/

Alfabeti i Elbasanit

Në studimin e R. Elsie mbi këta alfabete, ai rendit alfabetin e Gregorit të Durrësit, alfabetin e Theodor Haxhifilipit elbasanas (i njohur si Dhaskal Todri), alfabetin e Jani Vellarës, si dhe disa të tjerë më të vegjël: alfabeti i papa Totasit elbasanas, alfabeti i Vezo beut, alfabeti i Kostantinit të Beratit etj. Të gjithë këta alfabetë, ishin përzierje me shkronja greke, latine, cirilike sllave, arabe, shenja ose simbole të veçanta të stilizuara dhe të përzgjedhura nga vetë hartuesit e tyre.

146 pamje
6 minuta lexim

Siç e vëren edhe studiuesi Robert Elsie (1950 – 2017) në qindvjetëshin nga 1750 e deri në 1850 gjuha shqipe shkruhej me 10 alfabete të ndryshëm. Një çudi gjuhësore kjo, por duhen marrë parasysh kushtet historike të kohës.

Në studimin e R. Elsie mbi këta alfabete, ai rendit alfabetin e Gregorit të Durrësit, alfabetin e Theodor Haxhifilipit elbasanas (i njohur si Dhaskal Todri), alfabetin e Jani Vellarës, si dhe disa të tjerë më të vegjël: alfabeti i papa Totasit elbasanas, alfabeti i Vezo beut, alfabeti i Kostantinit të Beratit etj. Të gjithë këta alfabetë, ishin përzierje me shkronja greke, latine, cirilike sllave, arabe, shenja ose simbole të veçanta të stilizuara dhe të përzgjedhura nga vetë hartuesit e tyre.

Por, ajo që na intereson më shumë janë alfabetet e hartuar në Elbasan, të përmendur edhe nga studiuesi i mësipërm, pra alfabeti i Todrit dhe i papa Totasit. Megjithatë, duhet thënë se në Elbasan përpjekjet për të shkruar shqip, por me alfabet arab kishin nisur më herët nga bejtexhinjtë elbasanas, si: Mustafa Urupi, Sulejman Pasha dhe Ibrahim Elbasani, të cilët hamendësohet të kenë përdorur alfabetin arab që në gjysmën e parë të shek. XVIII. (Këta bejtexhinj elbasanas përmenden edhe nga gazetari italian E. Rossi në “Rivista degli studi orientali”, me titull “Notizie sul un manoscritto del canzoniere Nazim” (Frakulla?), fq. 223 – 225, Roma 1946). (Referuar: “Lufta e popullit të Elbasanit për gjuhën dhe shkollën shqipe”, autor Besim Qorri, fq. 14, shtypur në Shtëpinë Botuese “Sejko”, Elbasan 2000).

Alfabeti i Elbasanit

Interesant paraqitet edhe një shkresë shqip me alfabetin e Elbasanit e shek. XVII, e gjetur nga Aleksandër Novik te shqiptarët që banojnë në Ukrainë.

Alfabeti në foton poshtë (Alfabeti i Elbasanit me 40 shkronja) nuk dihet saktë i kujt është, pasi mendohet që Todri shpiku vetë një alfabet me 57 shkronja (!), për të cilat synoi të krijojë një shtypshkronjë dhe derdhi në plumb shkronjat e duhura, në një vend europian (nuk dihet saktë vendi). Ai nuk arriti dot ta realizojë andrrën e tij, sepse u vra rrugës së kthimit nga armiqtë e gjuhës shqipe. (subjekt i filmit artistik “Udha e shkronjave”, prodhim i vitit 1978 nga R.T.V. Shqiptar).

Ndërsa, për alfabetin e papa Totasit thuhet se ka qenë më i shkurtër ose me më pak shkronja.

Më herët këtyre ka pasur përpjekje për hartimin e alfabetit shqip edhe nga papa Partheni ose Anonimi i Elbasanit. Sidoqoftë, ekziston një paqartësi me emrat e këtyre elbasanasve që u morën me përgatitjen e një alfabeti shqip.

Të mos harrojmë se përpjekjet e elbasanasve për hartimin e një alfabeti shqip bëheshin më shumë se 50 vjet përpara Kongresit të Manastirit (14 nëntor – 22 nëntor 1908), prej të cilit u vendos njësimi përfundimtar i alfabetit që përdorim sot.

Pra, Elbasani ka hisen e vet të lavdisë në përpjekjet për hartimin dhe përdorimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, pavarësisht nga sasia e shkronjave ose përdorimin e disa të tillave të huaja.

Ky alfabet – të cilin studiuesi gjerman Johann Georg von Hahn (1811 – 1869), që vizitoi Elbasanin në vitin 1849, e konsideroi “pellazgjik” – u përdor disa kohë nga tregtarët elbasanas dhe “përmbi 50 veta e shkruanin shqipen me alfabetin e Todrit në këtë kohë”. (“Lufta e popullit të Elbasanit për gjuhën dhe shkollën shqipe”, autor Besim Qorri, fq. 27, shtypur në Shtëpinë Botuese “Sejko”, Elbasan 2000).

(Falënderoj mikun tim Ismail Besim Qorri që më ka dhuruar këtë libër)

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shkurt 2023

RSS
Ndiq me Email
Share