort flamurin e idealeve të Rilindjes Kombëtare dhe Shqipërisë së mitur i dha mendjen e kthjellët dhe energjitë rinore për të përballuar furtunat e kohës.
M. Domi mori një formim të shëndoshë në Liceun Kombëtar Francez të Korçës dhe gjatë studimeve të larta në Grënoblë të Francës (1937-1941) për filologji klasike dhe franceze u bë pjesëmarrës aktiv i rretheve të studentëve me ideale demokratike, që kundërshtuan pushtimin italian dhe morën pjesë në demonstrime e veprimtari antifashiste si në Francë, ashtu dhe në Shqipëri. Për këto Mahir Domi dhe një varg intelektualësh të tjerë, provuan dhe internimin në kampin e përqendrimit të Porto Romanos (pranë Durrësit).
Në vitet e para pas luftës (1945-1947) M. Domi ishte drejtor i Normales së mirënjohur në Elbasan.
Më pas kaloi në Ministrinë e Arsimit, në drejtorinë e teksteve e të programeve mësimore (1947-1950). Atje kreu një punë cilësore dhe themelvënëse së bashku edhe me shkrimtarin Sterjo Spasse. Të dy ishin të lidhur me një miqësi kolegjiale të çiltër, të qëndrueshme e prekëse. Brezi im, që u ul në bankat e shkollës së mesme më 1951, dhe të tjerët më pas vijimisht, deri nga fundi i viteve ’60, morën njohuri të gjera për letërsinë europiane nga tekstet e përpiluara nga M. Domi e S. Spasse, duke nisur me letërsinë klasike greko-latine, e në vijim me Rilindjen, Klasicizmin, Iluminizmin, Romantizmin e Realizmin. Këto tekste të hartuara me qartësi e me metodikë të admirueshme jepnin një pamje mjaft të qartë të historisë së drejtimeve e rrymave letrare, të parimeve krijuese e të përfaqësuesve më të shquar të tyre. Ato kanë qenë njëkohësisht edhe antologji me pjesë të zgjedhura nga autorët përkatës. Nëpërmjet tyre disa breza nxënësish të shkollave tona të mesme në vitet ‘50-’60 dhe në Kosovë e Maqedoni në vitet ’70-’80, kur u ribotuan dhe u përdorën ato tekste atje, njohën dhe admiruan një letërsi të madhe, formuan kulturën e tyre të përgjithshme letrare. Për sa i takon letërsisë shqipe, mund të them se prof. M. Domi nuk kishte lënë autor pa lexuar dhe ishte në gjendje të gjykonte për karakteristikat kryesore të veprimtarisë letrare të tyre.
Me këto cilësi ai u bë njëri ndër hartuesit dhe njëkohësisht redaktorët kryesorë të veprës “Historia e letërsisë shqipe” (vëll. I e II), që u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës në vitet 1959-1960, si përpjekje e parë për të hartuar një histori të letërsisë e të mendimit letrar shqiptar. Në këtë vepër M. Domi shkroi pjesën e letërsisë së vjetër shqipe dhe redaktoi pjesën më të madhe të letërsisë së Rilindjes Kombëtare, autorët e së cilës i njihte me hollësi. Letërsinë M. Domi e vështronte si element të rëndësishëm të historisë së mendimit e të kulturës së një populli dhe në këtë drejtim ai ishte gjurmues i zellshëm. E përmenda që në fillim këtë anë të veprimtarisë së prof. M. Domit në fushën e letërsisë shqipe dhe në hartimin e teksteve shkollore të letërsisë së huaj, sepse ai tani njihet kryesisht si gjuhëtar dhe vlerat e punës së tij në fushën e letërsisë në vitet ’50-’60 mbeten pak si në hije ndaj vlerave të veprimtarisë së gjerë në fushën e gjuhësisë. Duhet theksuar ndërkaq se prirja e tij ndaj letërsisë ka lidhje të ngushtë edhe me dy drejtime të veprimtarisë në gjuhësi: së pari, me çështjet e normës letrare (veçanërisht në fushën e drejtshkrimit) dhe, së dyti, me sintaksën: në të dyja këto drejtime studimesh ai u mbështet shumë si në letërsinë e mëparshme, ashtu edhe në letërsisë e re të pasluftës. Ai e shihte letërsinë si farkën e përpunimit e të kristalizimit të normës letrare në tërësinë e saj. Si një nga lexuesit më të zellshëm e më të vëmendshëm të letërsisë shqipe, ai ishte njëkohësisht një nga vrojtuesit e mprehtë të risive, po edhe të mangësive gjuhësore të saj. Kur kaloi nga Ministria e Arsimit në Institutin e Shkencave më 1950, M. Domi pati dy detyra kryesore, të lidhura njëra me tjetrën: fjalorin e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimin. Kur u nda nga jeta K. Cipoja (kryetar i komisionit hartues) në janar 1952, fjalori kishte përfunduar, por nuk kishte arritur njësinë dhe njëtrajtësinë e brendshme; veç kësaj ishte vërejtur se mungonin mjaft fjalë të nevojshme dhe, nga ana tjetër, ishin përfshirë jo pak fjalë, të cilat nga kuptimet e përhapja do t’i takonin një fjalori më të madh. M. Domit i ra barra kryesore për rishikimin dhe redaktimin tërësor të veprës.
