//

Hymni i Elbasanit

Në përbërje të trupave ushtarake austriake që ndaluan në Elbasan, ka qëndruar edhe rreshteri sanitar, çeku STANISLAV KOSKA NEUMANN. Mirënjohjen për popullin e Elbasanit ai e tregoi në 22 poezi dhe 35 piktura në akuarel me motive elbasanase. Po kështu, ai ka shkruar edhe nji libër “Kujtime nga koha e luftës” për Elbasanin, gjatë luftës së -I- Botërore.

1024 pamje
3 minuta lexim

Gjatë luftës së -I- Botërore, siç dihet nga historia, Elbasani u shkel nga ushtritë austro-hungareze. Një oficer i këtyre trupave i quajtur CAMILLO PRASCHNIKER u muar edhe me studimin e Kalasë si dhe realizoi disa fotografime. Këto u botuan prej tij në librin “Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro”, Wien 1919. Ai ishte i pari që përcaktoi se në themelet e kësaj Kalaje gjenden fragmente të periudhave historike më të hershme se rindërtimi osman.

Në përbërje të trupave ushtarake austriake që ndaluan në Elbasan, ka qëndruar edhe rreshteri sanitar, çeku STANISLAV KOSKA NEUMANN. Mirënjohjen për popullin e Elbasanit ai e tregoi në 22 poezi dhe 35 piktura në akuarel me motive elbasanase. Po kështu, ai ka shkruar edhe nji libër “Kujtime nga koha e luftës” për Elbasanin, gjatë luftës së -I- Botërore.

Po ashtu, në përbërje të këtyre trupave ka qenë edhe kompozitori austriak ANTON ZIMPFL, i cili ishte gjithashtu edhe drejtuesi i bandës muzikore të ushtrisë austro-hungareze në qytet. Ai kompozoi hymnin e Elbasanit sipas tekstit të mjekut elbasanas Filip Papajani (Lipi). Shumë shpejt, ky hymn u bë pjesa kryesore interpretuese e bandës muzikore “Afërdita” të qytetit të Elbasanit.

HYMNI I ELBASANIT

Elbasan qytet me famë,

t’adhurojmë.

Neve bijtë e tu s’të lâmë,

të dëshirojmë.

Mbi qytetet e Shqipnisë,

ti je çerdhja e lirisë.

Ti je shkëndi,

p’r’ atdhe dashni’.

Je i pasun ti.

Je çerdhja e tregtisë,

Je dëshira. Je,

dhe ândrrâ e begatisë

Vjen karvani dhe prapë niset

Tregu magaza stoliset,

Forcu’ në qivur (me kuptimin e arkave përplot me mallra të ndryshme)

Çiment’ e gur.

Refreni:

Ty Tirana t’ka për shembull,

Shkodra t’ka m’ni (mëri)

Durrësi, Vlona dhe Berati t’kan’ zili

Dhe Kavaja me Peqinin fort të çmojnë,

Manastiri, Ohri, Dibra pa ty s’rrojnë. (etj)

(Tekstin e këtij hymni m’a ka dhuruar me dorëshkrim violinisti elbasanas Vilson Todri, i ndjeri)

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Mars 2023

RSS
Ndiq me Email
Share