25 NËNTOR 2020 – 108 VJETORI I PAVARËSISË SË ELBASANIT
Pak histori. Për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme ushtarake në të gjithë Rumelinë, ushtria dhe administrata osmane e pushtimit po largohej me shpejtësi nga Shqipëria. Në vjeshtën e tretë të vitit 1912, ushtria serbe, e cila ishte në ndjekje të ushtrisë osmane, kishte qëllim kryesor gllabërimin e tokave shqiptare, duke i konsideruar ato si territore osmane. Pra, zbrazëtirën e krijuar nga largimi i osmanëve, synonte ta mbushte Serbia aneksioniste. Përballë këtij rreziku të ri, patriotët shqiptarë vendosën urgjentisht të shpallnin Pavarësinë e vendit, duke i treguar botës që ne nuk jemi popullsi osmane, si dhe tokat tona nuk janë territor osman. Për herë të parë në historinë moderne shqiptare, Elbasani ishte qyteti i parë që ngriti Flamurin e Pavarësisë.
Ka pak muaj, që rrugët e qytetit tonë të Elbasanit u markuan me tabela metalike, të cilat mbajnë emra të ndryshëm njerëzish, që thuhet se kanë merita të jashtëzakonshme në dobi të atdheut dhe qytetit. Them kështu, sepse disa prej tyre është pranuar se kanë me të vërtetë merita të tilla, ndërsa shumë të tjerë janë krejt anonimë dhe të panjohur, ose emërtesa të politizuara apo klanore. Do të ishte mirë, që çdo njësi bashkiake e cila administron këto rrugë, të kishte edhe jetëshkrimin e secilit person-emër rruge, pasi nuk gjendet kund një informacion për ta dhe për çfarë shquhen midis të tjerëve.
Por, në këtë mori emrash të bie në sy edhe emri i një gruaje të quajtur Marije Buda. Pas interesimeve të shumta, munda të mësoj se ajo është e bija e Iftimiut dhe Anës nga lagja KALA në Elbasan dhe, kushërirë e parë e Aleks Budës. Në moshën 16 vjeçare Marija martohet me djaloshin Jorgji Santo, (nip i Lef Nosit, i cili ishte një prej firmëtarëve të Pavarësisë), që e kishte edhe fqinj. Pas disa viteve martesë, burri i vdes herët duke i lënë katër djem dhe një vajzë dhe Marija pleqëron me njërin nga djemtë, Santon.
Ka pasur një traditë të bukur në Elbasan, që në prag të Pavarësisë dhe më pas, shumë goca të qytetit qëndisnin nën hijen e portokallave, flamuj kombëtarë për zbukurime të mjediseve të shtëpisë ose për pajën e martesës. Një nga këto është edhe Marije Buda. Është simbolikë me vlerë edhe fakti, që në Elbasan përpjekjet për pavarësi dhe dije, kishin karakter gjithëpërfshirës dhe jo një aksion krejt maskilist.
Flamuri i qëndisur nga Marija, sot ndodhet në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Elbasan dhe ka përmasa afërsisht 40×50 cm, punuar me dorë me fije ari dhe gjymyshi. Në një pëlhurë me sfondin e kuq pothuaj në ngjyrë vishnje, është qëndisur me fije të zezë shqipja dykrerëshe, si simboli ynë totem. Sipër dy kokave të shqiponjës është fiksuar me qëndisje, me fije ari të verdha, data fatlume 25 NENTUER 1912, ndërsa poshtë, djathtas, janë qëndisur po ashtu me fije ari germat kapitale: MARIJE BUDA, dhe poshtë emrit, ka shënimin: KALA-ELBASAN (me alfabet latin).
Për më se tetë dekada ky flamur shërbente si jastëk dekorativ në odën e miqve të shtëpisë së Santove dhe Marija gjithmonë kujdesej për të duke iu drejtuar nipit të shtëpisë, Jorgjit, që mbante edhe emrin e burrit të saj: “kët’ flamur ta ruash sepse ia kam qenis’ Jorgjit tem për shpalljen e Pamvarsis’ dhe ty të kam në vend të tij, prandaj ta ruash me kujdes”.
Dhjetë vjet më parë, poseduesi i këtij flamuri Jorgji Santo, ia dërgon atë koleksionistit të njohur elbasanas Vangjel Kapidani i cili e vendosi në një kornizë druri dhe fillimisht e ekspozoi për pak kohë në një mjedis të Bashkisë së Elbasanit. Ka një koinçidencë të habitshme sepse, nëse në Vlorë u ngrit flamuri i qëndisur thuhet nga Marigo Pozio, ne në Elbasan kishim Marije Budën tonë dhe, me xhelozi të themi se e ngritëm flamurin e Pavarësisë, tre ditë para tyre. Le të ndihemi krenarë, që ne e shpallëm të parët Pavarësinë dhe nderim për Marije Budën e familjen e saj!
Siç dihet, flamuri i Pavarësisë në Elbasan u ngrit që nga ballkoni i Bashkisë së qytetit, më datë 25 Nëntor 1912 nga i nderuari Alush Saraçi (kryetari i Beledijes – Bashkisë së kohës). Por, ne nuk kemi informacion se cili flamur ishte ai, kush e qëndisi apo e pruri këtu, ku ndodhet ai flamur etj. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ndodhet një flamur tjetër i qëndisur, për të cilin thuhet se është flamuri i Elbasanit, por nuk jepen detaje.
Firmëtarët e pavarësisë së Elbasanit janë Aqif Pashë Elbasani (Biçaku), Shefqet bej Vërlaci, Abdullah bej Tirana, Venemin Deliana, Ali bej Agjahu, Refik Myftiu, qehajai i Esnafit sheih Mahmud Guma, sheih Hysen Sulova, Ruzhdi Alushi, Alush Saraçi, Venemin Nosi, Kolë Papajani, Emin Haxhiadem Shijaku, Ymer Peni, Hysen Dakli, Hysen Hostopalli, Serafin Jorgaqi, Dhimitër Paparisto, Hasan bej Biçakçiu, Fuat bej Kahremani, Servet bej Zylfi, Demir bej Sulçebeu, sheih Xhaferr Pasmaqi, Taqi Buda, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Rrapush Demeti, Mahmud Hakani, Isuf bej Taushani, Hasan Çiftja, Demir Zenelhoxha, hafëz Sulejman Kungulli dhe zv/mitropoliti Dhimitër Dhimitruka.
Ndërsa në Vlorë do të jenë delegatë elbasanas në firmosjen e aktit të Pavarësisë së gjithë Shqipërisë: Qemal bej Karaosmani, Lef Nosi dhe Shefqet bej Daiu. Përfaqësues i Elbasanit ishte edhe Mid’hat bej Frashëri. (Dokumenta Historike, Prill 1924, Nr. 4, shtypshkronja “Elbasani”, boton Lef Nosi, fq. 103).
B. Dylgjeri & J. Santo
Elbasan, 24 Nëntor 2020
Botuar për herë të parë në gazetën vendore ELBASANI, Nr. 688, Shtator 2012