/

AKULLORJA DHE MALI ME GROPA

Thirrjet e tyre nëpër rrugë: - Hajde, dondurma kajmak … (akullore me krem – ice cream, angl.) krijonin mundësinë që të dilnin për pak çaste nga shtëpia edhe vajzat e mbuluara. Ky ishte edhe rasti i duhur për të vluarin nga sevdaja, sepse arrinte të shihte vajzën e tij të zemrës etj.

578 pamje
6 minuta lexim
Mali_me_gropa

Në vargjet e një kënge qytetare elbasanase, midis të tjerave thuhet:

……………………………………………………

”Kur shkon Fiti ke maloku (malësori)

O per me ble’ nji dondurma (akullore, turq.)

nga meraku i dridhet floku

o une prej teje s’kam te nda’…. “

…………………………………………………..

Por, pyetja që lind vetiu është, ç’lidhje ka Mali me Gropa me akulloren?

Ja ta shpjegoj si më poshtë, aq sa di unë për këtë.

Kënga në fjalë është lirikë e krijuar rreth 100 vjet më parë dhe i kushtohet dashurisë së një djali me një vajze të re e quajtur Fiti. Mendohet se krijuesi i kësaj kënge është Isuf Myzyri. (“Këngë të vjetra popullore nga Isuf Myzyri dhe Shqipëria e Mesme”, fq. 70, autorë: Demir Bebeti dhe Gëzim Selita, shtypur në shtypshkronjën “albPAPER”,Tiranë 2003)

Duhet të kemi parasysh mendësinë e kohës që vajzat e reja rrallë dilnin nga shtëpia dhe ishte pothuajse e pamundur ta shihje ose të bisedoje me të. Një nga rastet fatlume për të riun e dashuruar me një vajzë, ishte koha kur në rrugët dhe rrugicat e qytetit vinin shitësit ambulantë të ëmbëlsirave dhe veçanërisht të akullores, aq e pëlqyeshme në vapën përvëluese të verës.

Më të shumtët e këtyre tregtarëve vinin nga krahina malore e Gurakuqit në Librazhd, të përmendur prej kohësh si mjeshtra të gatimit e të prodhimit të sheqernave. Ata përgatisnin edhe akulloret e kohës.

Akullorja
Akullorja

Thirrjet e tyre nëpër rrugë: – Hajde, dondurma kajmak … (akullore me krem – ice cream, angl.) krijonin mundësinë që të dilnin për pak çaste nga shtëpia edhe vajzat e mbuluara. Ky ishte edhe rasti i duhur për të vluarin nga sevdaja, sepse arrinte të shihte vajzën e tij të zemrës etj.

Po mirë, Mali me Gropa ç’do këtu?

Atëbotë, pra rreth 100 vjet më parë, nuk kishte frigoriferë shtëpijakë ose industrialë dhe natyrshëm ne pyesim se si ia bënin tregtarët që prodhonin akullore në verë, pa siguruar më parë akull?

Këtu futet në lojë edhe Mali me Gropa, cili ndodhet në fshatin Bizë të Martaneshit, ose atje ku takohen; malësia e Tiranës, e Elbasanit, e Librazhdit dhe e Dibrës. Duhet përmendur se ky mal me kulmin e tij 1847 metra lartësi mbidetare, në pllajën veriore ka një sipërfaqe të madhe të valëzuar nga gropa të shumta karstike, që nuk i rreh dielli. Mendohet që Mali me Gropa të jetë rezultat i epokës së akullnajave.

Gropat e tij janë të formave e të madhësive të ndryshme e shpesh edhe shpella me thellësi nëntokësore nga disa dhjetra metra, deri në qindra metra. Malësorët e zonës e ruanin dëborën e dimrit pikërisht në këto gropa frigoriferike natyrore, e mbështillnin atë me dega fieri dhe e mbulonin me dheun aty pranë. Këta malësorë thonin vetë se, “e rujm’ vdoren n’grop’, ke Mali me Gropa”. Më pas, e nxirrnin në verë dëborën e ruajtur për 5-6 muaj, për t’ua shitur prodhuesve të akulloreve, nga Gurakuqi.

(Bora e tillë ruhej edhe në vendin e quajtur Gropat e Borës, që ndodhet mbi fshatin Guri i Zi).

A e dinit këtë? 😊

(duhet theksuar se shprehja “malok” te ne nuk kishte kurrë karakter fyes, por tregonte veç mjedis banimi)

https://www.youtube.com/watch?v=hX6mK-29Gmc (01:45)

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2022

RSS
Ndiq me Email
Share