////

Origjina e Gjuhës Shqipe – nga Prof. Kostaq Cipo

Shqipja është një gjuhë me fizionomi të vetën, me tipare Fonetike, Morfologjike e Sintaktike të dalluara mirë dhe jo një përshesh gjuhërash të huaja, sikundër u cilësua nga një palë. Dhe pikërisht për këto karakteristika të çkoqura që ka, zë një vent të veçantë e të pavarur midis gjuhërave të të njëjtit grup.

2837 pamje
14 minuta lexim

Është gjetur gjithashtu edhe një artikull apo studim i plotësuar i Cipos, por fatkeqësisht tek ne ka mbërritur i mangut. Është shtypur në makinë. Kopja e parë nuk gjendet, çka tregon se duhet të jetë dërguar diku për t’u botuar apo sipas disave mendohet se duhet të jetë hequr dhe mbajtur mënjanë nga ndonjë studiues që mezi priste vdekjen e Cipos për ta paraqitur si studim të tij personal. Sido që të jetë mendojmë ta përfshijmë këtu pasi trajton një temë interesante dhe të rëndësishme, atë të origjinës së Gjuhës Shqipe.

Origjina e Gjuhës Shqipe

Që mundi të themelojë kombi Shqiptar pas shekujsh ravgimesh një shtet si gjithë bota, këtë ja ka hua kryesisht ruajtjes së gjuhës që është një element i fuqishëm për ruajtjen e kombësisë.

Shqipja është një gjuhë me fizionomi të vetën, me tipare Fonetike, Morfologjike e Sintaktike të dalluara mirë dhe jo një përshesh gjuhërash të huaja, sikundër u cilësua nga një palë. Dhe pikërisht për këto karakteristika të çkoqura që ka, zë një vent të veçantë e të pavarur midis gjuhërave të të njëjtit grup. Me që Shqipja na paska një shumicë të madhe fjalësh latine në fjalorin e saj, kjo nuk duhet të pranohet se Shqipja ka ndryshuar tiparet dhe është bërë gjuhë gjysmë-neolatine. Vetë G. Mayeri, që kish pohuar në fillim një gjë të tillë, më vonë në bazë të të dhënave të reja e ndroi mendimin. Nuk duhet të na trembi veprimi që ushtroi latinishtja mbi leksikun e Shqipes, se kjo gjë është përfundimi i marrëdhënieve politike e kulturore që kish Shqiperia me Perandorin’e Romës. Sidoqoftë këto gjurma të latinishtes nuk u shtrinë përtej fjalorit të Shqipes, nuk arrijtën sa të prishin strukturën gramatikore të gjuhës sonë. Fakti që tiparet e një gjuhe as ndrojnë as prishen nga numuri i math i fjalëve të huaja që mund të përmbajë fjalori i saj, vërtetohet me Anglishten, e cila duke qënë vetë gjuhë Gjermanike, pjesën më të madhe të thesarit leksikor e ka marrë nga Latinishtja. Po edhe ky numur i math i fjalëve latine i rikqyrur sot në bazë të të dhënave të reja, po vete ditë për ditë duke u rrëgjuar, sepse shumë fjalë që diheshin si të burimit Latin, sot po dalin se janë Hindoeuropiane.

Dorëshkrim i Prof. Cipos

Po edhe duke pranuar se Shqipja ka shumë fjalë latine e fjalë të greqishtes së vjetër dhe se, në të ndruar të shekujve, duke u përputhur me gjuhët Sllave, me Greqishten e Re e me Turqishten, mori hua edhe nga këto gjuhë, fjalët që ju deshnë, prapë ky fakt i vetëm nuk pengon që të jetë Shqipja një gjuhë Hindo-Europiane a më mirë pjestare e pavarur e grupit lindor të gjuhëve Hhindoeuropiane, sepse të tilla të dhëna të marrë hua midis popujve janë gjëra të zakonshme.

Në lidhje me origjinën e Shqipes, i pari që e studioi mbi bazën e gjuhësisë së krahasuar ka qënë linguisti i dëgjuar Frantz Bopp në një studim të titulluar: “Uber Das Albanische In Seinen Verëantschafeliechen Beziehungen” – “Rreth Shqipes Në Lidhje Me Farefisnin’e Saj”, dhe si brumë kish në dorë strukturën gramatikore të Shqipes. Duke krahasuar disa nga elementet morfologjike të Shqipes me gjuhët Sanskrite, Greke, Lituane, etj. arrin në përfundimin që e dimë sot, se Shqipja është një gjuhë Hindoeuropiane, por që formon një grup më vehte. Po Schleicheri dolli jashtë kësaj rruge së vërtetë të gjetur nga Bopp-i, duke i caktuar gabimisht një vend pranë Greqishtes. Për fat të keq mbi këtë rrugë të gabuar të Schleicherit ecën me vonë një tjetër i huaj, Stieri, si dhe nje Italo-Shqiptar D. Camarda në veprën e tij “Saggio Di Grammatologia Comparata Sulla Lingua Albanese”.

