Sapo kalon fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, rrugës për në Librazhd, udhëtarit i del përpara një shkëmb pothuajse me formë konike, i veshur me bimësi të shkurtër dhe shkurre të vogla. Këmbët e tij, duket sikur janë futur në ujin e lumit Shkumbin. Nuk është shumë i lartë, por tepër sugjestionues. Vendasit e njohin me emrin: Mali i Vashës! Pas tij, nis heshtur vargu i maleve të Polisit, me kryet drejt reve. Mali i Vashës ka shpat pothuajse të thiktë, këndej nga Shkumbini.
Nuk dihet pse e ka këtë emër të çuditshëm. Them të çuditshëm, sepse e folmja vendore e sotme, gegërishtja jugore, nuk e njeh formën vashë, për bijën. Te ne thuhet, gocë. Etimologët dhe studiuesit e gjuhësisë historike mund ta dallojnë më mirë këtë gjë.
Nga thellësia e shekujve të zhytur n’harrim, ka mbërritur deri te ne legjenda e këtij toponimi, që na le ende të shtangur, jo vetëm për ngjarjen, por edhe për emërtesën, vasha, vashës. Sipas legjendës – në të vërtetë ekzistojnë disa të tilla, por me subjekt të njëjtë – një djalë i ri, i pashëm dhe i fuqishëm, ra në dashuri me vashën si nimfë, të fisnikut të zonës. Ishte nga ato dashuritë me shikim të parë, e zjarrtë, ku logjika dhe llogaritë nuk marrin pjesë fare, ishte një shndritje e syve e dy të rinjve, që i dha formë të përjetshme pasionit të çastit dhe, mjerisht, i dha emër atij shkëmbi, atij mali.
Mirëpo, djaloshi ynë i përkiste një rendi shoqëror më të ulët se ai i vashës dhe prindërit e saj nuk e miratuan këtë dashuri. Vasha këmbënguli: O dua atë djalë, o hiç! … dhe u betua se, atë dhe djalin, tashmë vetëm vdekja mund t’i ndante!!!
Ahere, prindërit e vashës vendosën që të rinjtë të martoheshin, por me një kusht. Një kusht i rëndë, një provë e vështirë, një testim mbijetese. Djaloshi duhej t’i ngjitej malit në formë koni, në këmbë dhe me vashën mbi shpinë. Rruga që duhej të bënte ishte e gjatë dhe cfilitëse. Pa mëdyshje, djaloshi mori vashën në krahë dhe u nis. Disa qindra metra të para, ai i bëri plot hare, por nga mesi i rrugës sytë po i errësoheshin, djersët i kullonin në të gjithë trupin dhe fryma po i merrej. Vazhdoi me çapa të ngadaltë dhe i vendosur që nuk do të dorëzohej, sepse atje, në majë të malit, ishte dashuria e tij, fati i tij, jeta e tij. Pa këto, ç’kuptim kishte të jetonte?!
Mendonte këto gjëra të bukura dhe i jepte shpirtit kurajo për të vazhduar udhën në atë zheg vape vere. Vasha e përkëdhelte dhe, me fjalë të ëmbla e të buta e qetësonte. Vazhdoi djaloshi duke u dridhur, por vashën nuk e lëshonte, edhe pse askush nuk i shikonte më. Ai kishte premtuar! Kur arriti në majë… nuk shihte më, iu prenë gjunjët, u këput, ra përdhe dhe nuk u përmend. Zemra e tij kishte pushuar së rrahuri.
Klithma e vashës oshëtiu në atë grykë lumi. U përpoq ta përmendë djaloshin e saj të dashur dhe, kur nuk mori përgjigje … ajo e vendosur, që nga maja e shkëmbit u lëshua si zog në fluturim, poshtë, drejt e në humnerë. Ajo ishte betuar se, vetëm vdekja mund t’i ndajë.
Akt vetëflijimi që të rrëqeth për domethënien që përcjell te ne, pavarësisht trishtimit në përfundim. Prej kësaj ndodhie, atij shkëmbi me formë konike i mbeti emri: Mali i Vashës.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Korrik, 2020