Domi ka pasur një rol qendror në përpunimin dhe stabilizimin e rregullave të drejtshkrimit.
Atij i detyrohet hopi cilësor nga drejtshkrimi i vitit 1951 te drejtshkrimi i botuar më 1956, por i përpunuar prej tij më 1953 e 1954 dhe i zbatuar te “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), i cili shërbeu edhe si fjalor drejtshkrimor deri në daljen e fjalorit të parë drejtshkrimor të mirëfilltë (1976). Me këtë rast le të përmendim se dallimet e drejtshkrimit të sotshëm (d.m.th. të vitit 1973) nga drejtshkrimi i vitit 1956 nuk janë të shumta. Prandaj nuk është as e saktë e as e drejtë të flitet për drejtshkrimin e botuar pas Kongresit si për diçka krejt të re. Lidhja e M. Domit me shkollën ka qenë e vijueshme, e pashkëputur. Ajo u bë edhe më e fortë me themelimin e Universitetit të Tiranës më 1957, kur ai u ngarkua si përgjegjësi i parë i katedrës së gjuhës shqipe (1957-1962) dhe mori përsipër lëndën e rëndësishme të sintaksës, për të cilën kishte botuar edhe tekstin e shkollave të mesme. Sintaksa u bë fusha kryesore e punës së tij për shqipen e sotme, ku ai solli ide e vështrime të reja dhe material të pasur, sidomos nga letërsia.
M. Domi ndiqte me vëmendje trajtesat sintaksore të gjuhëve të ndryshme, sidomos të rusishtes, të frëngjishtes, të rumanishtes, po edhe të gjuhëve të tjera, duke u përpjekur të sillte në gjuhësinë tonë risitë e kësaj disipline e duke nxitur përpunimin e një mendimi të ri në gjuhësinë tonë. Ai shtroi si detyrë të dorës së parë përshkrimin sa më të plotë të strukturës dhe të semantikës sintaksore të shqipes, prandaj, edhe kur nisej për të hartuar një kapitull teksti, përfundonte gati në një studim monografik. Me gjithë vështrimet e ndryshme për një varg çështjesh të sintaksës, ai ishte bashkëpunues shembullor me kolegët e fushës, si S. Floqi, S. Prifti etj. Te zhvillimi i sintaksës M. Domi shihte një anë thelbësore të zhvillimit të gjuhës në tërësi dhe njëkohësisht një pasqyrim të zhvillimit intelektual dhe të integrimit të shprehjes sonë gjuhësore në sisteme më të gjera e më të përpunuara. Në fushën e gramatikës ai e orientoi punën drejt trajtesave monografike, mbi të cilat do të mbështetej vepra përgjithësuese normative “Gramatikë e gjuhës shqipe” e tipit teorik e përshkrues, që do të paraqiste kategoritë dhe strukturën gramatikore kryesisht të shqipes së sotme letrare.
