/

Fadil Gurmani, Martir i Demokracisë – Nderojnë Elbasanin

Në punën e tij Fadil Gurmani me përkushtim të pabesueshëm i kushtoi një rëndësi shumë të madhe tek studentët-mësuesit e së ardhmes, jo vetëm mësimdhënies, por mbi të gjitha edukimit qytetar dhe patriotik të shqiptarëve të vegjël.

1595 pamje
16 minuta lexim

“1907 – 1948”

Fadil Gurmani lindi në Elbasan, në një familje të mesme qytetare. Ende pa i mbushur 6 vjeçët ai mbeti jetim, pasi i ati i tij Ismaili, u vra në luftë në mbrojtje të Shkodrës së rrethuar nga malazezët. Fadili i vogël, vetëm 13 vjeç, mori pjesë si anëtar i bandës muzikore “Afërdita” të Elbasanit, e cila shkoi në Vlorë në përshëndetjen që qyteti ynë i bëri çlirimtarëve të Luftës së Vlorës në vitin 1920.

Po atë vit, Fadili me ndihmën dhe përkrahjen materiale të Aqif Pashë Elbasanit, niset në Austri ku përfundon shkollën qytetëse dhe më pas kryen shkëlqyeshëm atë Normale duke u specializuar si pedagog i klasës së parë fillore.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1928 dhe emërohet mësues i shkollës Ushtrimore në Elbasan, e cila ishte një shkollë fillore ku praktikonin studentët-kandidatë të Normales. Deri në vitin 1936 punoi aty mësues dhe më vonë kryemësues.

Nga Maji i këtij viti deri në Prill 1939 ishte kryeinspektor i arsimit për Qarkun Elbasan. Dy javë pas pushtimit fashist të Shqipërisë në vitin 1939, për shkak të ndjenjave të tij atdhetare dhe antifashiste, Fadil Gurmani internohet nga pushtuesit italianë në një fshat afër Peruxhas në Itali ku qëndron deri në janar të vitit 1942. Kthehet nga internimi dhe rifillon punë inspektor arsimi në Durrës, më pas në Institutin Femnor “Nana Mretneshë” në Tiranë dhe në fund të vitit 1944 kthehet në shkollën Ushtrimore të Elbasanit.

Arrestohet në vitin 1947 për faje politike duke mos qenë anëtar i asnjë organizate apo partie politike, por vetëm simpatizant i Monarkisë Shqiptare. Pas torturave të gjata në hetuesi, në mbrëmjen e datës 9 Mars 1948 Fadil Gurmani, në kulmin e moshës produktive intelektuale, u pushkatua mizorisht nga regjimi i urryer komunist, i cili për ironi, i shpalli luftë analfabetizmit … duke vrarë dhe burgosur mësuesit.

Rasti i Gurmanit është padyshim tregues tipik i fatit të asaj elite të ndritur shqiptare të viteve ’30 të shekullit të kaluar, e cila fatkeqsisht ishte sa jetëshkurtër po aq edhe fatzezë.

Studentë Elbasanas në Austri, 1922. Fadil Gurmani (Ulur), Ibrahim Biçaku (Majtas), Ahmet Burburija (Qendër) dhe Ahmet Kacadej (Djathtas).

Në punën e tij Fadil Gurmani me përkushtim të pabesueshëm i kushtoi një rëndësi shumë të madhe tek studentët-mësuesit e së ardhmes, jo vetëm mësimdhënies, por mbi të gjitha edukimit qytetar dhe patriotik të shqiptarëve të vegjël. Sepse ai ishte i ndërgjegjshëm që ka shumë shkolla në botë të cilat përgatisin profesionistë mjaft të mirë, por nuk ka kund një shkollë që të përgatisë njerëz të mirë. Kjo e fundit varet nga gërshetimi harmonik i mësim-edukimit që në vogëli.

