Pjesëmarrës i të gjitha ngjarjeve politike në Elbasan për Mëvetësinë e Shqipërisë që nga viti 1900.
Veprimtar i çeljes së Normales në Elbasan, (01.12.1909).
Firmëtar i Pavarësisë së Elbasanit (25.11.1912)
Anëtar i shoqërisë përparimtare “Bashkimi” në Elbasan 1923.
Anëtar dhe drejtues i partisë politike “As me pashën, as me beun” (parti politike e borgjezisë së vogël dhe të mesme të Elbasanit, me profil social-demokrat, që kundërshtonte kryesisht platformën ekonomike feudale të pronës, nga Aqif Pashë Elbasani dhe Shefqet bej Vërlaci).
Rrapush Demeti nuk u martua dhe rrjedhimisht nuk trashëgoi fëmijë. Besohet të ketë vdekur në moshë të thyer, në vitin 1946 ose 1947. Pasurinë e tij të tundshme dhe të patundshme ia fali shtetit me kusht që të ndërtohet një shkollë dhe të mbajë emrin e tij. Shkolla u ndërtua me paratë e tij, por në bahçen e fisit Karaj dhe me emër tjetër.
Banesa e tij karakteristike, 2-katëshe – e shpallur Monument Kulture – pas vdekjes së tij u dha me qira nga shteti, por aktualisht aty nuk banon njeri, e që sot ndodhet në gjendje pothuajse të rrënuar. (fqinj ose kufitar verior i banesës time).

Nga e majta lart, Ahmet Dakli,Qazim Hydi,Rrapush Demeti,Andon Bece,Ibrahim Bumci,Hasan Ciftja.Nga e majta ulur,Sheh Sheguni,Qemal Karaosmani,Papa Janaqi.
Për Rrapush Demetin mjerisht nuk gjendet asnjë shënim, asnjë e dhënë, asnjë fotografi. As kur lindi dhe as kur vdiq. Nuk dihet se cili ishte formimi i tij arsimor dhe kulturor. Cila ishte veprimtaria e tij në dobi të qytetit dhe kombit … hiç nuk dihet.
Në botimin voluminoz “Elbasani – Enciklopedi” (2003 – 2004) nuk është shënuar, madje as përmendet fare ky bir dinjitoz i Elbasanit dhe firmëtar i Pavarësisë së këtij qyteti … i këtij qyteti që ka edhe enciklopedi. Emri i tij nuk përmendet fare as në botimin shumë serioz “Shkolla Normale e Elbasanit” (H. Myzyri, Tiranë 2004).
Askund asnjë rresht për të. Asnjë rrugë apo rrugicë periferike nuk mban emrin e tij.
Të jetë harresë, shpërfillje apo të dyja???!!!
Sidoqoftë, emrin e tij nuk mund ta fshijnë nga lista e atyre burrave të nderuar që firmosën Pavarësinë e të parit qytet, Elbasanit. As bamirësinë e tij nuk mund ta zhdukin.
Vetë akti i tij i bamirësisë për ndërtimin e një shkolle është shumë domethënës. Në kohën e tij kishte të tillë qytetarë, që pasurinë ua falnin vakëfeve ose manastireve, por Rrapush Demeti ishte i qartë në mendime derisa rrojti, se “veç shkolla do të na përparojë”.



Por, duhet theksuar se Rrapush Demeti nuk ishte njeriu i parë që dhuron pasurinë e tij për të tjerët. Më herët Ali Agjah beu ndërtoi shkollën me pasurinë vetiake, e cila sot mban emrin e tij; fisi Baholli ndërtoi bibliotekën publike të qytetit; Ibrahim Çoçoli që nga Amerika e largët la amanet që krejt pasuria që vuri andej të përdoret për ndërtimin e një biblioteke në Elbasan. Biblioteka u ndërtua, por jo me emrin e tij. (sot biblioteka e universitetit “A. Xhuvani” në Elbasan). Po ashtu, dhjetra familje elbasanase morën në mbrojtje jetimë të panjohur të cilët i rritën, i veshën, i ushqyen dhe i arsimuan njëjtë me fëmijët e tyre. Asnjë fjalë, asnjë mburrje e madje ishte turp i madh të përmendej bamirësia. Të tillë njerëz kishte në qytetin tim.
E me që ra muhabeti, më gjeni ose më tregoni ndonjë zengjin të ri sot, që të falë pasurinë ose pjesë të saj për shtetin dhe ndërtimin e shkollave, të shpenzojë për të mjerët në skamje, për fëmijë të sëmurë, për ndërtimin e ndonjë vepre publike etj?
Duke biseduar për këtë personazh në kafenenë e lagjes me një fqinjin tim të moshuar, ai tundi pak kokën dhe më tha me zë të ulët:
… disa prej ktyne të sotmve e harxhojnë paren per zinâ e per binâ.
Unë heshta.
Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Gusht 2024