(Mësues, folklorist, albanolog, etnolog, historian)
Lindi në Elbasan më 16 Shkurt 1916, në familjen e një nëpunësi të vogël. I ati vdes shpejt duke e lënë në moshën 5-vjeçare. Nën kujdesin prindëror të mësuesit Sulë Harri, Qemali rreshtohet në bankat e klasës së parë të shkollës Ushtrimore.
Në formimin e karakterit të tij si njeri i mësimit dhe përkushtimit, punës dhe i disiplinës, ndikuan shumë mësuesit e talentuar Ahmed Duhanxhiu, Fadil Gurmani, Sulë Harri, Karl Ljarja etj.
Në vitin 1933 i vdes edhe e ëma dhe me rritjen e tij u kujdes daja, i quajtur Xhaferr Trungu, i cili e nxiti papushim drejt librave, mësimeve e shkollës. Për 8 vjet radhazi Qemali kreu të gjitha vitet shkollorë në Ushtrimore dhe Normale me rezultate shumë të mira. Njëkohësisht, ai njihte shumë mirë dhe komunikonte lirshëm në gjuhët italisht dhe frëngjisht.
Në moshën 20-vjeçare fillon punën e mësuesit në Luzni të Dibrës. Normalisti gojëmbël shpalos para vocërrakëve e prindërve të tyre, tiparet e mësuesit qytetar plot virtyte, me kulturë të gjerë profesionale dhe edukative. Shpejt ai fiton simpatinë e malësorëve të zonës. Qemal Haxhihasani ishte nacionalist. Ai e dinte shumë mirë se folklori me larmitë e tij është fondamenti kryesor i përcaktimit të identitetit të një kombi.
Pas vitit 1944 ai kreu Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Në vitin 1949 emërohet në Institutin e Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore) dhe punon aty deri në fund të viteve 1980. Në vitet 1936-1944 ka punuar mësues në zonat e Peshkopisë, Korçës dhe Tetovës.
Mirëpo, krahas mësimit Qemali merrej edhe me grumbullimin e fjalëve të rralla dhe mbledhjen e njësive folklorike, regjistrimin e ngjarjeve të vjetra historike të pashënuara më parë dhe gjithçka tjetër me interes, që dëgjonte nga goja e popullit. Kjo dëshirë jashtë profesionit të mësuesit, pra gjuetia dhe sistemimi i krijimtarisë gojore popullore etj. do të mbetet për Qemal Haxhihasanin motivi kryesor i jetës së tij. Për arritjen e këtij qëllimi, ai e shëtiti të tërë vendin, organizoi dhjetëra ekspedita dhe takoi qindra njerëz.
Frut i kësaj pune të gjatë prej 55 vjetësh kanë mbetur 14 vëllime folklorike të botuara brenda e jashtë vendit dhe 87 vëllime të tjera me materiale folklorike, etnografike dhe leksikore të mbledhura në terren në të gjitha viset e Shqipërisë, të sistemuara e të pajisura me shpjegime sipas kritereve shkencore, bashkëkohore, të daktilografuara e të lidhura në formë librash të veçantë, por të pabotuara.
Koleksioni i dorëshkrimeve të sistemuara nga vetë Q. Haxhihasani në Arkivin e Folklorit, pranë Institutit të Kulturës Popullore, kap masën e pabesueshme prej 20.588 faqesh. Ky volum duhej të ishte punë e përbashkët e disa akademikëve, por në të vërtetë është punë individuale e Qemal Haxhihasanit. Për kureshtje: aty ka 523 këngë legjendare, 3593 këngë historike, 797 proza me tema folklorike e etnografike, 5933 këngë lirike, 627 këngë nga folklori i ri, 25 përralla, 269 legjenda për Skënderbeun, 112 legjenda të tjera, 443 gjëza, 110 proverba, 214 njësi me përshkrime zakonesh etj; një glossar me 10.000 njësi që me një redaktim të vogël mund të botohej si fjalor më vete. Ka depozituar në arkiv edhe rreth 10.000 toponime të mbledhura në terren etj.
Kjo punë kolosale e këtij elbasanasi patriot arrin caqet e të pamundurës, të paimagjinueshmes. Falë përkushtimit të tij, shpëtuan nga harresa, dhe ndoshta nga zhdukja, mjaft perla kulturore burimore të folkut shqiptar. Q. Haxhihasani, (që kur ishte i vogël thoshte se “do të bëhem kovaç”), është një gjigant i kulturës shqiptare, një kalorës i shqiptarizmës.
