//

Koncert i “Bashkimi” Elbasanas

Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1937), një orkestrinë elbasanase e Shoqërisë “Bashkimi”, përshëndeti publikun në Tiranë me disa pjesë muzikore, vendase dhe të huaja.

1098 pamje
3 minuta lexim

Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1937), një orkestrinë elbasanase e Shoqërisë “Bashkimi”, përshëndeti publikun në Tiranë me disa pjesë muzikore, vendase dhe të huaja.

Ja, ç’shkruan Tajar Zavalani për këtë ngjarje artistike, në revistën kulturore “Përpjekja shqiptare”, Nr. 13, Janar 1938, fq. 40, të Branko Merxhanit. “Një kënaqësi estetike të plotë na e dha koncerti i “Bashkimi” Elbasanas. Me të çelur predja u ndodhëm përpara një orkestre impozante prej afro njëzet vetash ku predominonin mandolinat dhe gjitharat (kitarat). U ekzekutuan disa pjesë muzikore klasike me një mjeshtëri dhe sidomos një harmoni të përbashkët që na habiti fort. Për hesapin t’im u kënaqa nga ekzekutimi i preludit të operas Cavalleria Rusticana të Mascagni-t, që më prek thellë sa herë t’a dëgjonj.

Koncert i “Bashkimi” Elbasanas

Orkestra e djalërisë s’Elbasanit, e dirizhuar prej maestrit të ri Baki Kongolit, më bëri t’a shijonj at copë muzike po me at intensitet. Sa për pjesët solo, që ekzekutoi me violinën vetë Z. Kongoli, nuk jam aq i enthuziasmuar. Duhet vërejtur se ay kishte zgjedhur disa pjesë të zorshme si “Kënga Indiane” e Rimski-Korsakovit, që duan virtuozë të violinës për t’u ekzekutuar fare mirë. Dhe të tilla vepra muzikore kanë atë të keqe që po s’u ekzekutuan fare mirë nuk mund të kënaqin një amator muzike.

Përkundrazi duhet përgëzuar sinqerisht Z. Kongoli për ato përmbledhje melodirash popullore shqiptare që kishte stilizuar me aq mjeshtëri. Ja një shembëll e goditur se si një material folkloristik, i kaluar nëpër filtrin e teknikës muzikore prej një njeriu me talent dhe me shije të stërhollur, mund të arrijë sa të kënaqë veshin dhe të atyre që nuk i kundrojnë si kulmin e bukurisë muzikore “amané”-të e sazexhinjve t’onë. Publikut i a gjetnë shpirtin ato komponime aq të goditura. Prandaj nuk u kurcye në duartrokitje të nxehta, në “bis” e dhe “bravo” të përsëritura.” – (tz.)

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shtator 2020

RSS
Ndiq me Email
Share