Shkak i përsëritjes së këtij shkrimi u bënë disa postime në You Tube, në të cilin disa kangë elbasanase, hamendësohen sikur të jenë kangë beratase, tiranase etj. Natyrisht, është bukur kur kangët tona këndohen ngado, por jo të tjetërsohen dhe pastaj të përvetësohen.
Për këtë qëllim, ata ndërhyjnë në tekstet e këtyre kangëve për të shmangur elemente dalluese dhe adresuese të Elbasanit. Nga tekstet e kangëve tona hiqen emërvende, personazhe, apo elemente të veshjeve popullore, që janë karakteristike dhe përcaktojnë Elbasanin.
Është veçori e krijuesve tanë, kryesisht me frymëzim sufist (bektashinjtë etj), që në tekstet e tyre thuajse të koduara, “do ta lënë patjetër një shenjë” që lidhet me qytetin. Jo të gjithë i kuptojnë ato shenja.
Pra: Në një postim të tillë thuhet se Kanga e Behijes, të jetë kangë e vjetër beratase. Postimi i përket datë 31 Tetor 2009 dhe është realizuar nga miku im i nderuar, Ajet Nallbani.
Ja, ç’më tregoi për historinë e kangës së Behijes më datë 28 Korrik 2021 i nderuari Naim Kacollja, pothuajse 80-vjeçar, bashkëqytetar yni, ish-berber dhe pasionant i kangës qytetare elbasanase.
“Kjo jo vetëm që nuk âsht e vërtetë, por âsht ene qesharake. Unë nuk e di cili âsht autori i kangës së Behijes, por kanga âsht krijuar gjatë periudhës së Monarkisë dhe i kushtohet një goce të re dhe shumë të bukur, e quajtur Behije S. qi banonte pranë Pusit që Lahet Vetë, në Elbasan. Behija ishte vetëm 14-15 vjeçe dhe me të u dashurua marrëzisht një ushtarak i kohës, i quejtun Dine beu (?), i cili kishte ardh’ me shërbim n’Elbasan. Behija nuk donte absolutisht të martohej me të. Mirëpo, Dine beu arriti t’ia mbushë mendjen atit të saj, që ne e thërritnim, daj Liçi (Ali S.), i cili atbotë ishte në vështirësi ekonomike. Dhe kështu, një ditë Dine beu shkon në shtëpinë e tyre për të kërku’ dorën e Behijes. Në nji moment ai ngrihet ta takojë apo përqafojë Behijen. Ajo çohet vetëtimthi dhe del në kopsht duke kërcyer nga dritarja. Dine beu u ndje i turpnuem dhe nxurr’ koburen e shtiu mbi Behijen, e cila mbeti e plagosun midis luleve. Prej plagëve të marra, Behija jetoi vetëm pak muaj”. (Kërkoj ndjesë dhe mirëkuptimin e familjarëve të Behijes për këtë përmendje të tyre). (Madje, një nga vëllezërit e Behijes, e ka përkujtuar atë dhe emrin e saj ia ka vënë njërës prej vajzave të tij).
Po kështu veprohet edhe me kangën ”Fustani me pika”, e cila është postuar më datë 14 Nëntor 2009 sikur të jetë kangë beratase.
Kanga e mësipërme “Fustani me pika” është një elegji muzikore dhe i kushtohet Zenepe D, familjarët e të cilës unë i kam ende fqinj. Ajo vdiq fare e re si pasojë e një sëmundjeje, ndërkohë që ishte ishte nxënëse. Të dyja kangët e mësipërme (ndoshta mund të ketë edhe të tjera) nuk i përkasin tipologjisë së kangës qytetare beratase.
Madje, nëse analizohen teksti i kësaj kange (Nepit), veç të tjerave, vihet re se shkurtesat e emrave personalë, Nepi (Zenepe), nuk përdoren në të folmen vendore të Beratit, por në atë elbasanase. Njëjtë veprohet edhe me kangën “Mu ke guri qi ban xixa”, e cila është postuar më datë 19 Prill 2010 dhe thuhet të jetë kangë beratase.
