//

Nuk Shet Qosja, Por Qoshja

Ende sot, ne e quajmë këtë vend: Qoshja, toponim i kahmotshëm, por që sot i thonë "Rrethrrotullimi "1 Maj" në Elbasan. Qoshja - bashkë me Bezistanin dhe Tabakët - ishin tre nyjet kryesore të Pazarit të Elbasanit, për të cilat udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebiu shkruante që në vitin 1670, se aty kishte 900 dyqane plot hijeshi.

292 pamje
3 minuta lexim

QOSHJA

Ende sot, ne e quajmë këtë vend: Qoshja, toponim i kahmotshëm, por që sot i thonë “Rrethrrotullimi “1 Maj” në Elbasan. Qoshja – bashkë me Bezistanin dhe Tabakët – ishin tre nyjet kryesore të Pazarit të Elbasanit, për të cilat udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebiu shkruante që në vitin 1670, se aty kishte 900 dyqane plot hijeshi.

Qoshja dikur shkëlqente plot madhështi për punën e madhe që bëhej nga tregtarët dhe, ishte vend mjaft i pëlqyer për të pasur një dyqan tëndin aty, ose të marrë me qira. Kishte dhjetra dyqanë, të vegjël e të mëdhenj, të ngjeshur njëri pas tjetrit, por pa ndonjë planimetri të pëlqyeshme.

Qoshja

Dukshëm ishte një treg me fizionomi orientale, por rëndësia e atij vendi qëndon në faktin se aty ishte një kryqëzim udhësh;
nga Perëndimi – nëpërmjet Urës së Zaranikës – vinin karvanët e Peqinit, Tiranës, Kavajës, Durrësit … ngarkuar me gjithfarë mallrash;
nga Lindja – Rruga e Maxharisë – merrnin udhë këta karvanë bashkë me ata të Elbasanit për të tregtuar në Pogradec, Korçë, Strugë…;
pak më në Jug të Qoshes ndodhej tregu i hasrave, që aq shumë blihej nga shtresat e popullsisë, si shtroje përdhe e konakëve, si dhe tregu i poçarëve. Në Veri të Qoshes ndodhej gjysma e qytetit. Madje në Strugë, tregtarët elbasanas kishin një ditë të caktuar ku bënin panair me mallrat e tyre.

Kjo ishte Qoshja dhe, jo më kot doli edhe shprehja: – Nuk shet qosja, por Qoshja – (me kuptimin që në tregti nuk ka rëndësi sa i vjetër je në moshë ose profesion, por në cilin vend tregton). Qosja ose qerosi, personifikon atë tregtarin e moshuar që i kishin rënë flokët nga mosha dhe puna e gjatë në tregti, ai profesionisti i regjur me këtë punë. Ndërsa, Qoshja ishte vendi që shpjegova më lart.

Rëndësinë e pozicionit të tregut në Qoshe, e përforcon edhe shprehja tjetër: – Qari (fitimi) n’Qoshet, qejfi n’Tabaket –

Bukurosh Dylgjeri

b_dylgjeri

Elbasan, Shkurt 2022

RSS
Ndiq me Email
Share