//

“VENDI I MIRË” NË KRASTË

Krasta është një kodër relativisht e vogël që ndodhet në lindje të Elbasanit. Çuditërisht, ndoshta që nga Zanafilla, ajo është ngulur mu në mes të shtratit të lumit Shkumbin dhe qendron aty si një barrikadë ndaj suferinës së ftohtë, e cila vjen që nga Lindja dhe gjatë dimrit i sulet pa mëshirë qytetit. Këtë cingërimë të ftohtë dimërore ne e quajmë gabimisht “era e Krastës”.

159 pamje
5 minuta lexim

Krasta është një kodër relativisht e vogël që ndodhet në lindje të Elbasanit. Çuditërisht, ndoshta që nga Zanafilla, ajo është ngulur mu në mes të shtratit të lumit Shkumbin dhe qendron aty si një barrikadë ndaj suferinës së ftohtë, e cila vjen që nga Lindja dhe gjatë dimrit i sulet pa mëshirë qytetit. Këtë cingërimë të ftohtë dimërore ne e quajmë gabimisht “era e Krastës”.

Rrjedha e Shkumbinit përplaset me këtë kodër kryeneçe dhe pasi ujrat e lumit dorëzohen, zënë e rrjedhin në Jug të saj për të vijuar tutje drejt detit Adriatik.

E gjitha kjo kodër e stërzgjatur ka dy kurora, të njohura nga ne, “Krasta e Madhe” dhe “Krasta e Vogël”. Ndërsa vendin ku puqet lumi me “Krastën e Vogël”, ne e quajmë “Bishti i Krastës”.

“Vendi i Mirë” në Krastë.

Afro 80 vjet më parë e gjithë kodra pothuajse shkëmbore dhe me shkurre e Krastës, u mboll me pisha, me punë vullnetare nga punonjësit e ndryshëm dhe nxënësit e qytetit. Këto pisha ende jeshilojnë atje, por me trungje të dobët, të pafuqishëm, të mpirë.

Ndoshta natyra vetë kishte llogaritur që atje të mos kishte pisha.

Që nga koha e Monarkisë, Krasta ka shërbyer si vendstrehim ushtarak.

Mu në qendër të faqes së saj perëndimore (që shihet nga Elbasani), në reliev tepër të thyer ndodhet ende një vend, i cili njihet nga ne, “Vendi i Mirë”. Njerëzia ende shkojnë atje të yshtur nga besëtytnitë e lashta, për lidhje martesore të djemve apo vajzave të tyre të pamartuar apo që, “s’po i del fati”. Procesioni i shkuarjes atje ishte i thjeshtë. Sipas gojëdhanave të vjetra, te “Vendi i Mirë” duhej lënë përgjithmon një veshje e brendshme (kryesisht kanotiere e përdorur etj) e kandidatit apo kandidates për martesë.

Unë kam qenë veç një herë për këtë qëllim, ndoshta para 40 vjetëve, kur m’u desh të shoqëroja një grua të moshuar dhe një vajzë të re (të njohura), lidhja dashurore e kësaj të fundit siç duket nuk po funksiononte mirë. Isha si të thuash, shoqërues dhe kallauz ose udhërrëfyes.

(E njihja prej kohësh këtë vend, se kur ishim të vegjël dhe humbisnim kanotieret në plazhin e Shkumbinit, në kthim ngjiteshim deri ke “Vendi i Mirë” dhe rrëmbenim ndonjë kanotiere që gjenim atje) 😊

Megjithatë, unë besoj se ky vend ka prejardhje e domethënie shumë më të vjetër se “Vend i Mirë”, i cili është term i tarikateve sufiste. Hamendësoj, që ai të ketë qenë vend adhurimi pagan, i cili si shumë të tjerë u përla më pas nga furia e monoteizmit dhe fraksioneve të tyre.

Gjithashtu, nuk e di që atje te “Vendi i Mirë” në Krastë të ketë pasur ndonjë ngrehinë, por pak më poshtë kam dëgjuar që ka qenë Tyrbja e Shutrit, e cila mbetet e pa qartë për mua se cilit sekt i përkiste ajo tyrbe, kur u ndërtua, kur u shemb etj.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Nëntor 2024

RSS
Ndiq me Email
Share