/

SALIM CEKA (1905 – 1985?)

Ai kishte dalë nga burgu i gjatë politik prej 25 vjetësh dhe bënte jetë të vetmuar … nuk dihet pse e kishte zgjedhur këtë zgjidhje. Besohet se fëmijët e tij e ndihmonin fshehtas, për shkak të frikës nga pushteti i kohës. Bashkëshortja kishte kohë që i kishte vdekur. Nuk fliste dhe nuk përshëndetej me asnjë.

293 pamje
9 minuta lexim

Vetëm pak vite para ndërrimit të sistemit politik te ne, në rrugicën time vdiq një i moshuar. Vdiq krejt i vetmuar. Edhe jetën pas burgut, ashtu e kaloi, i vetmuar, megjithëse thuhej se ishte babai i një djali dhe një vajze.

Ai kishte dalë nga burgu i gjatë politik prej 25 vjetësh dhe bënte jetë të vetmuar … nuk dihet pse e kishte zgjedhur këtë zgjidhje. Besohet se fëmijët e tij e ndihmonin fshehtas, për shkak të frikës nga pushteti i kohës. Bashkëshortja kishte kohë që i kishte vdekur. Nuk fliste dhe nuk përshëndetej me asnjë. Bashkëqytetarët, të frikësuar si trumcakë, rendnin për t’u larguar kur ndodheshin pranë tij. Nga frika, ai u dukej atyre më shumë se një leproz.

S.Ceka
SALIM CEKA – Ndriçime të Schopenhauer-it

Unë e njihja që kur isha i vogël, sepse banesat tona janë shumë pranë. Gjithashtu ai bënte shëtitjen e tij të përditshme rrëzë skajit veri-perëndimor të kalasë, ku ne kalamajtë e lagjes loznim futboll. E ndërpritnim ndeshjen sapo ai i pashqetësuar apo i pavetëdijshëm, i binte mes për mes fushës ku po luanim. Për ne ishte kënaqësi ajo ndërprerje loje, sepse shlodheshim pak, si dhe fërkonim gishtat e coptuar apo shputat e këmbëve të shpuara nga gjembat. Ne loznim zbathur me një top llastiku 50-ç i thonim. (me diametër jo më shumë se 15 cm).

Korrekt si Fileas Fogu, për çdo ditë fiks në ora 9 të paradites ai tip enigmatik, dilte nga shtëpia. Trupmadh dhe trupdrejtë, vigan mund të them, i ngadaltë, me shikimin të tretur kush e di ku, dhe më e çuditshmja ishte se ai vishej me rroba, të cilat ishin aq shumë të arnuara, sa nuk dihej cila kishte qenë copa e tyre fillestare. Ai dukej që jetonte në një kohë pa kohë. Grotesk në paraqitje ku keqardhja dhe simpatia jonë ngatërroheshin e nakatoseshin pa rend në mendjet tona fëminore. Rrallë ai ndalonte dhe na pyeste se cili prej nesh dinte te recitonte për Skënderbeun. Pa zbritur fare në rrugë, vijonte shëtitjen e tij drejt deri te Shkolla e Gocave, në hyrjen perëndimore të Kalasë, duke e përsëritur disa herë këtë ecejake të shkurtër jo më shumë se 100 m. Në fund mbyllej në shtëpinë e tij, e cila ndodhej pas furrës pjekëse të lagjes, ngjitur me çezmën publike të Gurabardhes.

Pasdite e njëjta dalje e tij, por këtë herë i veshur absolutisht si një fisnik anglez. Këpucë me qafa dhe me thumba çeliku të përveshur anash shojeve, pantallona stofi të hekurosura, pallto e madhe e zezë dhe një si shall të bardhë në formë jake, që palosej mbi gjysmën e jakës së palltos së madhe. Ndryshimi i veshjeve të tij, të paradites dhe veshjeve të pasdites, përbënin një metamorfozë të habitshme.

Vite më vonë, im atë (i cili kishte një lidhje të largët farefisnore me të), më ka treguar gjëra interesante për atë njeri. Ai ishte njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze (kishte përfunduar Shkollën Teknike të Fulcit në Tiranë, që në fillimet e themelimit të kësaj shkolle). Gjatë viteve të Monarkisë ai shërbeu si përkthyes i dy ushtarakëve anglezë, të cilët kishin ardhur në Elbasan për trajnimin e xhandarmërisë shqiptare. Mbetet e famshme marrëdhënia e tij me ta. Thuhet se kur dy ushtarakët anglezë, ndoshta të mësuar në Afrikë apo gjetiu me shërbëtorë, i kërkuan atij t’ua dërgojë çantat në banesë. Përgjigjja e tij dinjitoze ishte: “Unë nuk jam shërbëtori juaj, por përkthyesi juaj, ndërsa ju jeni shërbëtorët e mi, sepse keni ardhur nga Anglia të bëni punën për ne, kundrejt pagesës”.

Gjatë L2B kishte shërbyer si përkthyes i Shtabit Aleat të Mesdheut, me seli në Bari të Italisë, mbi zhvillimet luftarake në Shqipërinë e kohës. Sigurisht, ai ishte filoanglez i bindur, ndërsa politikisht anonte nga parlamentarizmi përmes garës së partive politike. Nuk ishte pjesëtar apo anëtar i asnjë formacioni luftarak në Shqipërinë e kohës. Gjithashtu, është marrë me disa përkthime nga anglishtja në shqip, ndër të cilat theksohet se në vitin 1944 ai përkthen nga anglishtja “Ndriçime të Schopenhauer-it” – Udhzime dhe mendime të vërteta”, Libri I dhe Libri II, Shtypshkronja “Mbrothësia”, Tiranë 1944, të autorit T. B. Saunders. (për fat unë i kam të dy këta libra).

Po ashtu, gjatë Luftës, thuhet se kur një pasdite ai sapo futet në shtëpi, gjen një nga vëllezërit e tij i cili bashkë me disa shokë po dëgjonin fshehtas Radio-Moskën. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm dhe shpërthyes: “N’shpin’ teme do ngjoni’ Moskovin ju mor’ qafira”. Radioja përfundoi e shkatërruar pas murit.

Pas Luftës dënohet politikisht në vitin 1946 me burgim të përjetshëm që më pas iu kthye në 25 vjet heqje lirie, i akuzuar si “sabotator i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 dhe i vënë në shërbim të anglo-amerikanëve”. Ndonëse përfitoi nga amnistitë e ndryshme përgjatë viteve, ai i mohoi të gjitha ato përfitime me shprehjet standard: “Nuk e njof Partinë e Punës. Ajo âsht parti e dhunshme”.

Dënimin e kreu të gjithin “kokërr më kokërr” apo “ditë më ditë”, plot 25 vjet.

Mjerisht, vdiq në vetmi të plotë.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2024

RSS
Ndiq me Email
Share