Mësues i Merituar – Mirënjohja e Qytetit
Sot, fatkeqsisht u shua në moshën 80-vjeçare, “Mësuesi i Merituar”, Sami Domni.
Ka lindur në vitin 1942 nga një familje tregtare elbasanase. Edhe pse doli në pension, për të nuk kishin rëndësi vitet që bartte mbi supe. Ashtu i urtë, i palodhur ai e kishte lidhur jetën përfundimisht me arsimin, veçanërisht me shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” ku ka punuar pa ndërprerje për 30 vjet mësues i vizatimit. Samiu nuk u shkëput dot nga arsimi dhe me veprimtaritë që lidhen me arsimin. Ai nuk la asnjë aktivitet arsimor pa ndjekur dhe dokumentuar.
Shkonte kudo pa u mërzitur dhe shpesh me shpenzimet e veta, nëpër shkolla të ndryshme, takime të mësuesve veteranë dhe efektivë, familje të arsimtarëve të ndryshëm, me qëllim që të plotësonte e sistemonte aktivitetin dhe jetën e tyre, ngritjen e këndeve fotografike të mësuesve dhe veprimtarëve elbasanas të arsimit. Megjithëse në moshë relativisht të thyer, mësues Samiu e vazhdoi këtë punë me një përkushtim dhe dashamirësi të pabesueshme.
Ai ka qenë ideatori dhe organizatori i ngritjes së muzeut te shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, i vlerësuar në nivel kombëtar për seriozitetin dhe rigorozitetin e treguar. Është autor i “Metodika e vizatimit, klasa V-VIII”, albumin historik “80 Vjetori i shkollës “Naim Frashëri”, librin “Pasaporta e shkollës”, ka botuar 172 artikuj me karakter metodik e studimor për arsimin, për të janë botuar në shtyp 18 shkrime vlerësuese, si dhe janë transmetuar 6 kronika televizive, ka botuar libërthin “Mirënjohje” për 115 mësuesit elbasanas me titujt “Mësues i Merituar” dhe “Mësues i Popullit” duke na dhënë në mënyrë të përmbledhur jetëshkrimin e secilit prej tyre. Këtë botim modest, por me vlerë, unë jam me fat që e kam të dhuruar me autograf nga vetë mësues Samiu.
Gjithashtu, ai ka krijuar këndin fotografik të gjithë drejtuesve të arsimit në vite të Elbasanit, që është ekspozuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale. Sami Domni ka mbaruar fillimisht gjimnazin e Shkodrës për vizatim, por nuk mundi të vazhdojë më tej për shkak të biografisë.
Fillon punë arsimtar në fshatin Mollas të krahinës së Sulovës për pak vite. Më pas kthehet në Elbasan dhe drejton për 6 vjet Repartin e Pikturës për moshat e vogla. Arrin të përfundojë studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik në Elbasan. Për 26 vjet ai drejtoi komisionin metodik të lëndës së vizatimin në bazë rrethi. Ka qenë për 14 vjet anëtar i kolegjiumit të revistës “Pionieri” që shumë nga ne e mbajnë mend etj.
Për punën e tij, Bashkia Elbasan e ka nderuar me titullin e nderit “Mirënjohja e qytetit”. Nderimet dhe respektet tona për këtë qytetar me të vërtetë dinjitoz!
Sami Domni do të kujtohet edhe nga ne dashamirët e tij, si njeriu model, familjari i kujdeshëm dhe qytetari i përkryer. Ai do të kujtohet përherë si i vetmi mësues te ne, që bëri një punë të shkëlqyer dhe fort të çmuar: muzeun e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, e padëgjuar kjo më parë. Ç’duhet të bëj më shumë një njeri në jetën e tij për qytetin dhe arsimin?Lamtumirë, mësues Sami Domni!
(Postuar fillimisht me pak ndryshime, në muajin Mars 2015)
Bukurosh Dylegjeri
Elbasan, Prill 2021