/

Elbasani në Kronikat Osmane

Kronikat osmane, anonime apo me autorë, paraqesin një material të bollshëm për historinë e vendit tonë e veçanërisht të Elbasanit. Në të shumtën e rasteve këto kronika janë shkruar nga kronistë që shoqëronin ushtritë osmane gjatë mësymjeve të tyre në Rumeli duke mbajtur shënime të sakta deri në detaje për betejat e zhvilluara, si dhe karakteristika të veçanta për vendet e popujt e këtij rajoni. Kronikat janë të shkruara me alfabet arab, në gjuhët turke, perse dhe osmane. Nga pikëpamja gjuhësore tekstet në fjalë janë në prozë dhe poezi duke respektuar traditën poetike arabe përplot me figura letrare të bukura.

1260 pamje
16 minuta lexim

Në Ndihmë të Historisë

Kronikat osmane, anonime apo me autorë, paraqesin një material të bollshëm për historinë e vendit tonë e veçanërisht të Elbasanit. Në të shumtën e rasteve këto kronika janë shkruar nga kronistë që shoqëronin ushtritë osmane gjatë mësymjeve të tyre në Rumeli duke mbajtur shënime të sakta deri në detaje për betejat e zhvilluara, si dhe karakteristika të veçanta për vendet e popujt e këtij rajoni. Kronikat janë të shkruara me alfabet arab, në gjuhët turke, perse dhe osmane. Nga pikëpamja gjuhësore tekstet në fjalë janë në prozë dhe poezi duke respektuar traditën poetike arabe përplot me figura letrare të bukura. Megjithatë, në këto kronika vihen re edhe pasaktësi të dorës së dytë, si mospërputhje kohore, ngatërrime emrash, vendesh etj. Po ashtu, të prirur nga glorofikimi i “luftës së shenjtë” të ushtrive perandorake, disa kronistë japin konsiderata të fryra për sukseset e ushtrive osmane dhe njëkohësisht heshtin apo përmendin shkarazi disfatat e tyre. Hamendësohet se kronistët osmanë i kanë shkruar këto kronika me urdhër të sulltanit ose për të përfituar favore prej tij.

  1. KRONIKAT ANONIME “….pastaj në vendin e shqiptarëve, pranë Buzurshekut bëri një kështjellë. Asaj, ia vuri emrin Ilbasan. Kjo ndodhi në vitin 871 të Hixhrit (v.1466)…”. (Shënim: Në të vërtetë, sipas pllakave datuese të gurta në kalanë e Elbasanit, shënohet viti 870 i Hixhrit si viti i rindërtimit të kalasë së Elbasanit. shën. im).

2. DERVISH AHMED ASHIKU i njohur përndryshe si ASHIK PASHAZADE (1400 – pas vitit 1484) është autor i librit historik “Histori e dinastisë osmane”. “…gjithashtu padishahu bëri një kështjellë në mes të vilajetit të shqiptarëve. Emrin asaj ia vuri Ijlbasan. Në atë kështjellë vendosi luftëtarë…”.

3. MEHMET NESHRI (?) është autor i librit historik Cihân –Nümá (Treguesi i botës). “…sulltani mu në mes të vilajetit shqiptar ndërtoi një kështjellësë cilës i vuri emrin Ijlbasan. Atë kështjellë e mbushi me luftëtarë me qëllim që të sulmonin të pafetë e krahinave përreth. Data e kësaj fitoreje është viti 870 Hixhri (1466)….”.

