Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të parë me tubo metalike në Elbasan përfunduan në vitin 1938. Kjo vepër shumë e dobishme publike, u përjetua nga elbasanasit si një festë dhe ngado shpërtheu hareja, sapo uji rrodhi nga duqet e çezmave, në shtëpitë dhe rrugët e qytetit.
Financimi për ndërtimin e këtij ujësjellësi u bë krejtësisht nga tregtarët dhe zejtarët e qytetit, të cilët paguan monedha floriri, sipas dëshirës dhe mundësive ekonomike. Komisioni i ngritur për këtë qëllim, kishte hartuar një listë me emrat e zejtarëve dhe tregtarëve, si dhe shumën e hamendësuar që mund të ofronte secili prej tyre.
Asnjë tender, ankand apo forma të tjera ku mund të lulëzonte korrupsioni. Asnjë fond shtetëror. Gjithçka u krye në mirëbesim dhe pa më të voglën humbje. Megjithatë, unë nuk kam mundur të siguroj dokumente, si: për komisionin organizator, cila shoqëri i kreu punimet dhe kohëzgjatja e tyre, listat me bamirësit që dhuruan dhe sa monedha të arta dha secili etj. (Ime amë më ka treguar, se gjyshi i saj Arif Dardha – kryetari i të parës Dhomë Tregtie në Elbasan – ishte caktuar të dhuronte 50 napolona flori. Ai dha me dëshirë dyfishin e tyre, sepse ndjenja e bashkësisë ishte mjaft e madhe atbotë. Njëjtë me të vepruan edhe shumë zejtarë e tregtarë të tjerë).
E rëndësishme është se asnjë prej tyre nuk u mburr për dhurimin dhe kurrë nuk e përmendën atë mrekulli bamirësie, e cila sot duket si përrallë. Njerëzit e asaj kohe ishin shumë më njerëzorë. Uji i pijshëm u sigurua nga burimet e fshatit Griqan rreth 5 km në lindje të qytetit dhe për dërgimin e tij deri në Elbasan, u shfrytëzua rrjedha e lirë. Me këtë rast, në kryqëzime të ndryshme të rrugëve në qytet u ngritën disa çezma publike.
Disa prej çezmave publike:
1- Çezma e Gurabardhes (nuk ekziston).
2- Çezma e Terezijes (nuk ekziston).
3- Çezma e Kishës (Kala, ekziston por jo funksionale)
4- Çezma e Dokuzes (nuk ekziston).
5- Çezma e Bobolles (nuk ekziston).
6- Çezma e Rrugës së Rrapit (nuk ekziston).
7- Çezma e Rrapit të Bezistanit (nuk ekziston).
8- Çezma e Koçiut – te Tri Urat (nuk ekziston).
9- Çezma e Re – para se të shkosh te Kryqëzimi i Cërrikut (nuk ekziston).
10- Çezma e Papajanit (Kala, nuk ekziston) etj.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Qershor 2021