//

Mbi Hamendësimet për Ekzistencën e Katakombeve në Elbasan

Sipas dëshmive dokumentare, rreth vitit 1620 banorët e krishterë të kësaj lagjeje pasi siguruan lejen përkatëse tek autoritetet osmane për ndërtimin e kishës orthodokse, vendosën që për ngritjen e saj të shfrytëzohet varreza e lagjes. Siç duket, ata nuk kishin asnjë mundësi tjetër për shkak të mungesës së hapësirave në këtë lagje. Atëhere, paria e lagjes vendosi që kisha të ndërtohej mbi varrezat.

1351 pamje
5 minuta lexim

Lexova në një faqe interneti një shkrim mbi gjoja ekzistencën e katakombeve në Elbasan. Fillimisht më pëlqeu kjo gjë, sepse mendova që po i kursej ca lekë dhe nuk po iki t’i shoh katakombet në Romë e Paris, sepse i paskërkam ata në Elbasan, madje, fare afër shtëpisë time!!!

Në të vërtetë më çuditi kjo “perlë gazetareske” që të mbyt me duhmë komercializmi, pasi deri më sot Elbasanin e kanë “krehur” dhjetra ekipe arkeologësh e historianësh dhe nuk kanë mundur të zbulojnë një të tillë.

Kisha e Shën Mërisë (Elbasan)

E uroj autorin e shkrimit për këtë material (pjesërisht të kopjuar), por dua t’i theksoj që në Elbasan nuk ka katakombe, ose nuk është zbuluar deri tani asnjë syresh. Ato, për të cilat shkruan gazetaro-historiani, janë fragmente tunelesh nëntokësorë që thuhet se u shërbenin për arrati banorëve dhe ushtarëve të kalasë gjatë rrethimeve nga ushtritë e huaja (unë e kam vizituar njërin prej tyre).

Po kështu, nëse nën dyshemenë e kishës “Shën Maria” gjenden ende mbetje eshtrore njerëzore (unë i kam parë ato), kjo nuk duhet ngatërruar absolutisht me katakombet.

Mendoj shyqyr që nuk e kanë lexuar të huajt këtë “mrekulli”, se dyndjet e turistëve do të ishin të papërballueshme (!!!), siç do të ishte edhe sikleti i përkthyesve të tyre kur t’i gënjenin për gjasme katakombet.

Pra, fragmente të tuneleve nëntokësorë mesjetarë të kalasë në Elbasan dhe mbetjet eshtrore të ish varrezës së lagjes, lidhen e stërlidhen nga gazetari, i cili më pas na pjell katakombe. Neveri!!!

Që nëntoka e kalasë së Elbasanit mban në barkun e saj shumë dëshmi të moçme, kjo dihet, por jo katakombe. Me një fjalë, e gjitha kjo ishte, futja kot. Katakombet janë komplekse funeralë nëntokësorë të ndërtuar sipas një planimetrie të caktuar.

Në këtë rast duhet sqaruar pak mbi historikun e ndërtimit të kishës së mësipërme. Sipas dëshmive dokumentare, rreth vitit 1620 banorët e krishterë të kësaj lagjeje pasi siguruan lejen përkatëse tek autoritetet osmane për ndërtimin e kishës orthodokse, vendosën që për ngritjen e saj të shfrytëzohet varreza e lagjes. Siç duket, ata nuk kishin asnjë mundësi tjetër për shkak të mungesës së hapësirave në këtë lagje. Atëhere, paria e lagjes vendosi që kisha të ndërtohej mbi varrezat. Kështu pra, u prish varreza dhe eshtrat e gjetura nëpër varre u grumbulluan dhe u vendosën në bodrum, nën dyshemenë e kishës.

Që nga ajo kohë, vend prehje të përjetëshme për banorët e krishterë të kësaj lagjeje u zgjodh një tjetër fushë, afër Kroit të Kalit, dhe vite më vonë aty u ndërtua edhe kisha e “Shën Thanasit” si objekt kulti përshpirtje.

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Nëntor 2015

RSS
Ndiq me Email
Share