4. TUR SINA i njohur përndryshe si TURSUN është autor i librit historik Tarih i ebu’l feth (Historia e atit të pushtimeve). “…mbas kësaj shfarosjeje u pa e arsyeshme që të merrej kjo masë: në fushën e Jondës (Jundit), e cila është kërthiza e vendit të shqiptarëve, të ndërtohej një kështjellë e fortë. Përnjëherë besnikët e madhërisë së tij, sipas urdhërit hodhën themelet e një kështjelle të papushtueshme në formë katrore, […]. Ata e përfunduan ndërtimin brenda një kohe të shkurtër. (Dy vargsh) Ajo ishte një kështjellë që nuk shquhej dot prej reve Nuk mund të dallohet nëse kullat e saj janë re apo bedena. Rrethet e atij vendi janë male të thepisura dhe gryka. Por, të pafetë e ashpër kanë shumë nevojë për këtë fushë. Në të vërtetë është një vend I këndshëm me shumë ujë të rrjedhshëm dhe I përshtatshëm për bujqësi. Meqenëse populli ishte I bindur se ky vend do të lulëzonte, erdhën këtu nga çdo anë myslimanë, ndërtuan banesa dhe u vendosën aty. Në përputhje me pozitën e tij, atë e quajtën Ilbasan. Deri më sot ky vend është aq I lulëzuar sa që I shëmbëllen për hijeshi Shtëpisë së Lulëzuar (Qabeja)…”. “…ngatërrestarët e atij vilajeti të mashtruar nga dredhitë e atij djalli, vende-vende ngritën krye dhe mbasi u bashkuan me atë kryengritës, vunë si synim të sulmonin kështjellën e Elbasanit, lartësia e së cilës shkon deri në qiell…”. (Shënim: Sipas shumë burimeve historike Skënderbeu e rrethoi kështjellën e Elbasanit aty nga muajt prill – maj 1467 por nuk mundi ta pushtojë atë. Gjithashtu, në fund të periudhës Bizantine me toponimin Fusha e Jondës (Jundit) ose fusha e Kalit, njihej Fusha e Elbasanit në luginën e lumit Shkumbin. Me këtë emërtim e njohën edhe osmanët fushën e mësipërme. Hamendësohet se shumë kohë më parë, aty janë zhvilluar panaire për shit-blerje kuajsh, prej nga i mbeti ky emër, pra e Fusha e Kalit). “…të pafetë që ishin strehuar në malet e thepisura që ndodhen përreth kështjellës së Elbasanit u lanë lamtumirën vendeve të tyre dhe zbritën në fushën e fortesës. Ata krijuan fshatra dhe ara. Ajo fushë u lulëzua dhe u bë vend sigurie…”. (Shënim: Ky është ndoshta i vetmi informacion në kronikat osmane që dëshmon mbi fillesat e ndërtimit qytetit të Elbasanit jashtë kështjellës me banorë vendas).

5. IDRIS BITLIS (? – 1520) është autor i librit historik në persisht Heşt Behişt (Tetë parajsat). “…për të vendosur rendin në një vend të këtillë plot paudhësish e trazirash, sulltani urdhëroi ngritjen e një fortese të fortë, më të fortë nga të gjitha fortesat që ishin në botë…”. (Shënim: Bëhet fjalë për ndërtimin e kështjellës së Elbasanit). “…e gjithë ushtria e islamit u grumbullua në vendin e quajtur lugina e Buzurshekut (fusha e Bushekut), lumi i së cilës s’e kishte dëgjuar kurrë hingëllimën e kalit të huaj dhe që për shkak të maleve e të krepave të larta që e rrethonin atë, për shkak të rrugës së vështirë e plot rreziqe…”. (Shënim: Autori i referohet vendit të quajtur Bushek, pranë Elbasanit). “…në vitin nëntëqind e tetë (1502) sanxhaku kufitar i Elbasanit i ishte besuar pasardhësit të sanxhak-bejlerëve militantë, Mehmet beut, birit të Isa bej gaziut…”.