Njohës i mirë i ideve përparimtare politike dhe arsimore të kohës, si dhe i ndikuar nga mendimet reformatore të Neo-Shqiptarizmës së Branko Merxhanit, Fadili në bashkëpunim me mikun dhe kolegun e tij Sulë Harri, ia arrijnë që të ndërfusin në shkollën Ushtrimore, metodat më të përparuara të pedagogjisë fëminore të bukurthurura me edukimin e fuqishëm atdhetar. Fundja, në përvetësimin e mësimeve shkollore apo e thënë ndryshe në rezultatin e notave të një nxënësi ndikojnë shumë faktorë të ndryshëm, ku njëri prej tyre dhe më kryesori, inteligjenca natyrore, është e lindur. Në të kundërt, edukimi i një vogëlushi është kryekëput vepër e mësuesit dhe prindit e, anasjelltas.

Ja njëra nga vjershat e preferuara të tij që ua kërkonte studentëve normalistë pothuaj çdo orë mësimi:

A jemi shqiptarë,
kemi gjith’ nji besë,
jemi gjith’ nji farë,
s’jemi kurr’ të ndarë!

Në çdo vend që t’jemi,
Atdheun e kujtojmë,
Dhe kudo që t’vemi,
Kombin s’e harrojmë!

O Zot, o Perëndi!
Na jep ne shëndet e fuqi,
që t’kujdesemi për Shqipni!

Nëpërmjet formave të larmishme të mësimdhënies aktive dhe vetëkrijuese, Fadil Gurmani arriti që të bëhet një nga pedagogët më të dashur dhe të aftë për studentët e Normales. I pajisur më së miri me njohuritë pedagogjike më të arrira të botës së qytetëruar, metodist dhe didakt i zoti, specialist i psikologjisë së moshave të vogla, ai ia përshtati ato botkuptimit fëminor shqiptar me metoda të këndshme të mësimit të përshkallëzuar, kallzimit të përrallave e rrëfenjave, proverbave popullore të zbërthyera, lojrave të larmishme me bazë mësim-edukimin, disiplinës dhe lirisë, qortimit dhe stimulimit si dhe zbavitjeve muzikore të Qamil Guranjakut etj. Theksoj se vetëm programi zbavitës ishte i ndarë, veç për vashat dhe veç për djemtë.

Me durim dhe vullnet ai i përçonte dijet e veta te normalistët hap pas hapi, me forma të thjeshta, të pranueshme dhe të kënaqshme për ta. Dhe rezultatet ishin të mrekullueshme.

Por, nuk u mjaftua vetëm me kaq. Ai botoi disa studime të ndryshme, metodika dhe kritika mbi arsimin fillor dhe posaçërisht “Metodika e veçantë e klasës së parë”. Në revistën pedagogjike “Shkolla Kombtare” të Ministrisë së Arsimit, 1 Nanduer 1937, faqe 36 thuhet: “…Njisitë methodike të klasës së parë përpilohen prej Z. Fadil Gurmani, ato të klasës së dytë prej Z. Sulë Harri, …”.

Fadil Gurmani i përkiste rrymës së dojçkulturës dhe si i tillë ai ishte i përkryer deri në përpikëri, sa në paraqitjen e jashtme, poaq edhe në mënyrën fantastike e sistematike të mësimdhënies, duke synuar vazhdimisht përsosmërinë deri tek e arrira, perfektja, absolutja. Patjetër që kishte diçka hyjnore në punën e tij, jo vetëm në dobinë e madhe për Atdheun nëpërmjet mësim-edukimit të vogëlushëve, por sepse vetëm njerzit që e përmirësojnë papushim punën e tyre, ata që kërkojnë të arrijnë pa u lodhur maksimumin, vetë ata pa e kuptuar i afrohen Absolutes, Ideales, që do të thotë Krijuesit Universal. Mirëpo, shpesh ndër ne për fat të keq, dlirësia e një njeriu nxit zilinë dhe xhelozinë e injorantëve ngatërrestarë.

