/

Gropa e Tezes – Barometri i Elbasanit dhe Tezeu i Mitologjisë (!)

Ky shkëmb nuk është i shoqëruar me të tjerë përreth, por i vetëm aty, i heshtur dhe i frikshëm sa s’ka. I gjithë honi që krijohet nga lartësia dhe shtrirja e tij horizontale e deri poshtë te kodrat me ullinj, quhet nga ne: Gropa e Tezes. E zymtë ajo…. sikur fsheh legjenda të përhumbura e të fundosura ndër shekuj.

2393 pamje
10 minuta lexim

Titulli i këtij tregimi duket ndoshta pak grishës, por besoj që kureshtja do t’ju shtyjë të lexoni më tej. Ç’lidhje ka ky toponim me tezen, ose me barometrin që tregon motin, ku ndodhet kjo gropë, si qëndron e vërteta, po Tezeu i mitologjisë ç’do këtu?

Nëse kthehemi me shikim drejt veriut të qytetit, menjeherë në horizont dallohet qartë shkëmbi madhështor i Létanit. Me siluetë të çrregullt, rreth 800 m lartësi mbidetare, i shtrirë horizontalisht nga lindja në perëndim me gjatësi rreth 3 km. Është shkëmb i zhveshur, i zhuritur e shpërfillës, që i qëndron qytetit mbi krye si batinë e jashtëzakonshme. Ky shkëmb nuk është i pjerrët, por më shumë se aq. Ai është fare i thiktë e të duket sikur një dorë gjigante e ka prerë siç pritet djathi! Jo i kollajtë edhe për alpinistët më guximtarë e me shpirt aventure.

Ky shkëmb nuk është i shoqëruar me të tjerë përreth, por i vetëm aty, i heshtur dhe i frikshëm sa s’ka. I gjithë honi që krijohet nga lartësia dhe shtrirja e tij horizontale e deri poshtë te kodrat me ullinj, quhet nga ne: Gropa e Tezes. E zymtë ajo…. sikur fsheh legjenda të përhumbura e të fundosura ndër shekuj. Në fund të këtij honi të stërmadh natyror, shtrihen pranë e pranë fshatrat Létan, Bashabun dhe Rrilë.

Gropa e Tezes

(Në majë të shkëmbit të Létanit – e njohur nga vendasit me emrin Qyteza – arkeologët tanë kanë zbuluar gjurmë të një vendbanimi të hershëm ilir, si dhe një statuetë bronzi që i përket epokës antike. Ky objekt arkeologjik ndodhet i ekspozuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar).

Në traditën gojore të banorëve të Elbasanit, Gropa e Tezes ka marrë “vlerën” e barometrit, tregues i motit. Ne e dimë mirë që, kur vranohet e nxihet Gropa e Tezes, menjëherë duhet të marrim çadrën me vete, edhe nëse në qytet është mot me diell, dhe pavarësisht se, mund të jetë verë apo dimër, pranverë apo vjeshtë. Gropa e Tezes nuk na gënjen asnjëherë. Ajo nuk gabon! Ajo vetëm nxihet! Pa re të zeza, pa shkreptima e bubullima! E kur ajo nxihet e vranohet atje tej, këtu në Elbasan pas ndonjë ore ia kërcet shiu pa prâ’.

Gojëdhanat dhe traditat e banorëve vendas nuk na japin fare asnjë shenjë pse e ka marrë këtë emër të çuditshëm. Ç’lidhje ka moti dhe tezja – njeri i farefisit – me këtë toponim, por që dukshëm nuk i përket fondit të huazuar?! Po Tezeu?! Rastësisht, një shoku im i cili quhet Sasha Tepelena, më tha një ditë që ky vend dikur ka gjasa të jetë quajtur Gropa e Tezeut (të mitologjisë – Theseus), por që ka mbërritur në ditët tona në formën: Gropa e Tezes!!! Shtanga! Nuk e besova! Por, meqenëse nuk jam mësuar të pranoj apo të flak në mënyrë të menjëherëshme asgjë, u përpoqa të mësoj diçka më shumë rreth kësaj grope misterioze, tashmë me dy me emra të çuditshëm. Mendja ime u vu në dyshim. Të jetë ngjashmëri fjalësh, Gropa e Tezes dhe Tezeu, apo diçka më shumë?! … Vërtet e rëndë për mua ta ndaj këtë gjë. Mirëpo unë e di saktë se historia në përgjithësi është grumbull interpretimesh e që shpesh trajtohen edhe subjektivisht, por ama veçanërisht interpretimet etimologjike janë “humnera” së cilës i druhen edhe gjuhëtarët më të zotë… ! – Ç’më gjeti?! Pse dreqin u futa në këtë qorrsokak?! – thashë me vete.

Sipas mitologjisë, Tezeu ishte një luftëtar trim dhe i fuqishëm, kreshnik i Athinës së lashtë, bir i Egjeut ose Poseidonit dhe Etra, mik besnik i Herakliut me të cilin luftoi kundër amazoneve dhe siguroi unitetin e qytet-shteteve helene (Wikipedia).

Tezeu

Pra, për Tezeun në rastin tonë, kemi një mospërputhje të dukshme midis mitologjisë (luftëtar i fuqishëm, trim etj.) dhe etimologjisë (traditës sonë gojore që ka lidhje me motin, por jo me tezen si anëtare e farefisit)?! Po ashtu, edhe vendet janë shumë të largëta, ku Athina dhe ku shkëmbi i Létanit në Elbasan?! Me një fjalë: hane Sham – hane Bagdad! E gjitha kjo m’u duk si përrallë!

Por, llogaritë e mia u shthurën shpejt kur mësova se, në vitin e largët 1966 në këtë hapësirë, u kryen disa punime për zgjerimin e rrugës automobilistike, pikërisht në vendin e quajtur Gështenjë të fshatit Bixëlle, që ndodhet mbrapa shkëmbit të Létanit. Miku im Sefedin Dika, banor i atyshëm dhe hulumtues i traditës së kësaj zone, më sqaroi se makineritë gërryese të dheut, nxorrën në dritë disa varre antike, të mbuluar me rrasa të mëdha guri, brenda të cilëve gjendeshin skeletë njerëzorë.

Kockat e gjetura ishin me madhësi të hatashme, të pabesueshme, shumë më të mëdha se të njerëzve të sotëm! Punëtorët e rrugës, por edhe banorët e ndodhur aty u rrëqethën, u trembën për vdekje. Të shastisur e të lemerisur nga ky fond nekrologjik i pështirë, ata bënë mbrapsh e nisën të nomatisin nën zë apo të luten. Siç duket, thellë nga nënvetëdija, atyre iu zgjuan supersticione ndjellakeqe plot ligështi. Ato eshtra, mbase i përkisnin një race shumë të fuqishme njerëzish me gjatësi 2 – 2,5 m. Ndoshta të neandertalëve?! Po kështu, varre të ngjashëm me eshtra të tilla u gjetën edhe pranë rrënojave të një kishe mesjetare, që ndodhet afër një shkëmbi të thepisur e me majë si shpatë, e quajtur nga vendasit: Maja e Meçit, në fshatin tjetër Cërrujë të kësaj zone.

Por, për çudi askund nuk flitet e nuk shkruhet për këto zbulime arkeologjike, edhe nëse nuk mund të kenë lidhje domosdoshmërisht me Tezeun mitik. Ku i dihet…?!

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2019

RSS
Ndiq me Email
Share