Unë e kam postuar më herët këtë kundërshtim mbi këtë kangë, dhe kam saktësuar se në strofën e fundit të saj thuhet: “O ke xhamija kam lânë peshqirin, sa me lot po qan Tahiri. O mu ke porta lash’ këpucët, ke Tri Urat u ni zâni pushkës”. Kushdo e ka të qartë se vendi “Tri Urat” (pranë xhamisë së Pashës) ndodhet në qendër të Elbasanit.
Strofat e tjera të kësaj kange, si: “Po na vjen karaj me dru”, janë veç shtesa artificiale për të shmangur krijuesin e saj të vërtetë, si dhe qytetin e Elbasanit.
Në një postim tjetër në You Tube, i datës 12 Qershor 2019, kangëtari tiranas dhe mjaft i njohur Rik Buneci, e këndon kangën e Nepit (Fustani me pika), sikur të jetë kangë e krijuesve tiranas. Jo vetëm kaq, por ai gjatë këndimit thotë “do ta knoj original” dhe në të kundërt fut fjalë, shprehje apo strofa që nuk janë origjinale. (N’rrug’ të Elbasanit paska ra rrufeja….) është sajesë e shpifur.
Pjesë e tekstit original të kesaj kange është edhe “do ta çojmë ke vorri i baçit” dhe jo “do ta çojmë ke vorri i Bomit”, siç e këndon Rik Buneci. Dua ta saktësoj se “baçi” përdoret në të folmen elbasanase, për të cilësuar “gjyshin”. Elbasanasit nuk e kanë përdorur termin “gjysh”, por “hajde ke baçi”. Në Tiranë nuk e kam hasur të përdoret ky term. Me qëllim është zhdukur strofa: “Vorri prej mermeri/kapaku prej florini. Kush të qan ma shumë moj Nepi/ Nashifer Sejdini”. E pra, nipërit dhe mbesat e Nepit D. dhe Nashifer Sejdinit jetojnë ende sot në Elbasan.
Në një postim tjetër në You Tube, i datës 12 Qershor 2021, kangëtari tiranas dhe miku im Mondidantes, poston kangën “Qeke veshur me të bardha”, sikur të jetë kangë e krijuesit tiranas, Muharrem Gurra. Unë nuk e di realisht cili është krijuesi i kësaj kange dhe kam komunikuar me Mondin. Ai më tha se padiskutim që është kangë e mjeshtrit Muharrem Gurra. (?)
Mund të jem gabim, por nga analiza që i bëj tekstit dhe konkretisht “hajde ‘ja ke lala” nuk i përket të folmes vendore të banorëve autoktonë tiranas, por atyre elbasanas. (Madje, unë vetë i kam pas thënë tim eti, “lale” dhe kur isha i vogël ai më thërriste “hajde ‘ja ke lala”). Tiranasit vendalinj thonë “hajde ‘ja ke tata”.
Theksoj me shumë dashamirësi që Mondi është ndër të rrallët kangëtarë joelbasanas, që këndon me tekste origjinale dhe e cilëson krijuesin e kangëve që këndon. Unë i çmoj të gjithë krijuesit shqiptarë të kangëve të traditës dhe, rrjedhimisht edhe ata tiranas, me të madhin Muharrem Gurra. Po ashtu mendoj që është e pahijshme sikur një kangëtar elbasanas të këndojë kangë të tij dhe të thotë që janë kangë elbasanase…
Për kureshtje ju tregoj se nga bisedat që kam bërë me miq të tij, dikur Usta Isuf Myzyrit i dërguan 4-5 kangëtarë interpretues të kangëve të tij nga Elbasani dhe Tirana. Ai pasi i dëgjoi me shumë vëmendje të gjithë, tha se vetëm Cakja (Hafsa Zyberi) nga Tirana, mund t’i këndojë kangët e tij. (!)
Në përfundim, unë nuk jam avokat dhe mbrojtës i krijimtarisë muzikore të qytetit tim, por mendoj që e drejta duhet të vendoset me dinjitet në vendin e vet, sepse nuk ndërtohen identitete mbi platforma mohimi, asgjësimi dhe përvetësimi të kulturës shpirtërore të të tjerëve. Ne duhet të jemi të përbashkuar, por me veçantitë tona.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Korrik 2021