/

Jehonat e Tingujve Prej Një Libri

Kënga popullore e qytetit tim më pëlqen. Ajo vjen tani në shpirtin tim e ngarkuar me copëza kujtimesh, imazhesh, asociacionesh të panumërta: më kujtohet ajo ditë kur im atë këndonte sërish e sërish të njëjtin refren. E unë kuptoja që ishte i gëzuar. Më kujtohet gjyshi, gjyshja, fqinji, kushëriri, ngjarjet familjare, profesorët e mi, burra në tryeza festash, gratë ulur te guri i derës që e këndonin ndonjë varg, herë me psherëtima dhe herë si për të vulosur pranimin e fatit të tyre.

1011 pamje
29 minuta lexim
Mikaela Minga

nga Teuta Toska

Kam studiuar muzikë, thuajse pjesën më të madhe të shkollimit tim, me përjashtim të viteve të universitetit. Dhe në ato kohë të shkollës mendoja se kënga popullore qytetase ishte një krijim fare i thjeshtë muzikor, që nuk kërkonte zotësi aq të madhe për ta ekzekutuar, nuk kishte ndonjë thellësi ndjenje e lartësi mendimi dhe ato përsëritjet dhe rikthimet e vazhdueshme ishin një mërzi e zbrazët. Nëse i luanim ato këngë në korridoret e shkollës së muzikës, e bënim për t’u zbavitur dhe për të shkarkuar tensionin e mësimit. Ndonjëherë mendoja se këto këngë ishin aq të thjeshta, sa të zinte sikleti t’i mendoje si krijime muzikore.

Mirëpo tani përjetimi ka ndryshuar. Kënga popullore e qytetit tim më pëlqen. Ajo vjen tani në shpirtin tim e ngarkuar me copëza kujtimesh, imazhesh, asociacionesh të panumërta: më kujtohet ajo ditë kur im atë këndonte sërish e sërish të njëjtin refren. E unë kuptoja që ishte i gëzuar. Më kujtohet gjyshi, gjyshja, fqinji, kushëriri, ngjarjet familjare, profesorët e mi, burra në tryeza festash, gratë ulur te guri i derës që e këndonin ndonjë varg, herë me psherëtima dhe herë si për të vulosur pranimin e fatit të tyre.

Të gjitha këto ndjesi më erdhën në shpirt ndërsa lexoja faqet e librit “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen – Elbasani në regjistrimet etnomuzikologjike të arkivit audiovizual – IAKSA” të muzikologes Mikaela Minga[1]. Ishte hera e parë që leximi i një libri me natyrë të mirëfilltë shkencore, nga ai që në paradigmën e teksteve me natyrë shkencore cilësohet si monografi, gjallëronte ndjesi dhe emocione të shumëllojta. Ishte edhe hera e parë që leximi i një libri përkthehej brenda meje jo vetëm në tinguj gjuhësorë, por edhe në tinguj muzikorë. Si mund të ndodhte që fjala e shkruar të sillte kujtesën e zërit në mënyrë aq të fortë dhe imazhet e fëmijërisë dhe të një kohe pa kohë të qytetit tim? Ndoshta këtë ndjesi mund të mos e marrë çdo lexues, edhe për këtë them se jam ndër lexuesit më me fat të këtij libri: se bashkohet tek unë njohja e muzikës, kjo harmoni tingujsh e heshtjeje në kohën dhe hapësirën e ngushtë të qenies sime, dhe përkatësia një qyteti, tingujt e të cilit u gjurmuan me kujdes përreth gjashtë vite nga autorja[2]. Edhe si një kumt i fshehtë që të vjen nga koha, më takoi të isha edhe lexuesi i parë i këtij libri.

Studiuesja thotë se fillimisht detyra që iu ngarkua nga institucioni kërkimor ishte “mbledhja, analiza muzikore e këngëve të Elbasanit … [dhe]… bërjen e transkriptimeve në notë të tyre[3]”, kërkesë e përligjur e institucionit që trashëgonte nga e kaluara e suksesshme e kërkimeve në folklorin muzikor një arkiv audiovizual pak a shumë të pasur (kur e krahason me asgjënë e pasviteve ‘90) me regjistrime nga qyteti i Elbasanit: materiale të regjistruara nga “një sërë ekspeditash të përqendruara në qytet dhe për qytetin, gjatë një periudhe kohore që shkon nga fundi i viteve ‘50 deri në fund të të ‘80-ve[4]”, por edhe regjistrime muzikore “të prejardhura nga Radio Tirana, në të cilat repertori i Elbasanit zë një vend të konsiderueshëm[5]” dhe regjistrime nga përfaqësimet e Elbasanit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, material që përfshin një periudhë kohore thuajse 40-vjeçare.

