Kostandin Shpataraku, piktor i shquar i Shek.XVIII, duke respektuar e duke vlerësuar vehten dhe vendin që e lindi, nënshkruan në veprat e tij: “Dora e hierodiakon Kostandinit prej Shpati”. Shpati është një trevë e rëndësishme në qendër të Shqipërisë, e cila është ndikuar më pak nga kultura e invadorëve e që ruan mjaft vlera të mëdha materiale dhe kulturore.
Një vend të veçantë, dhe që ia vlen të studjohet, zë kultura fetare e popullsisë së Shpatit. Është interesant fakti që në të gjithë fshatrat e Shpatit gjënden, përveç kishave ekzistuese, dhe një numër i konsiderueshëm rrënoja kishash të madhësive të ndryshme, mesatarisht pesë kisha për çdo fshat. Deri tani nuk është bërë ndonjë studim i veçantë për këto kisha. Mendojmë që disa nga këto kisha janë ndërtuar që në fillimet e krishterimit. Mbështesim kështu opinionin e Mitropolitit të Durrësit, Prokopi, që thekson se duhet të studjohen me kujdes, ka probalitet që iu përkasin viteve të para të krishterimit në Shqipëri.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur kisha ortodokse e Shpatit në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore dhe artistike të kësaj treve, sidomos pas shekullit XIII, kur ajo zë një vend të rëndësishëm në hierarkinë e kishës ortodokse. Nga faktet që na jep Elefterias I. Nikolaidou, del që në vitin 1370, nga ndarja e peshkopatës së vjetër të Glavenicës formohen dy peshkopata: … ajo e Beratit dhe e Ispatisë (Shpatit). Natyrisht dhe qendra e kësaj peshkopate ishte në Shpat. Ndoshta ashtu siç thonë edhe gojëdhënat në popull dhe flasin rrënojat e vjetra, duhet të jetë katedralja e Galigatit.
Sipas rrethanave historike,ky organizim kishtar del si Peshkopata e Gorës dhe Ispatisë në Shek.XV, si Metropolia e Ispatisë dhe Myzeqesë (mbështetur në kodikun 533 të varrit të shenjtë). Në përshkrimet e mitropolitëve të vitit 1706 përmendet dhe ai i Elbasanit d.m.th., Nektari i Ispatisë dhe i Myzeqesë.
Në vazhdim Shpati i përkiste mitropolitit të Beratit, që arriti të titullohet, mitropoliti i Belgradës, Shpatit dhe Vlorës, ose gjatë Shek. XIX, mitropoliti i Kaninës dhe i Shpatit. Deri në fund të Shek.XIX, juridikisht Shpati i përkiste mitropolisë së Beratit. Në Qershor 1899 iu aneksua mitropolisë së Durrësit.
Në periudhën për të cilën folëm më sipër, në Shpat nuk kishte arsim laik ,por duke u nisur nga numri i madh i kishave dhe pasurimit të tyre me afreska dhe ikona e mbajtën gjallë dhe e pasuruan shpirtin artist të banorëve shpatarakë. Në këto kisha u ushtruan dhe shpalosën talentin e tyre piktorët e mëdhenj shpatarakë te Shek. XVI, Onufri dhe i biri i tij Nikolla si pasardhës të piktorëve të mëparshëm anonimë. Me mjeshtërinë e tij në pikturimin e afreskave të kishave të shën Kollit në Shelcan dhe të shën Premtes në Valësh, Onufri vuri themelet e një shkolle të re të pikturës në Shpat dhe më gjërë. Vazhdimin e kësaj shkolle e shohim te pasardhësi i tij, Kostandin Shpataraku Shek. XVIII.
Mjeshtër më i madh i afreskut ishte Onufri i Shek XVI, mjeshtri më i madh ikonograf ishte Kostandin Shpataraku i Shek.XVIII. ”…Gjatë krijimtarisë 31 vjeçare, Kostandin Shpataraku shquhet si piktor i specializuar në pikturimin e ikonave miniaturale, ku i takon vendi i mjeshtrit në pikturën shqiptare…”.
- Popa, Theofan, ”Piktorët mesjetarë shqiptarë” f.72, Tir.1961
- Nikolaidou, Elefterias I.”Kriptokristianët e Shpatit”, Janinë 1979
- Drishti, Ylli R.”Kostandin Shpataraku” f.28, Tir. Man. 1992
Duke folur për tematikën e përdorur nga ky piktor ndër të tjera studjuesi Theofan Popa thotë se tematika e përdorur mund të quhet, e ikonostasit, e cila është perdorur në kisha qysh prej Shek. XVII në ikonat e mëdha dhe të vogla të ikonostasit me gjithë dyert dhe kryqin mbi ikonostas. E më poshtë: ”…Përveç këtyre tematikave, piktori ynë shpatarak ka dhe disa tema të tjera interesante në miniaturë siç janë: Krishti në tri fytyra, të cilën e ka trashëguar nga Onufri bashkatdhetar i tij…”.
