Ashtu siç ishte parashikuar në Kongresin e Elbasanit (Shtator 1909), që në vitin e parë akademik në Normalen e Elbasanit (Dhjetor 1909) u regjistruan 150 nxënës nga të katër Vilajetet shqiptare, prej të cilëve 71 ishin konviktorë. Mësimet për ta ishin falas, ndërsa konvikti ishte me dhe pa pagesë. Kongresi i Elbasanit kishte parashikuar që 10 nxënësve konviktorë më të vobektë, shpenzimet e konviktit do t’ua paguante shoqëria “Përparimi” e Elbasanit.
Nuk qe fare e lehtë udha e kësaj shkolle për shkak të kundërshtive të ndryshme, mendësisë së kohës, por edhe pushtetit osman. Dihet se osmanët e “miratuan” çeljen e kësaj shkolle, por ata ishin mjaft të vëmendshëm dhe të shqetësuar për laicitetin e saj, pasi kjo shkollë i shmangte mësimet fetare islame. Madje, të trembur nga ndonjë trazirë e mundshme, ata e përforcuan edhe garnizonin ushtarak të kalasë së Elbasanit me ushtarë dhe oficerë të tjerë.
Mendohet se të nxitur prej tyre ose si pasojë e fanatizmit fetar, rol të keq luajtën Arif Hiqmeti, mulla Shabani, si dhe myftiu i Manastirit, të cilët u thonin prindërve të nxënësve se “po i dërgonin fëmijët në shkollat e kaurrve, ku do t’u prishet feja”. Më pas këtyre dogmatikëve fanatikë iu kundërvu dhe ata u demaskuan nga gazeta patriotike “Shqypeja e Shqypënisë”.
Për herë të parë, Normalja mblodhi nxënës nga të gjitha krahinat shqiptare dhe, pa dallim feje. Mësimi kishte karakter vetëm didaktik dhe patriotik, kundër ndikimeve të propagandave të huaja dhe atyre me karakter fetar, … për të shkulur “frymën mendore turke, greke, sllave, austriake, italiane dhe fanatismën e fesë”.
Pak muaj më pas dhe pikërisht në muajin prill 1910, gazeta “Lidhja Orthodokse” e përshëndeti me gjallëri Normalen e Elbasanit, ku ndër të tjera shkruante se kjo shkollë përparonte “fort bukur”. Po ashtu, gazeta “Shqypeja e Shqypënisë” nën titullin “Kërthiza e Shqypënisë asht qyteti Elbasan” shkruan se, “na kemi për kryeqytet qytetin Elbasan, por jo për fron të ndonjë mbreti, krali dhe princi, po fron për qytetnimin e kombit shqypëtar”.
Literaturë: “Shkolla Normale e Elbasanit”, Prof. Dr. Hysni Myzyri, Tiranë 2004
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Prill 2022