Po çështja e origjinës së Shqipes nuk munt të mos hapte edhe një çështje tjetër, çështjen e Shqiptarëve si komb. Këtë pikë të kombësisë sonë e shtroi dhe e studioi historiani Fallmerayer-i në veprën e tij: “Das Albanische Element In Griechenland” – “Elementi Shqiptar Në Greqi”, i cili erdhi në përfundimin që Shqiptarët ishin autoktonë të Ilirisë së vjetër.

Një tjetër që u muar me çështjen e origjinës së Shqipes dhe të kombësisë Shqiptare ka qënë i mirënjohuri studios Dr. Hahn-i në veprën e tij të madhe e të bukur: “Albanische Studien” – “Studime Shqiptare”. Po për fat të keq Hahn-i arriti në një përfundim të gabuar që më vonë u hoth poshtë. Ai tha se Ilyrët, Epirotët dhe Maqedhonasit ishin prej të njëjtës origjine, duke i identifikuar këto tri fise me Pellazgët. Rreth origjinës së Shqipes dhe autoktonisë së popullit Shqiptar ka bërë studime edhe G. Mayer, i cili e quajti të pathemeltë burimin Pellazg të pranuar nga Dr. Hahn-i dhe gjeti se të parët e Shqiptarëve kanë qenë Ilirianët dhe se gjuha Shqipe ish faza e re e Ilirishtes së vjeter. Kundër kësaj teze u ngritnë linguistë të tjerë si Hirt-i etj., të cilët shprehën mendimin se Shqipja buronte nga Thrakishtja. Këtë ide e shtroi dhe e mproi edhe albanologu i shquar Weigand-i në një studim të tij të titulluar: “A Janë Shqiptarët Zbritësit e Ilirëve Apo Të Thrakasve?”. Shumë nga argomentet që shtroi për të provuar origjinën Thrakase të Shqipes jane bindëse. Nga linguistët sllavë, Bariçi çfaqi mendimin se Shqipja nuk ish as krejt Ilire e as krejt Thrakase po një thrakishte e ilirizuar.

Baron Nopçka çfaqi një mendim tjetër rreth origjinës së Shqipes. Ai tha se Shqipja rrjeth vërtet nga Thrakishtja, po nga një Thrakishte e mbuluar me një shtresë Ilire. Ky mendim i Nopçkas i forcuar me argumente gjuhësore të reja nga i ndjeri albanolog i çquar N. Jokl-i i cili solli si perfundim që: “… Shqipja e jon’e sotme ka rrjedhur nga Ilirishtja dhe nga Thrakishtja”, d.m.th. është një dialekt Thrakas i ilirizuar.

Rëndësia e Gjuhës Shqipe

Rëndësia shkencore e Shqipes nuk është e vogël. Ajo meriton të studiohet se është një ndihmë për rëmimet historike, folkloristike krahasore midis popujve të Ballkanit, është një ndihmë gjithashtu për studimet krahasore me Rumunishten, me Sllavishten, me Greqishten me të cilat Shqipja ka të përbashkëta shumë fenomene Fonetike, Morfologjike e Sintaktike. Po studimi i Shqipes jep dorë edhe për të bërë vëzhgime edhe kërkime rreth përhapjes, shtrirjes dhe evolucionit të Latinishtes ballkanike.

Dialektet e Shqipes

Shqipja është një njësi gjuhësore që puthet fare mirë me njësit’etnike. Si çdo gjuhë, edhe Shqipja është e përbërë nga dialekte. Dy dialektet kryesore të saja janë: Toskërishtja që dëgjohet në Jugë të Shqipërisë dhe Gegërishtja që flitet në Veri. Për kudrejt kësaj ndarje, grosso modo munt të bëhet edhe një nëndarje, e cila për Gegërishten e Veriut përfshin të folmet e Shkodrës dhe të Malësisë, për Gegërishten më nga jugu, të folmet e Durrësit, Tiranës dhe t’Elbasanit, dhe nga Veri-Lindja të folmet e krahinave të Kosovës dhe të Dibrës.

Nëndialektet Toskërishte që bien më fort në sy janë: të folmet e Labërisë dhe të Çamërisë ku gjejmë gjurma fenomenesh fonetike dhe morfologjike të përbashkëta me ato të Gegërishtes. Po të duam, mund të quajme larmi dialektore të Toskërishtes trajtat e vjetra Toskërishte të Shqiptarëve t’Italisë dhe të Greqisë. S’ishte pun’e lehtë të heqish një vijë përcaktimi të prerë midis dy dialekteve kryesore dhe aqë më pakë midis nëndialekteve të Shqipes, sepse ndryshimet bëhen, në pikat e tyre të përputhjes, po thua të pandjeshme, përkundrazi, bëhen fort të mbëdha në të tejmet kufij të mëmëdheut… .

Kostaq Cipo

RSS
Ndiq me Email
Share