/

Masakra, Burgime dhe Djegie Banesash në Elbasan nga Obskurantistët e Haxhi Qamilit

Nën thirrjet dhe britmat “Dum’ babën” (Dovletin) ata filluan ngado plaçkitjet, vrasjet dhe burgimet e patriotëve shqiptarë. Gjithçka tjetër që kishte përmbajtje të pastër shqiptare, ishte e ndaluar për ta. Flamuri ynë kombëtar, atdhetarët, mësuesit e gjuhës shqipe, baballarët dhe dervishët atdhetarë, shkollat shqipe … ishin shenjestra të tyre.

536 pamje
11 minuta lexim

Shkak për këtë postim u bë një foto e vjetër e vitit 1917 e shtëpisë së rrënuar të Aqif Pashës (1860 – 1926) në Elbasan, ku dallohet një ushtarak austro-hungarez. Kjo foto është publikuar nga “Albanian Digital Archives and Collections”, por që mua ma dërgoi miku im Viktor Bakillari. Në atë postim, ndër të tjera thuhet se shtëpinë e Aqif Pashës e dogji rivali i tij politik Dervish Bej Biçaku (!), që është e kundërt me atë që di unë.

Meqenëse unë banoj fare pranë vendit të dikurshëm të asaj banese, si dhe kam shumë kujtime nga të moshuarit e rrugicës dhe të fisit tim, mendova të ndaj me ju ato që di unë.

Natyrisht, ato që di unë nuk është e thënë të jenë absolutisht të sakta.

E pra, banesa në fjalë e Aqif Pashë Elbasanit ndodhej pikërisht aty ku sot është Drejtoria Arsimore e Rrethit Elbasan, në Sheshin e Gurabardhes.

Ja ç’thuhet në rubrikën “Burgosja e patriotëve shqiptarë” te portali Memorie.al (http://memorie.al/ne-elbasan-rebelet-e-haxhi-qamilit-dogjen-flamurin-kombetar-duke-thirrur-ngordhi-sorra-dhe-kujtimet-e-panjohura-te-ish-sekretarit-te-fan-nolit/) nga kujtimet e të ndjerit Qamil Çela (Çelirama), fqinji im dhe bashkëkohës i atyre ngjarjeve:

“Rebelët dogjën në Elbasan shtëpitë e Aqif Pashës, Beqir Plangaricës, Emin Kasharit, Ali Çaushit, Kodhel Dedes etj. Ata dogjën edhe teqe bektashiane, burgosën e internuan baballarë e dervishë patriotë. Në burgosje e tortura rebelët nuk kursyen as gratë. Ata burgosën Tushin e Xhanit, që së bashku me t’ëmën e me shoqet e tjera, Dane Xhuvani, Zekije Krasta, Shahu Dylgjeri etj, qenë nga gratë e para patriote të Elbasanit, që kishin punuar me kohë për të përhapur gjuhën shqipe e idenë kombëtare”.

Haxhi Qamili
Haxhi Qamili Para Varjes – 1915

Dihet fare mirë se Lëvizja e ashtuquajtur fshatare e Shqipërisë së Mesme e udhëhequr nga Haxhi Qamili (1876 – 1915), Mustafa Ndroqi, Xhenabi Adil, Qamil Haxhi Fejza, si dhe kryekomandanti Musa Qazimi, shpërtheu në Tiranë në muajin Maj 1914 dhe u përhap shpejt në të gjithë Shqipërinë e Mesme duke u sulur madje edhe në Berat e në Vlorë. Në ato kohë të turbullta për vendin tonë, kjo ka qenë kryengritja më e ndyrë, më kobzezë, pasi me ndikime nga të huajt, ajo kishte qëllim shkatërrimin e shtetit të ri shqiptar, me pretendime absurde … përzënien e Princ Vidit (se âsht kaurr ene s’âsht bâ synet) dhe rivendosjen e pushtetit osman.

Nën thirrjet dhe britmat “Dum’ babën” (Dovletin) ata filluan ngado plaçkitjet, vrasjet dhe burgimet e patriotëve shqiptarë. Gjithçka tjetër që kishte përmbajtje të pastër shqiptare, ishte e ndaluar për ta. Flamuri ynë kombëtar, atdhetarët, mësuesit e gjuhës shqipe, baballarët dhe dervishët atdhetarë, shkollat shqipe … ishin shenjestra të tyre.

