//

Ish-Kombinati Metalurgjik në Elbasan

Kombinati metalurgjik i Elbasanit nisi të ndërtohej aty nga viti 1966 në fushën bujqësore mjaft të begatë të Bradasheshit, rreth 4 km në perëndim të qytetit të Elbasanit. Sipas specialistëve të bujqësisë, në këtë fushë bujqësore ishin depozituar prej shekujsh aluvione dhe sedimente që sillte lumi Shkumbin dhe me të drejtë ishte klasifikuar ndër më të mirat në Shqipëri.

8609 pamje
10 minuta lexim
metalurgjiku

Kombinati metalurgjik i Elbasanit nisi të ndërtohej aty nga viti 1966 në fushën bujqësore mjaft të begatë të Bradasheshit, rreth 4 km në perëndim të qytetit të Elbasanit. Sipas specialistëve të bujqësisë, në këtë fushë bujqësore ishin depozituar prej shekujsh aluvione dhe sedimente që sillte lumi Shkumbin dhe me të drejtë ishte klasifikuar ndër më të mirat në Shqipëri.

Fillimisht u ndërtua uzina e petëzimit me asistencën teknike të disa specialistëve kinezë. Me anë të ngrohjes në furra, kallëpet e çelikut (lingota) kalonin në një sistem rulash, ku holloheshin dhe u jepej forma e kërkuar e në këtë mënyrë përftoheshin shufra dhe disa profile te thjeshta metalike për nevojat kryesisht të ndërtimit.

Pas viteve ’70 të shekullit të kaluar, u ndërmorën hapa të mëtejshëm në drejtim të shtimit të numrit të uzinave të reja që do të ndërtoheshin duke i dhënë kësaj fushe trajtën e një kompleksi siderurgjik.

Në vitet që do të pasonin, u ndërtuan: Uzina e gizës (furrënalta), Uzina e koksit, Uzina Nr.12, uzina e çelikut, Fonderia e gizës dhe Fonderia e çelikut, Uzina e karbonit, Fabrika e oksigjenit, Ndërmarrja e transportit, Uzina e nikel-kobaltit, Reparti i avolxhimit, disa laboratore etj. etj., që të gjitha të ardhura nga Kina. Këto uzina u ndërtuan në një sipërfaqe prej 160 hektarë dhe numri i personelit inxhiniero-teknik arriti në afro 12.000 vetë. Po kështu nga Kina erdhën qindra specialistë të tjerë, të cilët ishin drejtues teknikë të ndërtim-montimit, por edhe të shfrytëzimit, që kryesisht trajnonin punëtorët dhe inxhinierët tanë.

metalurgjiku
Kombinati Metalurgjik

Arsyet pse u zgjodh fusha e Bradasheshit pranë Elbasanit për këtë Kombinat, thuhet se kishin të bënin me afërsinë me portin e Durrësit, rrjeti hekurudhor i afërt dhe potenciali njerëzor që ofronte qyteti për punëtorë. Mirëpo, për aq shumë punëtorë sa kërkonte ky kombinat, u desh që të kërkoheshin edhe të tjerë nga gjithë vendi dhe fshatrat përreth Elbasanit. Kjo gjendje e re solli probleme sociale, pasi Elbasani me vështirësi përballonte shtimin natyral demografik dhe nuk i kishte mundësitë për strehim dhe ushqim që kërkonin të ardhurit.

Për nevojat e këtij Kombinati në brendësi të tij ishin ngritur disa mensa për punëtorët, si dhe funksiononte një qendër e thjeshtë shëndetësore, stacioni i policisë, komiteti i partisë etj. I gjithë perimetri i kombinatit ishte i rrethuar me tela me gjemba, ishin ngritur kulla vrojtimi në çdo 100-200 metra, ku vrojtonin ushtarë të armatosur.

Është për t’u theksuar se kurrë nuk u arrit që furrënaltat tona të punonin me mineral vendi, pavarsisht punës së admirueshme të inxhinierëve dhe punëtorëve tanë, të cilët shpesh u prekën nga sëmundjet profesionale. Nuk kemi statistika të sakta për humbjet njerëzore, por dihet mirëfilli se shumë inxhinierë dhe punëtorë humbën jetën gjatë ndërtim-montimit dhe shfrytëzimit në këtë “kuçedër”, që jo rastësisht u quajt edhe “metalurgjia e zezë”. Asnjëherë nuk u fol për ata fatzinj, asnjë trajtim moral, financiar apo përfitim për familjet e tyre.

Shenjat e para të kolapsit, Kombinati i dha vetëm pak vite pasi ndihmat kineze u ndërprenë dhe specialistët e tyre u larguan pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, në verën e vitit 1978.

Të dhëna teknike: Sipërfaqja e ndërtimit: 160 hektarë (16,000,000 m2). Rrjeti i brendshëm hekurudhor: afërsisht 50 km. Rrjeti i brendshëm i rrugëve automobilistike: afërsisht 25 km. U ndërtuan 520 objekte të ndryshme. U hodhën, nën tokë dhe mbi tokë, rreth 1 milion m3 beton i thjeshtë dhe beton i përforcuar me hekur. U montuan qindra mijëra ton konstruksione, makineri dhe agregate metalike.

Pas vitit 1990 Kombinati Metalurgjik u “dorëzua” me bilanc tejet tragjik, pasi shteti nuk mund ta mbështeste më me investime për shkak të humbjeve. Njëra pas tjetrës, uzinat e ndërprenë punën dhe i zbuan punëtorët, duke u dhënë pagesa kalimtare apo pagesa 80% pa punuar, deri në njëfarë afati. Tek-tuk ndonjë uzinë apo repart vazhdoi të mbijetojë edhe për pak kohë, por edhe ata shpejt shpallën falimentin.

Aktualisht, aty punojnë vetëm uzina e çelikut dhe dy-tre reparte në varësi të kësaj uzine, që administrohen nga kompania turke “KURUM”. Po kështu, disa mjedise të këtij kombinati janë përshtatur nga firma dhe kompani shqiptare e të huaja, që merren me aktivitete private, por që vetëm pak prej tyre kanë lidhje me zanafillën e Kombinatit.

Në përfundim, ky investim shumë i madh siç ishte Kombinati Metalurgjik, rezultoi një katastrofë e vërtetë ekonomike, njerëzore dhe mjedisore (tokë, ajër, ujë). Kombinati, ky teatër absurd ngrehinash të përçudnuara, ishte maja e marrëzisë ekonomike të kohës, pasi arsyet e ndërtimit të tij më së shumti ishin ideologjike dhe kishin të bënin me vetëizolimin tonë, nën ndikimin dehës të dogmave komuniste mbi gjoja “fanar ndriçues”, “ndërtojmë socializmin me forcat tona”, “epërsia e sistemit socialist mbi atë kapitalist”, “çlirimi i dytë i Shqipërisë” e të tjera broçkulla të neveritshme.

Të endesh sot nëpër hapësirat e frikshme të këtij Kombinati, të duket vetja sikur je në një planet tjetër. Konture godinash të hallakatura, kulla gjithëfarësh të frikshme e të nxira, që ngrihen përpjetë e duken sikur duan të kafshojnë qiellin, gërmadha të zymta, ndërtesa gjysëm të rrënuara, karkasa betoni që të rrëqethin mishin dhe kutërbimi i rëndë i tokës së infektuar që ruhet ende, plotësojnë këtë panoramë të trishtë, groteske dhe surealiste.

Falënderoj Z. Kozma Biba për ndihmën.

b_dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Korrik, 2020

RSS
Ndiq me Email
Share