/

Gavril Santo (Elbasan 1915 – Tiranë 1992)

Ajo që më intereson është se ai ishte një student i Normales së Elbasanit, i cili punësohet më pas mësues në Ersekë, Dibër, Kërçovë, Gostivar dhe, pas Luftës 2B, mësues në Elbasan, instrumentist i violinës në Liceun Artistik dhe më pas në Falarmoninë e Shtetit në Tiranë, botues i disa artikujve studimorë mbi arsimin, bashkëpunëtor në revistat “Normalisti”, “Shkolla shqiptare”, “Arsimi popullor”, “Mësuesi“ etj.

589 pamje
3 minuta lexim

“Mësues i merituar”

Në librin “Mirënjohje për mësuesit e nderuar të qytetit tim” (të cilin mua ma ka dhuruar autori Sami Domni – i ndjeri) janë dhënë jetëshkrimet dhe puna e 115 mësuesve elbasanas që gëzojnë titujt “Mësues i Popullit” dhe “Mësues i merituar”. I respektoj që të gjithë.

Mirëpo, qyteti im është mbushur me emra personash, të cilët bartin tituj dhe grada shkencore (rrugë, shkolla, institucione etj), që të them të drejtën për disa nuk kam dijeni se ç’kanë bërë dhe nuk e di se kujt i vlejnë. Ndoshta shpejtohem në këtë përfundim, por nuk jam fare ziliqar, sepse parimi im është ky:

Ç’kanë bërë në dobi të qytetit dhe vendit, përtej punës për të cilën janë paguar?

Megjithatë, në librin e sipërpërmendur janë disa mësues, që unë i di se kanë shumë prodhimtari në fushën e arsimit dhe njëri prej tyre është Gavril Santo. Nuk po e zgjas me arsimimin dhe punësimin e tij. Ajo që më intereson është se ai ishte një student i Normales së Elbasanit, i cili punësohet më pas mësues në Ersekë, Dibër, Kërçovë, Gostivar dhe, pas Luftës 2B, mësues në Elbasan, instrumentist i violinës në Liceun Artistik dhe më pas në Falarmoninë e Shtetit në Tiranë, botues i disa artikujve studimorë mbi arsimin, bashkëpunëtor në revistat “Normalisti”, “Shkolla shqiptare”, “Arsimi popullor”, “Mësuesi“ etj. etj.

Por, e veçanta e mësuesit dhe studiuesit Gavril Santo është se në vitin 1936, në mungesë të disa teksteve shkollore (Dituri natyre), ai merr përsipër privatisht dhe përkthen nga frëngjishtja librin “Bota e kafshëve” të autorit Fanny Faifofer.

I gjithë ky përkthim është shkruar me dorë dhe me bukurshkrim që të çudit edhe sot. Më pas, Gavrili ua diktonte nxënësve përmbajtjen e këtij libri temë pas teme.

Unë nuk kam hasur një mësues të tillë deri më sot.

(Falënderoj mikun tim Jorgji Santo, i cili më ofroi materialin ndihmës)

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Mars 2023

RSS
Ndiq me Email
Share