Kjo kryengritje banditësh e kaçakësh u erdhi posi dhuratë e çmuar, si serbëve që po masakronin shqiptarët në Veri, ashtu edhe grekëve që po po masakronin e digjnin fshatrat tona në Jug.

Sipas kronikave të kohës dhe kujtimeve të bashkëkohësve, trupat haxhiqamiliste futen në Elbasan në muajin Qershor 1914, pas luftimeve shumë të ashpra në hyrje të qytetit e madje edhe në rrugët e rrugicat e tij. Komandant i trupave të rebelëve në Elbasan ishte M. Gj.

Aqif Pasha thuhet se ia besoi mbrojtjen e qytetit Shefqet Bej Vërlacit, ndërsa vetë u fsheh në fshatrat e Grykës së Zaranikës duke kaluar në rrugën e Nas Kollit (ku banoj unë aktualisht), dhe pasi përshkon një rrugicë del te Pusi i Plehnit e më tej merr përpjetë zallit të Zaranikës. Ai e dinte se nëse kapej i gjallë do të keqtrajtohej dhe do të dënohej ashpër prej tyre. Të vetmin djalë të tij, të quajtur Ibrahim Biçaku, i cili ishte student në Austri që kishte ardhë në shtëpi me pushime, e strehoi brenda në Elbasan, te miku i tij Cen Bakalli. Ky i fundit ishte tregtar i madh dhe me emër shumë të mirë në qytet. Duke qenë të ndarë, atë e bir në strehime të ndryshme, ishte e vogël mundësia që të kapeshin të dy njëherësh.

Të marrosur se nuk e zunë dot Aqif Pashën, rebelët u vërsulën të kapnin djalin, Ibrahimin, por që nuk arritën pasi Cen Bakalli nuk e dorëzoi kurrë. “Shqiptari nuk e dorëzon mikun që ka në shtëpi. Dera ime do të lyhet me zift dhe do të mbyllet përgjithmonë, nëse unë e dorëzoj Ibrahimin” iu drejtua ai komandantit të rebelave, elbasanasit M.Gj. me të cilin kishte edhe një lidhje të largët farefisnie. Të tërbuar ngaqë dolën duarbosh me Aqifin dhe të birin e tij Ibrahimin, ata e zbrazën tërë urrejtjen te shtëpia e Aqif Pashës, të cilën e grabitën dhe pastaj e shkatërruan dhe i vunë zjarrin.

Aqif Pasha ishte i bindur se në zjarrvënien e banesës së tij kishte dorë Esad Pashë Toptani (1863 – 1920) për arsye ndikimi politik në Shqipërinë, e cila sapo kishte shpallur Pavarësinë.

Pas rivendosjes së qetësisë dhe dënimit me varje të Haxhi Qamilit në vitin 1915, Aqif Pasha në shenjë falënderimi dhe mirënjohje, i dhuroi Cen Bakallit ekskluzivitetin e tregtimit të krypës nga Peqini deri në Prrenjas.

Për vete Aqif Pasha ndërtoi një banesë të re, pikërisht mbi murin perëndimor të Kalasë ose 50 m mbi kullën jug-perëndimore të kësaj kalaje. Për shumë vite kjo banesë ishte shndërruar në Muze të Luftës NaÇL. Pas viteve ‘990 ndërtesa në fjalë iu kthye pronarëve dhe sot përdoret për shërbime funerale.

Por le të dalim te brenga e Aqif Pashës, i cili mendonte që rebelat e Haxhi Qamilit ishin dora e zgjatur e Esad Pashë Toptanit. Thuhet se për t’u hakmarrë ndaj Esad Toptanit, Aqif Pasha rekrutoi dhe pagoi Avni Rustemin (1895 – 1924), si dhe e trajnoi atë që të qëllojë me pistoletë në pusin e shtëpisë së tij. Më datë 13 Qershor 1920, Avni Rustemi e vret në Paris me pistoletë dhe pas shpine Esad Pashë Toptanin. Të hidhëruar nga kjo vdekje, pak kohë më vonë në Elbasan mbërrijnë besnikët e Esad Toptanit (mundet Osman Bali me shokë) dhe përhapën fjalë se “Koka e Pashës (Esadit) kërkon kokë Pashe (Aqifit)”, por ndërkohë Aqif Pasha i kishte marrë masat dhe ruhej me trimat e tij.

Dhe pas gjithë ngjarjes së kobshme me personazh kryesor sharlatanin Haxhi Qamili, ne çuditërisht i kushtojmë edhe këngë.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Janar 2023

RSS
Ndiq me Email
Share