/

SHKUMBINI

Është lumi magjik që i bie mes për mes Shqipërisë dhe çuditërisht ndan edhe dy dialektet e shqipes. Në Jug të tij flitet dialekti toskë, ndërsa në Veri flitet dialekti gegë. I quajtur nga romakët “Genessus” (zanafilla?), Shkumbini buron nga Kamja, Valamara e Mokrrës dhe për pak kilometra merr rrjedhë drejt Veriut, deri në Qukës.

534 pamje
3 minuta lexim

Është lumi magjik që i bie mes për mes Shqipërisë dhe çuditërisht ndan edhe dy dialektet e shqipes. Në Jug të tij flitet dialekti toskë, ndërsa në Veri flitet dialekti gegë.

I quajtur nga romakët “Genessus” (zanafilla?), Shkumbini buron nga Kamja, Valamara e Mokrrës dhe për pak kilometra merr rrjedhë drejt Veriut, deri në Qukës. Po aty devijon nga Perëndimi dhe pasi gjarpëron 181 km, derdhet qetësisht në detin Adriatik (Vilë-Bashtovë e Kavajës).

Uji i tij është përdorur që herët për njomjen e tokave bujqësore në të dy brigjet, por për elbasanasit ai shërbente edhe për plazh gjatë verës, si dhe për peshkim.

Shkumbini

(Për njomjen e kopshteve apo bahçeve të pronarëve elbasanas, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, u ndërtua një Remë uji, që e niste rrjedhën në fshatin Griqan të Elbasanit. Kjo Remë e përshkonte Elbasanin nga Lindja në Perëndim dhe, në fund derdhej në përroin e Zaranikës).

Aq i begatë konsiderohej nga banorët elbasanas Shkumbini, sa ata i kanë kushtuar edhe një kangë të vjetër fort. Unë e gjeta atë në shënimet që im atë ka mbajtur për disa kangë të vjetra, të shkruara para 50 – 60 vjetëve.

Nuk dihet autori dhe as muzika e kësaj kange, por për kureshtarët unë po e riprodhoj në formë teksti.

O SHKUMI’, O LUM O PULLUM

O Shkumi’ o lum’ o pullum,
Her’ i trubullt, her’ i kthellet.
Kur vin’ çunat ne pranver,’
E gjejn’ Shkumin shter’.
O Shkumi more lum’,
Uj’ pak e gur’ shum’.
Ti te jesh tun me tun,
Posi det qe s’ka fun’.
O Shkumi o lum’ i gjat’,
Ç’bân rruge dit’ e nat’.
Fukaran’ e lshon o Zot,
Te marri kercunjt e shqept e thate.
O Shkumi o lum’ i gjân’,
Katundija te marrin per kâme.
Shqiptaret ty te kan’,
Ta masin venin me pullam’.
O Shkumi, o lum i gjate,
Ujin tand e ke me ver’.
Te vijne djemt ne pranvere,
Te kerkojn’ der’ per dere.
O Shkumi o lum’ i vjeter,
Ti e ke vaktin per shen Pjeter.
Te vijne burrat me mjekue
Te hudhin noj cop’ tjegull.

Bukurosh Dylegjeri

b_dylgjeri

Elbasan, Qershor 2021

RSS
Ndiq me Email
Share