Gjithashtu, Q. Haxhihasani është grumbulluesi dhe sistemuesi më serioz i këngëve qytetare elbasanase, të krijuara nga mjeshtri Isuf Myzyri. Këto këngë ai i botoi te revista “Nëntori” (v. ?).
Për shkak të formimit të tij politik, diktatura nuk e lejoi kurrë Q. Haxhihasanin që të marrë pjesë në ndonjë ekspeditë për hulumtimin e kulturës popullore tek arbëreshët e Italisë apo arvanitët e Greqisë. Jo vetëm kaq, por në çdo botim të tij, Instituti i Kulturës Popullore do të vendoste shënimin paradoksal: “u botua nën kujdesin e prof. Zihni Sakos” (!?).
Megjithatë, puna e Qemal Haxihasanit shpërtheu kufinjtë politikë të vendit dhe u njoh e u vlerësua maksimalisht nga autoritetet më të larta botërore që merren me krijimtarinë popullore, si: M. Lambertz, A. Lord, S. B. Jansen, H. Stein, I. S. Jensen etj. Ai mbetet një emër i shquar e dinjitoz i folkloristikës shqiptare, krahas të mëdhenjve Thimi Mitko, Sotir Kolea etj.
Paralelisht me punën për folklorin, Q. Haxhihasani bëri edhe një punë të lavdërueshme gjurmuese edhe në fushën e gjuhësisë; veçanërisht ka merita në historinë e dialektologjisë e pastaj edhe në atë të leksikografisë dhe leksikologjisë. Ai mblodhi jo rastësisht, por me pikësynime të qarta, shprehje popullore, antroponime, frazeologji e mbi 10.000 toponime e fjalë të rralla; për fjalorin e Aleksandër Xhuvanit përpunoi 34.000 skeda.
Nga ekspedita në malësinë e Tiranës harton punimin “Fjalori i Tiranës” me 225 faqe; mbledh të folmen dogançe të zejtarëve të Përmetit e Leskovikut, e kështu boton me radhë “Vështrim mbi të folmen e Sulovës” (1955) (të Lurës). Nga ekspeditat në fshatrat e Konispolit harton e boton monografinë “Vështrim i përgjithshëm i të folmes së banorëve të Çamërisë” (botuar në “Dialektologjia Shqiptare” 1/1971 me 71 faqe; në “Dialektologjia….” 2/1974, 119 faqe; në “Dialektologjia….” 3/1975 etj.
Për merita të jashtëzakonshme në drejtim të mbledhjes së krijimtarisë popullore, Q. Haxhihasanit i janë akorduar tri medalje vlerësimi, si “Çmimi i Republikës” i shkallës së I, Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit I, dhe pas vdekjes, Urdhëri “Punonjës i Shquar i Shkencës”.
Ja çfarë kanë thënë të tjerët për të:
“Numerikisht dhe cilësisht kjo veprimtari në fushën e botimeve shkencore e rendit prof. Qemal Haxhihasanin në krye të radhës në folkloristikën shqiptare. Ai është më i gjeri dhe më i thelli, më i ploti dhe i kudondodhuri, i pandjerë në të gjallë dhe gjurmëlënës me kalimin e viteve, që do t’i japin lavdinë e merituar, por të pakërkuar prej tij.” (Agron Xhagolli)
“Qemal Haxhihasani, folklorist dhe etnolog i shquar.” (Mark Tirta).
“Qemal Haxhihasani, ia kushtoi gjithë jetën albanistikës, punoi pa u lodhur, i heshtur dhe plot pasion, për popullin tonë, për kulturën shqiptare.” (Mahir Domi).
“Qemal Haxhihasani mbetet zëri më i përveçëm në fushat shkencore ku krijoi.” (Shaban Sinani).
“Qemal Haxhihasani, njëri ndër njohësit më të mirë të Ciklit të Kreshnikëve dhe njëri ndër studiuesit më të shquar të poezisë sonë gojore në përgjithësi.” (Anton Berisha, Prishtinë).
“Qemal Haxhihasani, shkencëtar i shquar.” (Jorgo Panajoti).
“Qemal Haxhihasani, hulumtues pasionant i terrenit.” (Mustafa Gërçaliu) etj. etj.
Literaturë: – “Qemal Haxhihasani, folklorist dhe mësues i rrallë”
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, korrik, 2015