//

Një Urim Për Bajram – Venemini te Shefqet Vërlaci

Jemi në Elbasan rreth viteve të parë të shek. XX. Atë ditë për të cilën po flasim ishte ditë Bajrami dhe festën e qytetarëve myslymanë të qytetit e festonte edhe popullsia kristiane ashtu siç ndodhte që edhe për Pashkë, ku myslymanët e veshur për ditë feste shkonin për vizitë te kristianët dhe i shifshe duke dalë prej tyre me vezë të kuqe ndër duar si shenjë urimi duke i bërë të lumtur fëmijët e tyre që i pritshin në shtëpi.

1262 pamje
9 minuta lexim

Jemi në Elbasan rreth viteve të parë të shek. XX. Atë ditë për të cilën po flasim ishte ditë Bajrami dhe festën e qytetarëve myslymanë të qytetit e festonte edhe popullsia kristiane ashtu siç ndodhte që edhe për Pashkë, ku myslymanët e veshur për ditë feste shkonin për vizitë te kristianët dhe i shifshe duke dalë prej tyre me vezë të kuqe ndër duar si shenjë urimi duke i bërë të lumtur fëmijët e tyre që i pritshin në shtëpi.

Kështu që dhe për Bajram, kristianët e Lagjes Kala, të veshur më së miri shkojshin për vizitë te familjet e myslymanëve e ku priteshin me të gjitha nderimet e rastit. Por këtu do të flasim për një vizitë diçka të veçantë, atë në shtëpinë e Shefqet Verlacit që mund ta karakterizojmë si pronar të Elbasanit si dhe pronar i gjithë fshatrave të krahinës së Dumresë. Te ky person qe vendoste për jete a vdekje në qytetin e Elbasanit, shkonin çdo vit për të uruar Bajramin gjithë paria e kristianëve, d.m.th. të atyre që ishin më në gjendje ekonomike.

Midis tyre gjendej një person i cili nuk e duronte dot Shefqet Verlacin dhe nuk i kishte shkelur kurrë në shtëpi, as për të mirë e as për të keq. Por për parinë kristiane të Lagjes Kala ishte e leverdisshme që ta kishin mirë me këtë bej të fuqishëm dhe e panë të udhës ti shkojnë në dyqan këtij personi dhe i thanë:

– Dëgjo këtu o Venemin, e ke gabim që nuk i shkon për vizitë Shefqet Beut. Kjo është vizitë për Bajram, që është festa e të gjithë myslymanëve, prandaj çohu, shko vishu dhe hajde të shkojmë të gjithë bashkë e ta urojmë.

Ju mbush mendja Veneminit dhe shkoi u vesh dhe të gjithë bashkë, rreth 15 vetë shkuan ta urojnë Shefqet Verlacin. Shtëpia e Verlacëve ishte një shtëpi e madhe me një sallon shumë të madh ku ishin vendosur rreth e qark karriget për vizitorë. Çunat e rinj me tabaka ndër duar kalonin sa te njani e te tjetri grup duke shërbyer.

Kjo shtëpi mbas lufte shërbeu si Komitet Partie, ndërsa gjatë kohës së luftës kishte shërbyer si shtëpi pritje për njerëz të nderuar. Ketu ka fjetur e bija e Duçes, e shoqja e Konti Cianos, Eda Musolini kur erdhi për një vizitë të shkurtër në Shqipëri.

Sapo përfaqësia e të krishterëve të Lagjes Kala u çfaq në derën e sallonit, Shefqet Verlaci i hodhi një sy pjesëmarrësve kur po hynin një e nga një dhe vuri re me habi se aty ishte dhe Venemini, armiku i tij që s’mund ta shifte me sy dhe meqë ju dha rasti, i shkoi ne mendje ta vejë në lojë. Sapo burrat u ulën, u shërbye kafja e ndërkaq Shefqet Beu duke ju drejtuar veçanërisht Veneminit i thotë:

– Po si je more Venemin? Më në fund ma gjete derën. Shif sa bukur e festojmë ne Bajramin. Ju të krishteret kini mbetur shumë pak, pothuaj shumica e Elbasanit jane myslymanë, dhe jo vetëm Elbasani por e gjithë Shqipëria është si na. Edhe ju do bëni mirë të ktheheni në myslymanë e të bëhemi të gjithë njësoj.

Venemini, ashtu siç ishte duke e pirë kafen, e uli filxhanin mbi tavolinë dhe i drejtohet Shefqet Beut:

– Shefqet Bej, ne shqiptarët që në fillim u ndamë në tre grupe. Grupi i parë ishte grupi Atdhetar, i cili duke mos e duruar turkun që po zaptonte Shqipërinë, ikën nga ky vend dhe u vendosën në Itali dhe quhen Arbëreshë; grupi i dytë jemi na të krishterët që megjithë zaptimin turk nuk e ndërruam fenë e vazhdojmë të rrojmë me nder e me ballin lart. Ndërsa grupi i tretë është grupi i servilëve që per ta pasur mirë me turkun u kthyen në myslymanë.

Me të mbaruar këto fjalë u ngrit e iku nga salla, pa përshëndetur asnjeri dhe pa e mbaruar kafen, e u kthye përsëri në dyqanin e tij.

Me të mbaruar vizitën shokët e tij i erdhën në dyqan dhe i thanë se bëre gabim që fole ashtu. Megjithatë, u ba si u ba, ti mirë ja bane, e meritonte, por tashti duhet të kesh kujdes se Shefqet Verlaci nuk e ka për gjë të dërgojë ndonjë nga trimat e tij e të të këpusi nje koqe plumbi.

Venemini siç e mendoi mirë e mirë këtë porosi, u çua dhe aty për aty u nis direkt për në Durrës ku i hypi vaporit dhe u arratis për në Itali. U kthye shumë vjet më vonë kur gjakrat ishin ftohur, por gjithmonë mbeti po ai njeri inatçi që grindej me të gjithë, dhe nga kjo gjendje stresi e pësoi mbasi vdiq, siç duan të thonë, nga një Angina Pectoris.

Robert Cipo

                                                                                                                Tregim i kallëzuar nga Genc Xhuvani

RSS
Ndiq me Email
Share