Duhet theksuar se nuk ka dokumente të besueshme për jetën urbane në këtë qytet para pushtimit romak. Këta të fundit, ngritën kështjellën ku u strehua një legjion i tyre, i cili kishte qëllim sigurimin e lëvizjeve në udhën tokësore Egnatia. Shumë vite më pas, mori formë edhe qyteti, brenda dhe jashtë kësaj fortese. Mendohet se kjo ngjau në shek. II e.s.
Nga burimet historike, qyteti përmendet për herë të parë nga gjeografi aleksandrin Ptolemeu, në Shek. II e.s. në formën Skampies (scamp-ies). Mbi tabelën (hartë – rrugore) të Peutingerit, qyteti shkruhet si: Skampia (scamp-ia), në itinerarin (udhëpërshkrimin) e Antoninit shkruhet në dy forma, Scamp-ia dhe Scamb-is. Ndërsa në itinerarin e Burdigales, shkruhet Hi-scamp-is.
Në vitin 519 e.s., në dy letra të arkivit të Vatikanit, qyteti përmendet në trajtën Scamp-inus dhe, në një rast tjetër, në trajtën Scamp-is. Në listën e fortesave të ndërtuara në Epirin e Ri të përmendura nga Prokopi i Cezaresë, emri kumtohet Skemin-ites. Edhe emri i lumit që ka qyteti, në vitin 1338 shkruhet njëlloj si emri i qytetit Skamp-inus, ndërsa Marin Barleti e shënon Skamb-inus.
Dëshmia e padiskutueshme e emrit antik të qytetit, është një gur i gdhendur me emrin e qytetit, i cili u gjet në vitin 1922, pas një tërmeti të fuqishëm. Ky gur u gjet në gërmadhat e Xhamisë së Beqarëve, të rrëzuar (që ndodhej mbi portën jugore të kalasë së Elbasanit). Ai ishte një gur i rëndë varri i legjionarit Mark Sabidi, ushtar romak, që banoi dhe u varros në Skamp. Mbishkrimin e këtij monumenti epigrafik të rëndësisë së veçantë e përkthyen dhe e interpretuan historianë dhe gjuhëtarë të ndryshëm, midis të cilëve edhe A. Betz, i cili shkroi edhe artikullin: ”Eine neue Inschrift aus Elbasan in Albanien. (1936)”. Guri i Sabidit ruhet, për fat, akoma në muzeun etnografik të Elbasanit.
Sipas studiuesve, interpretimi i tekstit është ky: “Mark Sabidius Aemilia Maximus, ushtar romak, banues në SCAMP, ka kryer shërbimin ushtarak në Moesia (Bullgaria e sotme), Siri, Palestinë, ku luftoi 3 vjet kundër Judejve në Jeruzalem, ka shërbyer në Daki (Rumani), Moesi dhe pas 40 vjet shërbimi ushtarak është kthyer në Skamp. Pas vdekjes bashkëqytetarët e tij i kanë ngritur këtë gur përkujtimor”.
Mbishkrimi është gdhendur në gjuhën latine dhe, sipas studiuesve i përket vitit 160 e.s. Pra, ky gur i gdhendur është i vetmi dokument epigrafik i emrit të qytetit tonë në antikitet.
Hamendësohet se emri SCAMP i qytetit mund të jetë formë e shkurtuar e tij. Në fundshekullin IV e.s. përmendet që aty ishte stacionuar legjioni romak “pseudocomitatenses Scampenses”. Në Shek. V e.s. Skamp-a përmendet dy herë. Në vitin 458 e.s. Artemi, peshkop i Skamp-ës citohet së bashku me peshkopë të tjerë të Epirit të Ri. Ndërsa Malhu, kur përshkruan kalimin e gotëve me në krye Teodorikun në vitin 479, përmend pushtimin e Skamp-ës, “…të cilin banorët e kishin braktisur me kohë”. Në Shek. VI e.s. në kohën e perandorit Justinian, Skamp-a figuron tek Synekdemos e Hieroklit, si: “…një qytet krahas të gjithë qyteteve të tjera të Epirit të Ri”.
Dokumentat e fundit që përmendin emrin e Skamp-ës, datohen në vitin 519 e.s. Bëhet fjalë për dy letra, në të cilat përmendet peshkopi vendas Trojus: “….për pritjen e ngrohtë që klerikët e këtij qyteti i bënë të deleguarit të Papës së Romës, Hormisdas, në Katedralen e Shën Pjetrit”, (brenda në Kala) (?).
Ç’do të thotë, SCAMP?
Historiani i parë që bëri lidhje (?) midis emrit të lashtë të qytetit të sotëm të Elbasanit dhe fjalës shqipe “shkamb”, është studiuesi gjerman Georg fon Hahn në veprën “Studime shqiptare“ botuar në Vienë më 1853. Ai hamendëson se ka të ngjarë, që romakët e quajtën qytetin SCAMP, duke iu referuar të folmes vendore shqip për shkambin – shkëmbin e Letanit, që ndodhet në Veri të qytetit, pasi në gjuhën latine, fjala Scamp nuk ka asnjë kuptim dhe për rrjedhojë as përkthim.
Georg fon Hahn mendoi që grupi SC (në fillim të fjalës), jep tingullin SH, si dhe grupi tjetër i shurdhët MP (në fund të fjalës), jep grupin MB. (pra: SCAMP duhet lexuar SHKAMB) Disa interpretues të tjerë, mendojnë, që grupi SC vërtetë jep tingullin SH, por në grupin tjetër të shurdhët MP, përftohet vetëm tingulli B. Sipas këtyre të fundit, SCAMP duhet lexuar, SHKAB (ë) (shqiponjë). Ku i dihet …?!
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Maj 2021