Tingujt
Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen – Elbasani në regjistrimet etnomuzikologjike të arkivit audiovizual – IAKSA

Lexuesi i këtij libri do ta kuptojë shpejt se kjo detyrë parësore është përmbushur deri në fund, dhe, siç ndodh me çdo kërkim që tërheq shpirtin e mendjen, ka në këtë libër edhe më shumë ambicie të përmbushura dhe zbulime interesante, të cilat janë ndjekur me guxim, përgjegjësi dhe interes të rritur këto 6 vitet e kërkimit shkencor: në arkiv e terren, dhe në vetminë përsiatëse të studiueses. Midis faqes 110 dhe 112 gjendet “Katalogu”, inventar i plotë i regjistrimeve muzikore dhe tingullore të qytetit, një guidë për udhëtime impenjative në terrene pak të njohura: “këngë, material instrumental, rrëfim/intervistë ose përrallë[6]” dhe, më e rëndësishmja, ajo që na drithëron si përherë “është regjistruar zëri i një folësi/eje që prezanton materialin, e më pas vetë materiali”. Zëri i njeriut. I atij që s’është më, por edhe i atij që është dhe e dëgjon zërin e vet pas shumë vitesh. Dua të ndalem pak te ky rast i dytë, ai i artistit emblemë të qytetit tim, Mehdi Zenës, i regjistruar nga Hysen Filja në 23.10.1985, dhe që e dëgjon veten të regjistruar në vitin 2020 në një takim me Mingën. “Megjithëse ai vetë kishte një lloj sikleti tek e dëgjonte këtë tingull solo të tij, në këtë variant, arrihen të gjurmohen shumë cilësi dhe veçori që formësojnë profilin vokal të tij. Zena rimerr elementin melizmatik, që ishte karakteristik në ahengun urban, në trajta më të rafinuara. Këtij i shton një lloj vibratoje të shkurtër dhe të shpejtë dhe të dy këto elemente së bashku rezultojnë shumë efektive në përcaktimin e individualitetit të tij.[7]”

Mehdi Zena po dëgjon veten që këndon pa shoqërim instrumental një nga këngët më të vjetra të qytetit: “Çoi djema, shaloni atin”, e cila mendohet si rreth 300-vjeçare. E njoh mirë këtë këngë: im atë e lëmonte gjatë vargun e parë të këngës, atë shkallën e vogël me pak nota. Çfarë mendon njeriu për zërin e vet të para 35 viteve? Si e ka përjetuar këngëtari zërin e tij mjeshtëror në stinën më të mirë? Është zëri i tij? Apo ka një përmasë të vdekjes në atë zë? Është kjo ndjesi e kohës që zhbin burrin zëëmbël dhe që i krijon atë “lloj sikleti tek e dëgjonte këtë tingull solo të tij”, apo është ky zëri i humbjes që trupëzohet vit pas viti në jetën e tij si në jetën e secilit prej nesh? Përshkrimi i kujdesshëm i zërit të këngëtarit prej Mingës, me “elementin melizmatik”, “vibraton e shkurtër dhe të shpejtë”, me kujdesin për “narrativën e këngës” dhe “përsëritjen e melodisë”[8] është kaq i saktë sa shndërrohet në mendje menjëherë në zë. Apo është zëri i këngëtarit aq i gjallë brenda meje sa ky përshkrim bëhet aq i vërtetë? Të dyja pyetjet e përmbajnë të vërtetën dhe ndoshta zëri i tij në bashkëkohësi me rreshtat e Mingës e bëjnë këtë libër të ketë cilësinë e një dokumenti shkencor unik. Zë i kapur në shkronjë.

Katalogu mes faqes 110 dhe 112 është guida e udhëtimit që zgjat në kohë për kureshtarin dhe studiuesin, i vetmi që të orienton tani nëpër këtë pasuri dhe si për çdo inventar dhe listë pasurish, ndërsa eksploron, duhet të kesh me vete busull, lupë, mjete që ndihmojnë kërkimin e ndoshta edhe shishe me ujë për të mos e harruar aq gjatë veten. Përndryshe do ta humbësh me aq të dhëna, si: emri, mbiemri, rrethi, lokaliteti, fshati, mosha, arsimi, profesioni, shënime të veçanta biografike për zërin e ekzekutuesit; vendi, data dhe mbledhësi i zërit; skeda të teksteve të transkriptuara të këngëve, foto të protagonistëve të regjistruar – për fat të gjitha këto në katalog në rend kronologjik. Shkruhet për zërin e Fitnete Rexhës, Hafsa Zyberit, të Xan (Ramazan) Zyberit dhe të Xhavit Xhepës, Marije Dhamas dhe Tahir Gurakuqit, me repertor këngësh që i përket qytetit. Por lexon edhe për zërat e oktetit të Ndërmarrjes Tregtare Lokale të Artikujve të Përzier. Tetë zërat përshkruhen si të përzier, gra-burra, edhe pse Minga shkruan se ato ngjajnë “më afër zërave femërorë sesa atyre mashkullorë, një supozim bazuar mbi faktin që ky lloj repertori me dajre interpretohej zakonisht nga gratë[9]”. Dëgjohen zërat e shkëputura nga repertori i ritualit të një dasme. Asgjë nuk ka mbetur më, as nga zërat, as nga ndërmarrja, por kënga i ruan edhe sot tingujt e tyre.

