//

Xhet Bebeti (1900 – 1939)

emi mësuar, që kur përmenden krijuesit e kangës qytetare elbasanase, përnjëherësh na shkon mendja te Isuf Myzyri, Mustafa Bodini dhe Aleksandër Josifi (Leksi i Vinit). Shumë bukur deri këtu. Mirëpo, nuk dihet pse lihet në heshtje një tjetër krijues poaq fantastik sa të përmendurit e mësipërm. Ky është Xhet Bebeti (llagapi fillestar i familjes së tij ka qenë “Çibukçiu”).

381 pamje
7 minuta lexim

Jemi mësuar, që kur përmenden krijuesit e kangës qytetare elbasanase, përnjëherësh na shkon mendja te Isuf Myzyri, Mustafa Bodini dhe Aleksandër Josifi (Leksi i Vinit). Shumë bukur deri këtu.

Mirëpo, nuk dihet pse lihet në heshtje një tjetër krijues poaq fantastik sa të përmendurit e mësipërm. Ky është Xhet Bebeti (llagapi fillestar i familjes së tij ka qenë “Çibukçiu”).

Xhet Bebeti fatkeqsisht pati jetë të shkurtër, vetëm 39 vjet. Ai la pas tre fëmijë, dy goca dhe një djalë (i cili në moshën 5-vjeçare humbi jetën prej një aksidenti automobilistik nga një kamion gjerman gjatë Luftës II Botërore). Njëra nga vajzat pati probleme shëndetsore dhe nuk u martua, ndërsa vajza tjetër e tij jeton ende në Tiranë, por në moshë tepër të thyer. Mendohet se kjo e fundit ruan dorëshkrimet e kangëve të të atit).

Xhet Bebeti ka punuar nëpunës i Prefekturës Elbasan, si dhe ishte instrumentist i violinës. Një vëlla i tij, i quajtur Musa Bebeti, instrumentist i mandollës, ishte pjesëtar i njërës prej orkestrinave të Isuf Myzyrit. (Duhet thënë se shumë interpretues, studiues apo amatorë të kangës qytetare elbasanase, e ngatërrojnë krijimtarinë muzikore të Xhet Bebetit, sikur ato kangë i ka krijuar nipi i tij i quajtur Sabri Musa Bebeti, i cili pas Luftës ka punuar ushtarak, si dhe nuk ka krijuar asnjë kangë dhe as ka pasur dhunti për t’i kënduar ato).

Në bisedë me një nipin e tij të quajtur Hasan Bebeti, marr vesh se Xhet Bebeti ka lënë një dorëshkrim me afro 40 kangë qytetare elbasanase, prej të cilave, ai më sqaroi se janë krijime të tij edhe kangët:

1. Kur del Dili prej mejtepi. (e ka lâné çantén ke Xhet Bebeti) ….

2. Fustani me pika.

3. Unë ty të kam dasht’. etj.

Dy vëllezër të tjerë të Xhet Bebetit, Hasani dhe Abedini, punonin privat në një dyqan për riparime mekanike, fare pranë Portës së Kalasë në Elbasan. Xhet Bebeti i ri shkonte shpesh te dyqani i vëllezërve dhe prej aty shihte një vajzë të re e quajtur Dili D. që kalonte Portës së Kalasë për të shkuar në shkollë dhe kur kthehej në shtëpi. Prej njohjeve dhe mirëbesimit që kishte krijuar, herë pas here Dili e linte çantën e librave në dyqanin e vëllezërve Bebeti. Aty e njohu Xheti këtë vajzë dhe u marros pas saj. Ishte një dashuri që erdhi papritur, vetvetiu, siç i thonë “me shikim të parë”, një si vetëtimë zemre apo … kush e di ç’ndodh në brendinë tonë. Ai u dashurua me Dilin vetëm me shikim, nuk arriti t’i shprehë asaj asgjë, as folën dhe as u takuan, ndonëse disa herë Xheti i dërgonte Dilit letra dashurie me një nipin e tij të mitur, i cili ishte shok me vëllanë e Dilit. Kur Dili u martua me një djalë tjetër të familjes B, Xhet Bebeti thuri kangën e tij më mallëngjyese:

“Uné ty o té kam dasht-e ije

Prej sé vogli e fémi,

S’té vjen keq-e ije, me mé lané ije, (2)

E té marrish, hajde, tjetér njeri.

Syté e mi, moj, s’po i shikjon-e ije,

qajn’ e rrjedhin si burim

o moj zemér-ije- e shum’ duroke ije, (2)

e digju’, digju’ hajde mre shpirt’i im.

Djelménin’ ti ma helmove ije.

me zeherr’n e dashunisé,

té gjithé bota-ije m’bâjn té marré-ije, (2)

qi s’hjek dor’e hajde prej ashiknisé.

Edhe shpirti s’po m’qetsohet-ije

nga idhnimi qi m’ka gjet’

dhe kjo vjersh-e ije, po t’kushtohet-ije (2)

pér kujtimin tat, o moj ka me mbet’ ”.

Duhet theksuar, se kjo kangë e Xhet Bebetit është përzgjedhur nga Pjetër Dungu (1908–1989) dhe botuar prej tij si kangë elbasanase (pa e përmendur autorin) te “Lyra shqiptare” – Kangë popullore të mbledhuna nën kujdesin e radio – Tiranës, shtypur në vitin 1940, Novara, Italia.

Falënderoj mikun tim të fëmijërisë Hasan Bebeti, i cili më ofroi të dhënat e mësipërme.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Prill 2023

RSS
Ndiq me Email
Share