Si kryeredaktor i kësaj vepre komplekse M. Domi diti të organizojë grupin hartues dhe të drejtojë diskutimin paraprak të një vargu çështjesh problemore. Kësaj vepre i priu ngritja e Kartotekës së gramatikës me disa qindra mijëra skeda, që dolën nga vjelja sistematike e qindra veprave letrare e të gjinive të tjera, përsëri nën drejtimin dhe me pjesëmarrjen e tij. M. Domi ka qenë i bindur për rëndësinë e shumanshme të njohjes së plotë e sa më të hollësishme të ligjërimeve dialektore të shqipes, qoftë për studimet diakronike, qoftë për studimet në fushën e gjuhës së sotme.
Ai luftoi me këmbëngulje për të zgjeruar sektorin (asnjëherë kjo nuk ka qenë punë e lehtë) dhe ndërtoi një program shumëvjeçar për të mbuluar gjithë territorin e vendit me skica e monografi dialektore. Diskutimet e punimeve dialektologjike nën drejtimin e tij dhe përfundimet e relacionet vjetore që nxirrte ai, kanë qenë një shkollë kualifikimi jo vetëm për ne të brendshmit, por edhe për një varg bashkëpunëtorësh të jashtëm. Ai ideoi edhe serinë “Dialektologjia shqiptare”, që u botua në vitet 1971-2005 (7 vëllime me rreth 3300 faqe gjithsej) krahas dhjetëra punimeve dialektologjike të botuara në revistën shkencore të Institutit. Kjo veprimtari e ndikoi për zhvillimin e hulumtimeve dialektologjike edhe në Kosovë e në Maqedoni. Kështu, me kujdesin dhe nën drejtimin e tij, dialektologjia shqiptare pati një rritje jo vetëm sasiore (numri i punimeve dhe numri i hulumtuesve), por edhe cilësore, duke kaluar nga monografitë përshkruese në punime përgjithësuese ose për çështje problemore. Të gjitha këto hapën rrugën për të ndërmarrë një vepër përgjithësuese e cilësore si “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” në dy vëllime e me mbi 1000 faqe. Vepra u hartua në vitet ’80, por u botua më 2007-2008.
M. Domi ka shkruar parathënien paraqitëse e arsyetuese; gjejmë këtu një dëshmi tjetër për lidhjen e tij të ngushtë me letërsinë, kur citon shkrimtarin e shek. XIX Charles Nodier, akademik i Francës, që ka shkruar: “Kushdo që nuk ka hulumtuar me kujdes të folmet e gjuhës së vet, nuk e di këtë veçse përgjysmë.” Me këtë bindje për vlerën e madhe të fjalës së popullit, ai bashkë me mikun e tij të rinisë e të zemrës, të paharruarin Qemal Haxhihasani, redaktuan me kujdes fjalorin e fjalëve e të shprehjeve popullore që kishte lënë Aleksandër Xhuvani në copa skedash dhe e botuan pjesë-pjesë në “Studime filologjike”, gjithsej rreth 600 faqe. M. Domi ka ndihmesa të rëndësishme edhe në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ai dha lëndën e morfologjisë historike në Universitet dhe hartoi tekstin e saj, shkroi artikuj kumtesa e referate për çështje të marrëdhënieve të shqipes me ilirishten, për formimin e gjuhës shqipe dhe prejardhjen e saj, për marrëdhëniet dhe ngjashmëritë e shqipes me rumanishten, për evolucionin historik të strukturës gramatikore, për çështje të toponimisë së lashtë etj.
Domi ka qenë i mirëpritur në Prishtinë e në Shkup.
