Kanë kaluar më shumë se 60 vjet që kur kriminelët e shkëputën dhunshëm nga jeta, martirin e kishës katolike lindore (e ritit bizantin), at’ Josif Papamihalin.Po, kush ishte at’ Josifi? Ai lindi në lagjen Kala të Elbasanit në shtator të vitit 1912 nga prindërit Alqiviadh (Avi) dhe Efemi. I rritur në një familje të ndershme qytetare, Josifi i vogël do të dallohej nga urtësia, sinqeriteti dhe zgjuarsia. Mësimet e para i mori në shkollën fillore (plotore) që ndodhet në oborrin e kishës orthodokse “Shën Maria” në Kala ku do të dallohej për inteligjencë dhe njëkohësisht do të binte në sy edhe për diçka tepër të veçantë.
Në festat fetare ai përshëndeste vetëm shqip si p.sh. Krishti u Ngjall (dhe jo në greqisht siç përdorej atëherë: Kristos Anesti). Po kështu, ai do të diskutonte me shokët dhe të afërmit se pse duhej që liturgjia dhe formulat e pagëzimit në kishë të thuheshin greqisht, pse ikonat dhe imazhet kishtare ishin të shkruara greqisht dhe jo në shqip e kështu me radhë. Kjo veçanti nuk do të kalonte pa u vënë re nga dy patriotët elbasanas Petër Bibaja (i njohur edhe si arkimandrit Vissarion Xhuvani) dhe Aleksandër Xhuvani, të cilët ndërhynë te prindërit e tij dhe, në vitin 1924 kur ishte vetëm 12 vjeç, e dërguan në gjimnazin teologjik “Benedikti XVI” pranë Abacisë Grottaferrata në Romë, Itali. Pasi mbaron këtë seminar, në vitin 1930 at’ Josifi filloi studimet në Kolegjin Papnor “Shën Atanasi” në Romë të cilin e mbaron në vitin 1936 dhe u diplomua për teologji e filozofi.
At Josifi ishte kuadri i parë fetar shqiptar dhe fatkeqsisht i fundit, që u arsimua për prift katolik i ritit bizantin, i ngjashëm me priftërinjtë e kishave arbëreshe në Kalabri dhe Siçili të Italisë. Siç u përshkrua më lart, ishte viti 1924 kur Josif Papamihali fillon jetën e re të seminaristit në Romë. Kjo përkon vërtetë me kohën kur patriotët shqiptarë kishin ndërmarrë një veprimtari të gjithanëshme për shkëputjen e kishës orthodokse shqiptare dhe shpalljen e autoqefalisë së saj nga kisha greke. Paralelisht me këto përpjekje, filloi edhe krijimi i kishës katolike lindore, me varësi nga Drejtoria Lindore e Vatikanit dhe jo nga Patriarkana e Stambollit. Synohej kështu që influenca e kishës greke në Shqipëri të merrte dy goditje njëherazi dhe të largohej përfundimisht nga besimtarët tanë orthodoksë. Mendohet se përpjekjen e parë për kishën katolike lindore apo edhe kishën Unite në Elbasan, e kishte nisur papa Jorgji Theohari (?) nga lagja Kala, me synim, që kjo lëvizje e re kishtare të përhapej më pas te besimtarët orthodoksë në zonën e Shpatit, tek të cilët laramanizimi fetar, si pasojë e tolerancës fetare të Islamit, kishte marrë dimensione trefishe: ata hiqeshin si myslimanë; praktikonin ritet orthodokse byzantine, si dhe kërkonin që të njihnin për të parë të fesë, Papën e Romës. […]
Në vitin 1928 u ndërtua mbi murin verior të kalasë edhe objekti i parë i këtij kulti të ri për vendin tonë, kisha katolike lindore “Shën Pjetri” e cila në atë kohë u drejtua nga prifti italian Pietro Scarpelli.
At Josifi pasi mbaroi studimet në moshën 24 vjeçare, shërben për disa muaj në kishat e komunitetit arbëresh në Kalabri dhe kthehet në fund të vitit 1936 në atdhe. Për më se 10 vjet rresht ai do t’u shërbejë me përkushtim atdhetar dhe fetar besimtarëve në Korçë, Elbasan, Lushnjë, Berat dhe përsëri në Elbasan e përfundimisht në Korçë. Në vitin 1941 dha mësim për disa muaj lëndën e gjuhës latine në shkollën laike që ndodhet brenda oborrit të kishës “Shën Maria” në Kala ku kishte kryer edhe vetë klasët e para të fillores.