Por ka në këtë libër edhe më shumë ambicie të përmbushura sesa detyrat e ngarkuara nga institucioni kërkimor. Dallohet ndryshimi në këndvështrimin shkencor të fushës së studiuar dhe një ndryshim në mendësinë e studimit të tingullit, i vështruar tradicionalisht si aksesor i folklorit. Studiuesi dhe lexuesi ftohen të shohin një ndarje të realitetit kulturor në 3 përmasa të qarta e të dallueshme mirë: oralja, letrarja  dhe auralja. Kështu, së pari, ky libër na shfaq një anë tjetër të pahetuar dhe të paperceptuar të realitetit këtu te ne – auralen, dëgjimoren. Dhe, siç ndodh zakonisht në studimin shkencor, njohja e së shkuarës të bën të rigjesh të tashmen. Analiza e përmasës dëgjimore të së shkuarës të bën të dëgjosh më mirë, të përkapësh më mirë të tashmen e shpërfillur[10].

Teksti na dëshmon një kthesë të rëndësishme që po ndodh në shkencat për njeriun: jo më «“centrizmi okular i Perëndimit”, i cili, duke filluar nga shekulli XVI e këtej, privilegjoi këtë shqisë për perceptimin dhe idetë mbi njohjen[11]», por dëftimi i një shtegu të ri teorik, i cili e vështron tashmë “tingullin si prani: ndërgjegjja orale si ndërgjegje tingullore[12]”. Ky shteg nuk mund të jetë i dobishëm vetëm për studime etnomuzikologjike, por mund të sjellë perspektivë tjetër dhe të re edhe në shkenca, si: folkloristika, etnografia, antropologjia, studimet letrare, madje edhe në një fushë si antropologjia gjuhësore, “ku veçojmë sidomos kontributin e lidhur me dimensionin akustik që shpesh gjendet i fshehur brenda elementeve të ndryshme gjuhësore”. Por duhet shtuar se ky shteg i ri nuk do të thotë braktisja e të vjetrit. Në fakt imazhi i ndërmarrjes së një udhëtimi të ri e të panjohur, ku të çon metafora e shtegut, ndoshta të bën të përfytyrosh një ndarje. Por është më fort një mjet tjetër që i shtohet vështrimit të studiuesit, një përmasë tjetër, e cila nuk i përjashton të parat. Përkundrazi. Është marrja në konsideratë edhe e kësaj përmase të harruar që mund të sjellë një këndvështrim të ri për objektin e hulumtuar. Jo vetëm produkti kulturor, i regjistruar me shkrim, por edhe përmasa e tij tingullore, por madje edhe njeriu që e realizon regjistrimin e aureales, aktin e shkrimit të një dëgjimi përmes një teknologjie të caktuar shpërndarjeje dhe transmetimi. Ky akt dhe njeriu që e realizon s’mund të lihen më jashtë studimit.

Së dyti, dallohet në këtë libër një ndryshim në perceptimin e folklorit, veçanërisht asaj pasurie të grumbulluar kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, e cila vlerësohej prej regjimit komunist një faktor i rëndësishëm në ideologjizimin e shoqërisë, element thelbësor brenda kulturës së re socialiste. Përgjatë kësaj periudhe, e cila mund të konsiderohet edhe si më e rëndësishmja në zhvillimin jo vetëm të folklorit, por edhe të etnografisë, veçanërisht etnomuzikologjisë, ana dëgjimore e krijimit nuk ka qenë në vëmendjen e studiuesve. Ishte mungesa e specialistëve që thelloheshin dhe hulumtonin në këtë fushë? A nuk ishte regjimi i kaluar në gjendje të përgatiste e formonte specialistë në fusha ku mendohej një interes shkencor i rëndësishëm? Mungesa tregon se qëllim nuk ka pasur. Folkloristika ishte kryesisht fushë letrare, e letraritetit, lidhur ngushtë kështu me letërsinë shqipe dhe studimet letrare.

