Në historinë mesjetare shqiptare – para pushtimit osman – përmenden disa familje fisnikësh, si: Spanët, Thopiajt, Muzakët, Dukagjinët, Gropajt, Kastriotët etj, por rrallë ose aspak përmenden, Arianitët. Është fjala për Gjergj Arianitin, i cili rrjedh nga dera e Arianitëve, që hamendësohet se ishin themeluesit dhe sundimtarët e “Shtetit Arbën” (?) në zonën e Elbasanit.
Sipas çdo gjase, fisi i Arianitëve e ka prejardhjen nga Shqipëria e Mesme dhe me një farë sigurie mund të pohohet se Gjergj Arianiti, duhet të ketë qenë rreth viteve 1443 zot i Çermenikës, i pjesëve nga Mokra dhe Shpati e gjithashtu kishte prona në Shqipërinë e Mesme, në Lindje të Elbasanit të mëvonshëm.
Nga dy martesa, Gjergj Arianiti pati 13 fëmijë, por vetëm njëri nga djemtë e tij u konvertua në islam, ndryshe nga fisnikët e tjerë shqiptarë të kohës që u kthyen me shumicë.
Gjergj Arianiti i shkaktoi osmanëve të parën disfatë vendimtare në vitin 1433, kur në qafat akrokeraune të Kurveleshit ai gozhdoi dhe rraskapiti forca të konsiderueshme armike. Në vitin 1434, një ushtri osmane nën urdhërat e guvernatorit të Shkupit dhe pasues i pashait të famshëm Jigit–bej, shkatërrohet me themel përgjatë Shkumbinit nga Gjergj Arianiti dhe njerëzit e tij.
Për 6 vjet, ai gjendet ngado duke ndjekur ushtritë osmane, herë në Shkumbin, herë në Voskopojë dhe herë në Tepelenë. Në vitin 1443-44, ai i sulmon osmanët në afërsi të Elbasanit të sotëm. Në vitin 1451 hyn në aleancë me Alfonsin V të Napolit, ndoshta i trembur nga fitorja osmane mbi ushtrinë e krishterë, në Varna të Bullgarisë.
Pas vitit 1455, emri i Gjergj Arianitit zhduket nga vjetarët e historisë tonë dhe, që këtej e tutje lavdëronin vetëm emrin e dhëndrrit të tij, Gjergj Kastrioti Skënderbej – Heroit tonë Kombëtar.
Familja Arianiti mbijetoi për 500 vjet, por sot pak dinë për të. Madje një pinjoll i tyre i quajtur Kostandin Arianiti, arriti të bëhet ambasador i Vatikanit. Këtë na e thonë të huajt pa kurrfarë xhelozie, interesi apo mllefi. Ndërsa ne heshtim!
Shqipëria e Mesme dhe veçanërisht zona përreth Elbasanit të sotëm, duhet të mburren se ishin të parët që u përleshën me ushtrinë osmane, ushtrinë më të fuqishme mesjetare.
(Franz Babinger – Fundi i Arianitëve)
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Maj 2021