Ndodhet në vendin e quajtur Kalaja, në fshatin Mollagjesh të krahinës së Funarit, Elbasan. Legjenda thotë se, thellë ndër shtresëzime shekujsh të humbur, disa krushq që kishin marrë nusen në një fshat përtej, ishin rrugës së kthimit për në shtëpinë e dhëndrrit. Papritur, ata i zuri shiu i rrëmbyer dhe për t’u mbrojtur, u futën në këtë shpellë. Teksa ishin duke hyrë me nxitim njëri pas tjetrit në grykën e ngushtë të shpellës, një nga krushqit u pengua dhe u dërrmua. Për këtë shkak, ai e shau dhe e mallkoi shpellën (dialekt. e troi, e ka true). Shpella nuk e “duroi” këtë mallkim dhe aty për aty “u hakmor” duke i shndërruar ata në gurë, bashkë me nusen lart në kalë. Ndëshkimi ishte kolektiv dhe fatal. Krejt ata u mbytën… humbën brenda kësaj shpelle dhe askush nuk u kthye i gjallë në shtëpinë e dasmës, ku po i pritnin me aheng e me muzikë. (dialek. u mytën, mbytën).
Ende sot, si dëshmi e kësaj gojëdhane, brenda në shpellë ndodhen disa formacione shkëmbore të ngurtësuara, me pozicione të habitshme, të cilët, rrëfenja popullore e zonës i trajton si, “ata, krushqit e mbytur” të legjendës. Simbolikë ngjethëse! Prej kësaj ndodhie, mbeti emri i shpellës: Shpella e Mytjes (mbytjes).

Përtej legjendës, shpella në fjalë është e frikshme, drithëruese, me hyrje të ngushtë në formë harku dhe me pjerrësi për poshtë. Guva, në brendësi të saj është e mbushur me stalagmite me forma të çuditshme, kolona dhe silueta të përdredhura, të shpërndara në dysheme dhe në muret e saj, në mënyrë të çrregullt.
Po ashtu, nga tavani i kësaj shpelle varen teposhtë shumë stalaktite, madhësitë e ndryshme dhe format marramendëse të tyre, të ngjallin kureshtje, por edhe ankth e frikë njëherësh.
Pas ndonja 30 – 40 metrave në brendësi të shpellës, tavani është mjaft i lartë dhe, ndahet në dy kate vertikale, janë dy degëzime njëri mbi tjetrin. Ajri i rëndë e i lagësht, si dhe ndikimi vdekatar i përmbajtjes së legjendës, të shkakton një si trazirë dhe të nxit për t’ia mbathur sa më shpejt prej saj. I gjithë ky ansambël nëntokësor gurëzimesh të përçudnuara, në brendësi të kësaj shpelle me emër tmerrues, të fut krupën. Të përftuar prej shekujsh nga kullesat e ujërave gëlqerorë, këto figurina abstrakte të pakohë që duken si të lëpira, herë të mahnitshme dhe herë të trishtueshme, të japin vetëm pështjellime e ndjesi të liga.
Për një çast ndalem aty thellë shpellës dhe vërej stalagmitet e stalaktitet e saj, që më shëmbëllejnë si personazhe të shtangur në përjetësinë e tyre të ngurtësuar e, pastaj me hidhërim, përfytyroj lemerinë dhe gjëmën e fatzinjve që u mbytën aty…
Nuk dihet gjatësia e kësaj shpelle, pasi askush nuk i ka shkuar deri në fund, por gojëdhanat e banorëve thonë se “dikur aty hyri një mace, e cila doli në fshatin Gjorm, disa kilometra më në Jug dhe, pranë tuneleve të autostradës së sotme Elbasan – Tiranë”.
Stalagmitet dhe stalaktitet e kësaj shpelle, kohët e fundit janë bërë pre e vjedhjeve dhe plaçkitjeve të ndryshme.
Edhe pse subjekti i kësaj legjende ka një ndërthurje të jetës me vdekjen (krushqit, nusja, mbytja e tyre etj), siç shihet, përfundimi nuk është aspak festiv apo i gëzuar. Megjithatë, legjenda bën pjesë në fondin e pasur etnokulturor të zonës sonë dhe element i veçantë i kulturës së larmishme shpirtërore të krahinës së Funarit, që është vërtetë e pasur me, rrëfenja të vjetra, legjenda, mite, këngë, toponime të kahershëm, rrënoja antike etj.
Ajo, njëherësh, na kallzon dhe përforcon bindjen mbi prejardhjen dhe autoktoninë tonë të kamotshme në këtë vend, pasi vetëm formacionet etnike të lashta dhe sedentare, janë të lidhur fort me tokën dhe, “komunikojnë” me të, me mënyra nga më të pabesueshmet.
P.S. (Nga pikëpamja gjuhësore, në të folmen e sotme të banorëve të kësaj zone, folja “mbyt – myt”, përdoret vetëm për raste kur dikush humb jetën i mbytur në ujë, i mbytur nga gazi etj. Ka gjasa, që në kohëra të vjetra, kur zanafillon kjo legjendë, të jetë përdorur folja e mësipërme, mbyt – myt, për humbjen e jetës, në vend të foljes vdes, që përdoret sot).

Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, 8 Mars 2020
(Falënderoj mikun tim Sefedin Dika për ndihmën)