Përfundimi i luftës së II Botërore dhe çlirimi i vendit nga zaptuesit e huaj u prit me hare nga i gjithë populli ynë, por askush nuk e mendonte se në vend kishte pllakosur si kolerë njëra nga diktaturat më të egra dhe më të urryera ndonjëherë. Me direktiva nga Beogradi dhe ndoshta edhe nga Athina, komunistët shqiptarë, që në ditët e para të pushtetit të ashtuquajtur popullor, seleksionuan me një zell dhe perfeksion makabër të gjithë nacionalistët, klerikët atdhetarë, si dhe intelektualët e papajtueshëm me ta dhe, i mbyllën nëpër burgje ku shumë prej tyre nuk dolën më të gjallë. Çuditërisht ky pogrom antishqiptar u realizua nga oficerët e Ministrisë së Brendshme, korridoret e së cilës në atë kohë gëlonin nga taborre vllaho-grekësh dhe shulesh (Kiço, Koço, Naçi, Nuçi, Risto, Spase etj.) të cilëve nuk u dhimbsej aspak gjaku shqiptar dhe që drejtoheshin nga famëkeqi Koçi Xoxe.
Të parët që do të binin në gijotinën sllavo-orthodokse-komuniste ishin klerikët e nderuar katolikë të Shkodrës dhe Veriut, me kontribute të shquara atdhetare, si: në letërsi, folklor, publiçistikë, përkthime, gjuhësi, traditë, mbledhjen e visareve të kombit etj. Pas tyre do të arrestoheshin klerikët orthodoksë, si: kryepeshkop Kristofor Kisi, (të cilin e helmuan për t’i hapur rrugën peshkopit komunist Paisi Pashko-Vodica); arkimandrit Vissarion Xhuvani ose kryemjeshtri i autoqefalisë së kishës orthodokse kombëtare shqiptare dhe i pari kryepeshkop i saj, që u dënua me 15 vjet burg. (V. Xhuvani del nga burgu në vitin 1962 në moshë thyer dhe tre vitet e fundit të jetës pas burgut, ky martir dhe apostull i kombit shqiptar, i kalon në mjerim të plotë, i braktisur, i dërrmuar dhe i harruar nga të gjithë, në Manastirin e Shën Joan Vladimirit në Bradashesh ku edhe është varrosur). Kriminelët e kuq, ndonëse në shumicën e tyre ishin injorantë, nuk gabuan dhe përzgjodhën kë të godasin, sepse për dreq edhe e Keqja i gjen arkitektët e saj.
At’ Josifi pati një fund më tragjik. Arrestohet në vitin 1946 në Korçë dhe akuzohet “se ka simpati për Perëndimin, se ishte i mendimit që Shqipëria duhej të ishte në aleancë me Amerikën dhe Britaninë e Madhe” etj. Bishat sllavo-komuniste e dënojnë me 5 vite burg me punë të detyruar në tharjen e kënetës së Maliqit. Puna e rëndë, ushqimi i pakët, kushtet e tmerrshme nën të ftohtin dhe vapën, mushkonjat dhe shushunjat, e thyen fizikisht at Josifin. Ai u rrëzua një ditë teksa shkonte në punë dhe nuk u ngrit më. Ushtarët e burgut të komanduar nga xhelati Stasi Marko e mbytën të gjallë në baltë duke e shkelur me këmbë. Jeta e at’ Josifit u shua teksa zhytej në llucë, pa klithma por me një buzëqeshje të lehtë e të pastër si prej shenjti, ai dukej sikur donte të sfidonte vdekjen, ndërsa shpirti i tij i lirë fluturoi amshueshëm në qiell për t’iu afruar Krijuesit. E megjithatë, dikatatura nuk do të mjaftonte vetëm me kaq. Në vitin 1954 arrestohet në Tiranë edhe njëri nga vëllezërit e tij, Kostaqi, i cili u akuzua me shpifje të montuara si “sabotator i ekonomisë” dhe u dënua me vdekje. Ai vdiq që në hetuesi gjatë torturave. Fatkeqsisht ende sot të dy vëllezërit nuk kanë varr dhe, eshtrat e tyre nuk dihen ku prehen, ndonëse të afërmit janë përpjekur pa reshtur për t’i gjetur…
Kanë kaluar më shumë se 6-dhjetëvjeçarë që nga ajo kohë dhe shumë gjëra janë harruar, por në kujtesën e një kombi duhet të zenë vend të gjithë ata që e deshën dhe iu përkushtuan Atij deri në flijim, sepse në të kundërt, duke i lënë në harresë, të anatemuar dhe të shpërfillur duket sikur po i rivrasim.
Sot është e pafalshme që dëgjon njerëz që pyesin se “kush është ky at’ Josifi, po ky Vissarion Xhuvani, çfarë kanë bërë ata” etj. Mendoj se të gjitha ato institucione, lagje apo edhe shkolla që mbajnë emra personash, duhet të kenë edhe një kënd të vockël në ambientet e brendshme të tyre ku të shkruhet diçka për jetën e atij personi, kontributin që ka dhënë për qytetin dhe atdheun. Ne të gjithë duhet të përkulemi me devocion para këtyre martirëve.
Botuar fillimisht në gazeta “Elbasani”, Qershor 2009
Bukurosh Dylegjeri
Elbasan, Prill 2021