Sot qëndrimi mund të ndryshojë, dhe duhet të ndryshojë, sepse folklori nuk mund të studiohet si një krijim i cungët – muzika, zëri, auralja, është pjesë e qenësishme e tij, ngjizur së bashku me oralen dhe zhvendosur në një kohë të caktuar nga dikush në përmasën letrare. Ky ndryshim në perceptim duhet të ndodhë edhe në kurrikulën e programeve universitare të letërsisë, edhe në atë të arteve, por edhe në ato të sociologjisë e antropologjisë. Kur unë e mbylla leximin e librit, e arsimuar prej vitesh në muzikë dhe më pas në formimin tim universitar për gjuhë shqipe dhe letërsi, mendimi i parë që më erdhi ishte: si nuk i paskam lidhur asnjëherë bashkë këto dy përmasa: fjalën dhe muzikën, pikërisht unë që mundesha ta bëja? Si mund të na i kenë mësuar kaq të ndara, aq sa m’u bë e natyrshme t’i shkëpusja tingujt e fëmijërisë së muzikuar nga fjalët e lexuara ndërsa rritesha? A do të vazhdojë kjo ndarje e pakuptimtë dhe e dëmshme si amputimi i një gjymtyre të shëndoshë?

Së treti, ky libër bashkon edhe dy qëndrime të rëndësishme për gjithë produktin shkencor dhe kulturor të arritur para viteve ‘90 në fushë të folkloristikës: njohje e vlerës shkencore të asaj që mund të quhet sot si tradita dhe objektivitet përballë krijimit ideologjik dhe të ofruar prej një kohe si “folklorik”, edhe me etiketën “folklori i ri”. Kjo për pasojë sjell edhe nevojën për rikthimin e detyruar te krijimi “natyror”, i origjinës, autentik dhe kështu edhe rivlerësimin e atij materiali të shumtë arkivor, letrar dhe audiovizual, në të cilin lind nevoja për të tëharrur dhe riklasifikuar.

Por nuk dua të zgjatem me përsiatje të natyrës shkencore. Një lexim tjetër, më vonë, do të ishte i natyrshëm për të marrë nxitje për hulumtime, për të konsoliduar ndryshimet e saponisura të këndvështrimit tim, ndoshta. Ajo që tani dua të mbetet tek unë dhe tek lexuesi i mundshëm i këtyre rreshtave të mi është synimi i vërtetë dhe i përmbushur i Mikaela Mingës – i vërtetë, se është rrëfyer prej saj, dhe i përmbushur sepse është i tillë tek unë. Ajo shkruan: «Ajo që synoja nuk ishte aq të “përditësoja” apo pasuroja fondin arkivor, sa të ndërmjetësoja që ai të lidhej me qytetin; të krijoja shtigjet për ritakimin e këtyre zërave me komunitetin prej nga ata ishin marrë dikur.[13]», dhe në këto shtigje të saj unë dëgjoj zërat e gjyshit, gjyshes, tim ati, shoh nënën që i ndizen sytë nga motivi i një kënge, dëgjoj ata burra në atë tryezë feste që kombinojnë zërat e tyre, atë grua që njeh jetën e saj në ato vargje të këngës shekullore.

Ç’u dëshirush me t’pa ty,
Fytyrën tande, mre xhanan…

Vij rrotull nëpër shtëpi, nëpër qytet, dhe në vete përtyp mendimin “Ç’formë gjuhësore qenka kjo ‘ç’u dëshirush’? Ç’bukuri kanë ruajtur kështu në këtë këngë? Sa zëra të tjerë po takohen tani me zërin tim ndërsa këndoj?”. Edhe ky mendim merr zë, edhe shndërrohet në një emocion me melodi: Oh ç’u dëshirush!


[1] Mikaela Minga, “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen. Elbasani në regjistrimet etnomuzikologjike të arkivit audiovizual – IAKSA”, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, Tiranë, 2020, 286 f.

[2] “Projekti mbi muzikën në Elbasan m’u caktua në momentin kur nisa punën si studiuese në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), në vitin 2014.”, po ajo, f.11.

[3] Po aty.

[4] Po ajo, f.107.

[5] Po ajo, f.108.

[6] Po ajo, f.112.

[7] Po ajo, f.267.

[8] Po ajo, f.250.

[9] f.115-116

[10] Këto radhë për dallimet teleologjike mes dy shqisave për mua janë vërtet sugjestionuese: “…dëgjimi na vendos brenda ngjarjes, shikimi na jep një perspektivë të ngjarjes; dëgjimi priret drejt subjektivitetit, shikimi priret drejt objektivitetit; dëgjimi na çon në botën e gjallë; vështrimi na çon drejt atrofisë dhe vdekjes; dëgjimi ka të bëjë me afektin, shikimi me intelektin; dëgjimi është në thelb një shqisë e kohës, shikimi është një shqisë e hapësirës; dëgjimi është shqisë që na zhyt brenda botës, shikimi është shqisë që na heq prej saj.”, shih f.35.

[11] Po ajo, f.34.

[12] Po aty.

[13] Po ajo, f.17.

Teuta Toska

Teuta Toska

23 Prill 2021

RSS
Ndiq me Email
Share