//

IBRAHIM HASNAJ (1912 – 1995)

Fisniku tiranas që si askush tjetër, ka lënë shënime nga takimet dhe njohjet e drejtpërdrejta me krijuesin e kangëve qytetare elbasanase, Isuf Myzyrin. Hasnaj asht i vetmi personalitet, që siç e theksova, e ka njohur, ka biseduar dhe ka kënduar bashkë me Myzyrin, me të cilin njihet për herë të parë në muajin Korrik 1936.

126 pamje
6 minuta lexim

Fisniku tiranas që si askush tjetër, ka lënë shënime nga takimet dhe njohjet e drejtpërdrejta me krijuesin e kangëve qytetare elbasanase, Isuf Myzyrin. Hasnaj asht i vetmi personalitet, që siç e theksova, e ka njohur, ka biseduar dhe ka kënduar bashkë me Myzyrin, me të cilin njihet për herë të parë në muajin Korrik 1936.

Hasnaj nisej nga Tirana me dy miq të tij, hipur mbi kafshë transporti dhe pasi përshkonin malësinë e Krrabës për afro 10 orë, mbërrinin në hotelin e Stringës, që ndodhej në Llixhat kurative të Elbasanit. Më pas, atje takoheshin me Myzyrin.

Fatmirësisht, Ibrahim Hasnaj ka lënë edhe një libër të thjeshtë me disa kangë të Myzyrit, shpjegimet dhe përjetimet e tij gjatë bisedave me të, si dhe fjalorth të shkurtër të huazimeve që ndeshen në tekstet e kangëve të Myzyrit.

Mjerisht, asnjë elbasanas bashkëkohës me Myzyrin, nuk ka lënë shënime apo ndonjë libër për të, ashtu siç ka vepruar Hasnaj.

IBRAHIM HASNAJ

Kam pasur rastin të lexoj diçka nga autorët elbasanas për Myzyrin, por nuk gjej aty të dhëna, shpjegime, argumente, analiza etj. të krijimeve të tij, të përjetimeve, dijeve, sensit emocional apo asaj botës së vockël të brendshme të mistikut Myzyri. Pra, asnjë studim të mirëfilltë nga specialistët e muzikës.

Në ata pak shënime të autorëve elbasanas për Myzyrin, ka plot përshkrime të llojit ‘hartime’, si dhe një lloj vetëmburrje për bagazhin e tyre leksiko-enciklopedik.

Në Elbasanin e sotëm, për Myzyrin, qarkullojnë vetëm disa rrëfenja mbi jetën, krijimtarinë, apo episode të ndryshme të përditshmërisë së tij. Asgjë tjetër.

“… Tirana sikur i pëlqente shumë Jusuf Myzyrit. Ai kishte formue bindje të plotë në vehvete se tiranasit e respektonin dhe e pritnin me ngrohtësi të madhe, dhe në të vërtetë kështu ishte.

Vjershëtorin elbasanas kurdo që e mbërthente ndonji mërzitje apo dëshpërim, i drejtohej kryeqytetit duke ndej si bujtës, përderisa të ishte qetësue dhe të kishte fitue nji ambient t’atillë që ia hiqte në çast brengën e shqetësimin.

Tiranasit, usta Jusufin e donin, e çmonin deri në atë pikë, sa që ky humbiste në nji atmosferë gazi dhe kënaqësi të plotë. Asht për t’u çuditun – e bile për të ardhun keq – që në Elbasanin e tij nuk gjente atë qetësi dhe ngoftësi shpirtnore, që kërkonte heraherë, kur pesha e jetës randonte ma tepër mbi të.

Takimet e mija me usta Jusufin u banë të shpeshta. Ma tepër takoheshim në Tiranë dhe rrallë e tek në Elbasan. Miqësija dhe dashunija jonë sa vinte e shtohej. Unë nisa të njof ke Jusuf Myzyri principet kryesore që ruente ai në jetë dhe bile – me kalimin e kohës – nisa të zbuloj sentimentet e tij ma të holla rreth jetës e shoqnisë njerëzore.

Jusuf Myzyri ishte nji njeri i urtë me plot kuptimin e fjalës e mbi të gjitha e pasunonte nji edukatë me të vërtetë për t’u admirue. Ai kishte njohuni rreth mjaft problemeve filozofike të jetës, që kishte fitue veçse me vëmendjen, heshtjen dhe urtësinë që e karakterizonte …”.

Ibrahim Hasnaj, Tiranë, shtator 1970

[referuar, Ibrahim Hasnaj “Jusuf Myzyri – Nji lule e bukur”, Shtëpia Botuese “Argeta” (LMG), Tiranë, 2003]

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Gusht 2024

RSS
Ndiq me Email
Share