Vizitat dhe ligjëratat e tij atje përbënin ngjarje. Kolegët dhe studentët e rrethonin me një dashuri prekëse dhe përpiqeshin të përfitonin sa më shumë. Gjithmonë tregonte shumë dashamirësi ndaj tyre dhe kthehej përherë i ngazëllyer. M. Domi është edhe një nga gjuhëtarët shqiptarë më të njohur në botën e jashtme. Kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me mjaft kolegë në lindje e në perëndim dhe në botën arbëreshe. Ka botuar një varg artikujsh në revista e përmbledhje studimesh me njohje ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar e nderuar albanologjinë tonë në disa kongrese e veprimtari shkencore ballkanike e europiane. Në çdo rast përpiqej të sillte sa më shumë informacion të dobishëm nga veprimtaritë ku merrte pjesë dhe diskutonte se çfarë mund të bënim edhe sipas përvojave që kishte njohur. Ndiqte me rregull të rejat në ballkanistikë e në gjuhësi përgjithësisht dhe mbante herë pas here informacione në institut, të cilat i botonte në shtypin shkencor. Njeri sistematik e i rregullt mbante gjithnjë një ditar pune, ku shënonte me shpjegime të shkurtra punët e tij të ditës. Ditarët e tij me të dhënat e pasura e të përpikta janë një kronikë e vyer për historinë e shkencave filologjike në Shqipëri.
Domi kishte një varg cilësish të admirueshme në personalitetin e në karakterin e tij.
Ishte kurdoherë i pakursyer për të dhënë ndihmesën e tij në punë nga më të ndryshmet. Ngarkohej me detyra në lloj-lloj komisionesh e forumesh dhe i kryente me përpikëri. Nuk dinte të thoshte jo, dhe kjo mirësi ndaj të tjerëve e shmangte nga punët që kishte në duar. Më 1965 në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një konferencë për të shënuar 50-vjetorin e tij. Mbaj mend se auditori i madh në katin e tretë të Fakultetit qe mbushur plot edhe me pedagogë e studentë. Fjalën e rastit e mbajti Eqrem Çabej. Duke folur për kolegun dhe mikun, të cilit i detyrohej shumë, ai vërejti (edhe me njëfarë qortimi për ta vënë pak në sedër) se “profesor Domit i mungon edhe doza më e vogël e egoizmit, ose e egotizmit, për ta thënë me një fjalë të Stendhalit.” Ndërkaq duhet njohur se autoriteti i tij i padiskutueshëm si përgjegjës i Sektorit të gramatikës e të dialektologjisë (që ishte atëherë sa gjithë Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë sot), por edhe në Institut, në Fakultet, në Universitet e në rrethe të tjera shoqërore e zyrtare, buron edhe nga ky tipar i karakterit të tij. M. Domi ka ditur të ruante, edhe në rrethana të vështira, frymën e kolegjialitetit e të bashkëpunimit dhe atmosferën pozitive të punës në sektorin që drejtonte.
Vepra shkencore e Mahir Domit është pasuri kombëtare. Ashtu si edhe vepra e themeluesve të tjerë të kësaj Akademie, ajo ka zbritur në fondin e artë të thesarit të shkencës e të kulturës sonë dhe shërben si një garanci për qëndrueshmërinë e vlerave shkencore të sotme. Por ndryshe nga ari i thesarit të shtetit që vetëm duhet të ruhet me kujdes, fondi i artë i shkencës duhet të bëhet sa më i njohur, në radhë të parë nëpërmjet botimeve të denja me kritere dhe me cilësi akademike. Lumturisht, në rastin e veprës shkencore të Mahir Domit këtë detyrë e ka marrë përsipër akademia e Shkencave dhe po e kryen me sukses një redaksi e përbërë nga nxënësit dhe kolegët e tij, prof. Enver Hysa, prof. Seit Mansaku e prof. Remzi Përnaska.
Vëllimet I (2013) e II (2016) të “Veprës” përmbajnë studimet sintaksore të M. Domit, vëllimi III (2018) përmban tekstin e sintaksës për shkollat e mesme (sipas botimit të vitit 1957). Teksti është një shembull i përkryer për parashtrimin e qartë e metodik të strukturës sintaksore të gjuhës shqipe, me ilustrime nga pjesët më të bukura e më edukative të shkrimtarëve shqiptarë. Breza të tërë nxënësish kanë fituar njohuri të plota e të sakta për ndërtimin e fjalisë e të periudhës, për të parashtruar qartë, rrjedhshëm e bukur mendimet, çka është edhe detyra kryesore praktike e mësimit të sintaksës në shkollë.
Ndërkaq redaksia e lartpërmendur vijon punën për vëllimet e tjera të trashëgimisë shkencore të prof. Mahir Domit.
Prof. Emil Lafe