6. KEMAL PASHAZADE (1468 – 1534) emri i vërtetë i të cilit ishte SHEMS-ED-DIN AHMET, i njohur edhe si IBN KEMAL është autor i librit historik Tevárih-i ál-I ‘osman (Historitë e dinastisë osmane). “…me qëllim që të mbrohej vilajeti i sipërpërmendur, [sulltani] urdhëroi që në mes të atij të ndërtohej një kështjellë dhe aty të vendosnin disa qindra trima të sprovuar, me qëllim që të vëzhgonin vendin rreth e qark, duke qenë vigjilentë natë e ditë dh eta mbronin kështjellën. Kështjella në fjalë u themelua në një fushë që ishte e njohur me emrin fusha e Jondës (Jundit) e cila kishte një formë katrore, aty klima dhe uji ishte fort i mirë, horizonti i saj përfshinte një luginë të gjelbëruar e të begatshme…”. “…me vendosmëri të plotë ai synoi të marrë kështjellën e ndërtuar në fushën e Jondës (Jundit), së cilës i ishte vënë emri Ilbasan, meqenëse ajo ishte një mjet shtypës për banorët e atij vendi turbullirash…”. “…megjithëse Iskënderi mblodhi të gjithë trimat dhe të pafrenuarit e shqiptarëve dhe hyri në fushën e Jondës (Jundit), prapë së prapë hoqi dorë…”. (Shënim: Në dy vargjet e mësipërme, autori i referohet sulmit të Skënderbeut mbi kështjellën e Elbasanit në prill-maj 1467). “…në vilajetin e shqiptarëve ka një vend me natyrë jashtëzakonisht të ashpër të njohur me emrin Buzurshek, në të cilin nuk kishte shkelur as këmba e luftëtarëve më të shpejtë…”. (Shënim: Autori i referohet vendit të quajtur Bushek, pranë Elbasanit). “…në këtë mënyrë shtylla e fortë e kryengritësve të atij vendi u thye dhe kryengritësit që ndodheshin nëpër male zbritën ndër fushat dhe ju nënshtruan frenave të urdhërit të sulltanit. Shumica e tyre u vendosën dhe gjetën qetësi në fushën e Jondës (Jundit)…”. “…aty vepronin lirisht kusarët dhe gjakderdhësit e nahijes së Elbasanit…”

7. NISHANXHI (? – 1571) emri i të cilit ishte RAMAZAN ZADE MEHMET ÇELEBI është autor i librit historik Tárih-i Nişanci (Historia e Nishanxhiut). “…u ndërtua kalaja e Elbasanit në vitin 870 (1466) dhe në vitin 871 u krye fushata kundër vilajetit të Shqipërisë…”.

8. HOXHA SADDEDIN (1536 – 1599) emri i plotë i të cilit ishte HOXHA SAD-ED-DIN B, HASAN XHAN B, HAFYZ MUHAMMED ISFAHANI, i konsideruar ndër historianët më të dëgjuar osmanë. Është autor i librit historik Tâc—üt-tevârih (Kurora e historive). “për këtë arsye u urdhërua që si masë paraprake, të ndërtohej një kështjellë e fortë ku të vendosej popullsi myslimane. Ndërtimi i saj u arrit për një kohë të shkurtër. Asaj i vunë emrin Ijlbasan…”.

9. ALI (1541 – 1600) emri i plotë i të cilit është MUSTAFA B, AHMED B, ABD AL-MAVLA ÇELEBI është autor i librit historik Künh-ül-ahbâr (Bërthama e lajmeve). “…Mehmet beu, i biri i Isa beut, i cili natyrisht ishte një trim ngadhënjimtar, i shquar midis luftëtarëve, në kohën kur ishte miriliva në kufinjt e livasë së Elbasanit kishte qenë gjithmonë i shqetësuar për pushtimin e kalasë së Durrësit…”. *

(Referuar “Lufta shqiptaro – turke në shek. XV”, burime osmane, botim i Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i gjuhësisë, Tiranë 1968).

Bukurosh Dylgjeri

b_dylgjeri

Elbasan, Mars 2017

RSS
Ndiq me Email
Share