Ndodhet pranë fshatit Mirakë, përgjatë rrugës automobilistike Elbasan – Librazhd. Nuk ka datë ndërtimi dhe as cilët ishin ata që e ndërtuan, por hamendësohet të kenë qenë esnafët elbasanas që e mundësuan ngritjen e saj.
Kjo urë, përmbi ujërat e lumit Shkumbin, u lehtësonte rrugën karvaneve të krahinës së Shmilit, për t’u lidhur me udhën antike Egnatia, që vijonte pak më tej. (Polis – Babje – Spatharë … Qafë-Thanë e tutje).
Forma e saj e mrekullueshme me dritaret shkarkuese të ujit (kamaret), e bëjnë atë mjaft sugjestionuese.

Nga banorët e fshatit thuhet se, në dimrin e vitit 1945, për shkak të prurjeve ujore të mëdha të lumit Shkumbin, Ura me Kamare – njohur edhe si Ura e Haxhi Beqarit – ka ndenjur nën ujë për 40 ditë dhe nuk pësoi asnjë dëmtim.
Mbetet e pashpjegueshme teknika e përdorur. Mendohet se llaçi lidhës – i njohur te ne me emrin “qagjir” – të ketë qenë: rërë + gëlqere e stazhionuar shumë gjatë + e bardha e vezëve të pulave.
Kjo urë ende përdoret nga banorët e fshatit Mirakë, për të shkuar në fshatrat e krahinës së Polisit dhe anasjelltas. Çuditërisht janë të shumtë turistët e huaj që vijnë dhe e vizitojnë e mbesin të mahnitur, ndërkohë shumë elbasanas as që e dinë ku bie ajo. (vendi im i pëlqyer për peshkim)

Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Tetor 2020