Me keqardhje e përsëris, se vetitë dhe virtytet e pastra njerëzore dhe atdhetare shumë herë janë kob për atë individ që i bart ato (Panteoni i rralluar – R. Qosja). Kështu ndodhi edhe me Fadil Gurmanin. Me shpifje të montuara e akuzuan për tradhti, për lidhje me anglo-amerikanët e kush e di çfarë dhe e vranë pa iu ditur ende varri e duke lënë në mjerim bashkëshorten dhe tre jetimë të mitur.

Pas vitit 1945 e gjithë Normalja iu nënshtrua dhunës komuniste të paparë deri në atë kohë. Dënimet kapitale të drejtorit shkodran Kolë Prela, mësuesve Fadil Gurmani, Karlo Ljarja, Kamer Kazazi, Apostol Gega, Mahmud Maçi, studentit Virtyt Gjylbegu e të tjerëve, si dhe dënimet me burgime të ndryshme të mjaft pedagogëve e studentëve si Sulë Harri, Venemin Dashi, Mehmet Daiu, Skënder Sejdini, Kasem Malasi, Petër Elezi, Xhevdet Skilja, etj., gati e katandisën Normalen nga shkollë e famshme, në një qendër arsimi të përdhosur e kokëulur. Me hidhërim konstatohet se shkatërrimi i këtij trupi pedagogjik dhe më pas përzgjedhja klasore-revolucionare e pedagogëve dhe studentëve, bëri që kjo shkollë e famshme tashmë me emrin e ndërruar sipas modeleve sovjetikë, të mos nxirrte më mësues dhe edukatorë. Ajo u shndërrua për turp në një “kovaçhanë” që duhej të farkëtonte vetëm rreshterë të kuq për arsimin, të cilët ca me hir e ca me pahir u bënë përçues tek brezat e rinj, të teorive monstruoze të llojit “trekëndëshi revolucionar: mësim-punë-kalitje”.

Nuk mjaftoi vetëm ndërrimi i emrit të kësaj shkolle nga Normale në Pegagogjike, por u kthye përmbys gjithçka e arritur deri atëherë. Pedagogjia herbertiane e adoptuar dhe aplikuar me mjaft sukses në kushtet e atëherëshme të arsimit tonë, si dhe çdo risi tjetër që ata burra të mençur sollën nga bota e përparuar apo krijuan vetë në arsim, u fshi si ideologji kapitaliste, reaksionare dhe vendin e tyre e pllakosën idetë e çmendura të mendjeve sifilitike nga stepat e akullta ruse, me variantet e tyre të ndyra alla Makarenko. Ishin këto ide të mbrapshta e të padenja marksiste-leniniste që prodhuan “njeriun e ri”, i cili rezultoi të ishte një qenie e dyzuar, dehumanizuar dhe e depersonalizuar… një biçim mutanti lehtësisht i manipulueshëm, që duartrokiste pa pushim edhe pse ishte jo i lumtur.

Së fundi, është e dyshimtë kjo heshtje vrastare për një dëshmor të arsimit tonë, siç është Fadil Gurmani. Do të ishte nder për të gjithë ne dhe rivendosje e drejtësisë minimale, që të paktën njëra nga shkollat e qytetit tonë të mbajë emrin e nderuar të tij, kur dihet që shumë të tilla mbajnë emra personalitetesh në fusha të ndryshme, por që nuk kanë pasur asnjë lidhje dhe as kontribut në arsimin kombëtar.

P.S. Vetëm pak muaj pas botimit të këtij shkrimi në gazetën lokale “ELBASANI”, Drejtoria Rajonale e Arsimit Elbasan në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, vendosi dhe realizoi që njëra nga shkollat 9-vjeçare (ish-“Abdyl Myzyri” pranë Universitetit “A. Xhuvani”) në qytetin e Elbasanit, të mbajë tash e tutje emrin “Fadil Gurmani”.

Qershor 2010

b_dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Nëntor 2020 (me shkurtime)

RSS
Ndiq me Email
Share