Krijimtarinë e tij (të dokumentuar), Kostandin Shpataraku, e nis në vitin 1736, datë që ka shënuar në ikonën e punuar në manastirin e shën Joan Vladimirit.
Në kishën e këtij manastiri, ai ka zbukuruar ikonostasin me ikona të mëdha e të vogla, gjithsej 24 copë, të cilat fatkeqësisht u dogjën më 14 Mars 1944. Fatmirësisht nga krijimtaria më se tridhjetvjeçare e këtij piktori janë ruajtur mbi 150 vepra ikonografike në muze të ndryshëm, në kishën e Shën Marisë të manastirit të Ardenicës dhe në kishën e Shën Marenës në Llëngë të Pogradecit. Ka pikturuar në kishën e Qimitrit të manastirit të Shën Pjetrit në Vithkuq dhe në kishën e Shën Premtes në Kavajë.
Sipas studjuesit të artit Ylli Drishti: ”… Një pjesë e ikonave të ikonostasit duke përfshirë kryqin mbi ikonostas, dyert e bukura, një baldakin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla me skena nga jeta e krishtit dhe e Shën Mërisë janë të Kostandin Shpatarakut. Edhe piktura murore e kësaj kishe është pikturuar prej tij më 1754…”.
Një kryevepër e piktorit është ikona e Shën Joan Vladimirit, ku ai me talentin e tij ka përjetësuar veprën e shenjtit, legjendat rreth tij, periudhën historike dhe personazhet që përkasin asaj periudhe.
Në qendër të ikonës është shën Joan Vladimiri,në dorën e djathtë mban kryqin,kurse në dorën e majtë mban kokën e tij të prerë. Është rrethuar nga 12 skena në miniaturë, ku fytyrat janë shumë të imta, por piktori ka arritur që të shprehin emocione dhe lëvizje. Këto skena na japin tablo nga legjendat për jetën e shenjtit; kurorëzimi i shenjtit, gjuetija e shenjtit, vjedhja e lipsanit të shenjtit prej francezve etj. ”…Në ikonën e Shën Joan Vladimirit… Kostandini ka pikturue në miniaturë Karl Topinë… përpara një maketi kishe, si ktitor të kishës së shën Joanit.”
Më 21 Shtator të çdo viti në fshatin Valësh të Shpatit, fisi Oga feston Shën Mërinë, në kujtim të birit tyre Kostandin Shpataraku. Aty ku thuhej nga të moshuarit, duke e përcjellë nga brezi në brez, se ishte varri i Kostandinit, është ngritur një faltore e vogël nga vetë banorët, ku shkojnë dhe ndezin qirinj. Gojëdhënat për Kostandinin janë të shumta, disa thonë se është nga Selta, një tjetër nga Pashtreshi, kurse më bindësja se është nga Valshi. Gojëdhëna thotë se Kostandini ishte nga fshati Valësh, prej njërit prej fiseve më të vjetra të fshatit, fisit Oga. Fillimisht kjo familje ka banuar në lagjen (sot fshat) Maskarth. Meqenëse kishte probleme me pushtuesit osmanë për çështjen e fesë ortodokse u largua si familje për të humbur gjurmët. U vendos në qendër të fshatit Valësh, aty ku dhe sot njihet toponimi ”Mani i Ogës”.
Kostandini ka qenë murg dhe piktor. Ai fillimisht ka pikturuar në kishat e fshatit të vet dhe pastaj në Shjon e kisha të tjera. E kapën dhe i prenë kokën. E vunë në një hu në mes të pazarit. Në atë vend është bërë një kamare dhe u quajt vendi i mirë, ku njerëzit shkonin dhe ndiznin qiri deri vonë. (Ky vend ndodhet afër shkollës së mesme “Onufri” Elbasan). Njerzit e afërt të tij në Valësh, e morën vesh vrasjen e Kostandinit dhe mbërritën në Elbasan. Oga, që e mori kokën e Kostandinit, u ka treguar atëherë valshakëve, se koka e prerë kishte zënë arza dhe ato nuk lejonin të afrohej njeri, por kur u afrua Oga, ato u larguan. Ai e mori kokën e mblodhi me shami dhe e futi në trastë dhe hipur në kalë mbërriti në Valësh. Për të varrosur kokën e Kostandinit u bënë tre varre; në njërin prej tyre u varros koka. Kjo u bë që të mos gjëndej varri i vërtetë.
Emri i piktorit të shquar shpatarak është gjetur në një kodik të kishës së Shën Kollit në Elbasan që mban datën 31 Maj 1759, si dhe në disa akte në arkivin e shtetit ku thuhet se ka pikturuar shumë ikona në kishën e manastirit të Shën Joan Vladimirit në Shijon të Elbasanit.
Manastiri i Shën Joan Vladimirit
Filip Bёrdufi
3 Qershor 2015