/

KOSTUMET POPULLORE TË GRAVE ELBASANASE DHE KËNGËT E TYRE NË DASMA

“Rajoni i Elbasanit si zonë e ndërmjetme folklorike, numëron rreth 37 kostume popullore autentike, me mbi 10 varjante. Nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në disa njësi etnografike, si Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës

132 pamje
5 minuta lexim

“Rajoni i Elbasanit si zonë e ndërmjetme folklorike, numëron rreth 37 kostume popullore autentike, me mbi 10 varjante. Nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme.

Ajo ndahet në disa njësi etnografike, si Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës”. (Thanas Meksi, etnolog)

Veshje Popullore Elbasan

Veshjet tona popullore janë vërtetë të mahnitshme. Unë nuk kam shëtitur shumë nëpër botë, por falë mundësive që na jep interneti, e them me bindje që ato kostume popullore tonat, veçanërisht të grave, janë mrekullia vetë. Aspak ngjyrime nacionaliste nuk kam në këtë koment.

Në të gjitha krahinat tona, veshjet popullore të grave kanë modele dhe ngjyra nga më të larmishmet, kombinime plot finesë të qepjeve apo qëndisjeve, zbukurimeve shpesh me fije ari apo argjendi etj, të cilat i konsideroj pjesë shumë të rëndësishme të kulturës sonë shpirtërore.

Po ashtu, nuk gjen në veshjet popullore të grave tona, modele të fëlliqura me zbulim të gjymtyrëve apo pjesëve të ndryshme të trupit. Ato janë vërtetë shumë dinjitoze.

Mirëpo, ajo që më bën përshtypje është mospërputhja e këtyre veshjeve popullore kaq të magjishme, me këngët e grave në dasmë. Këngët janë me tekste të thjeshta, të varfëra, të thata, me rima të lodhura … melodi lineare dhe që përsëriten shpesh. Pothuajse shterpë.

Pra, përballë atyre veshjeve kaq të magjishme, kemi këngë aspak tërheqëse. (!?)

………………………………

Mir’mrâma, mir’mrâma o i zoti shpis-e’

A ke buk’, e ke buk’ o me na dhâne … etj. etj.

……………………………. […]

…………………………..

“Ra Faja pri fiku

Ra si top llastiku …

…………………………… […]

……………………………

Sa bukur na ka dale nusja

Mashallah, mashallah […]

Mirë që këngët nuk i përgjigjen pasurisë marramendëse të veshjeve tona, por ndihem ligsht ta them se ato veshje gati po zhduken krejt. (me ndonjë përjashtim të rrallë).

Veshjet e sotme moderne femërore në dasmat tona, ua kalojnë edhe reklamave të sexy-clothes. Kraharorë e prapanica pothuajse të zbuluara … një garë e shpifur anatomie. Urime të zbrazta, buzëqeshje të shtirura … me thonj të gjatë, me lloj-lloj kremrash e turli bojnash në buzë. Ngjyer e laparosur surratin si klloune. Takat e sandaleve apo këpucëve të tyre mbi nji bërxhik të nalta dhe të shkretat femra që vallëzojnë të shtrembëruara, sikur i kanë pasur këmbët të lidhura pisk para dasmës dhe ende e ruajnë atë formë.

Në përfundim, unë shpreh mendimin tim, sepse kam të drejtë të mendoj për to … unë kam të drejtë të guxoj të shoh më të mirën.

Unë kam të drejtë edhe kur guximi – prej padijenisë – më shtyn n’gabim. (e n’gabim, nuk kërkoj të më ndjekë askush).

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shtator 2024

RSS
Ndiq me Email
Share