/

HUDHRA

Nuk kam ndërmend t’ju kujtoj që hudhra mbahet veç “për me prish’ synin e keq”, sipas besëtytnive të lashta. Por, ngjarja që do të rrëfej sot ka lidhje me një veprim tjetër vërtetë çudibërës të hudhrës, të cilën unë as që e kisha dëgjuar më herët.

321 pamje
8 minuta lexim
Hudhra

Nuk kam ndërmend t’ju kujtoj që hudhra mbahet veç “për me prish’ synin e keq”, sipas besëtytnive të lashta. Jo. Hudhra ishte dhe mbetet përbërës i veçantë i gatimeve tona. Mbaj mend se një nga gatimet tona përgatitet me hudhra dhe kos. Po ashtu, patëllxhanave të mbushur u futej edhe 3-4 thelbinj hudhra, qulli me arra kishte detyrimisht hudhër etj. Në kuzhinën tonë ajo përdoret shpesh, ndaj unë bëj çudi me shumë të rinj sot që thartojnë turinjtë dhe thonë “nuk e ha gjellën me hudhër ose gjellën me qepë”.

Mirëpo të moshuarit na këshillonin: hudhër + qepë = jetë.

Por, ngjarja që do të rrëfej sot ka lidhje me një veprim tjetër vërtetë çudibërës të hudhrës, të cilën unë as që e kisha dëgjuar më herët.

Një pasdite ndërsa isha me shokët duke kthyer nga një gotë të vogël, njëri prej tyre na tregoi.

Vite më parë banoja në një fshat këtu afër, buzë lumit Shkumbin. Ishim tre vëllezër të martuar, kishim gjithashtu prindërit tanë, si dhe gjyshin, pasi gjyshja kishte ndërruar jetë. Natyrisht një tufë kalamaj, të mitë dhe të vëllezërve, të cilët rendnin poshtë e lart, mësonin, loznin, kryenin ndonjë punë të vogël dhe kalonin kohën me çapkënllëqet e tyre të moshës.

Gjyshi, si përhera ulej në një minder aty në hajat, me njërën këmbë pak të ngritur me shputën të ngulur në divan, përthyer në gju dhe, tjetrën futur poshtë të parës. Një pozicion si gjysmë këmbëkryq. Tymoste papushim duhan me një llullë, për të cilën thoshte se e ka përgatitur vetë me dru bushi. Ngjitur me minderin e tij ishte një tavolinë e vjetër në të cilën ishte vendosur një radio kineze. Asnjë stoli tjetër në atë tavolinë.

Pothuajse çdo natë gjyshi dëgjonte emisionin radiofonik të shëndetit, në të cilin ligjëronte mjeku Hamdi Sulçebe. Ishte i fiksuar gjyshi pas atij emisioni. Me aq shumë vëmendje e dëgjonte, sa të dukej sikur shndërrohej monument.

Hudhra
Hudhra

Një ditë, njëri nga nipat e vegjël, rreth 5 -6 vjeç shkon të lozë te kosheret e bletëve, që ne kishim në fushën përpara banesës dhe pas pak ai ia dha britmës dhe të qarave. Klithma ku i shkonte. U turrëm me të shpejtë për të parë ç’i ndodhi vogëlushit, kur ç’të shohim … dhjetra bletë e kishin sulmuar dhe pickuar atë anë e kënd. E çuditshme, pasi ai dhe fëmijët e tjerë kishin lozur përherë aty rreth koshereve, por nuk dihet se ç’i shtyu bletët atë ditë për ta sulmuar atë. Për pak minuta trupi i nipit të mitur u ënjt dhe u fry si tollumbace.

Ne u tmerruam dhe nuk po dinim ç’të bënim. Dikush tha të njoftojmë urgjent infermieren e fshatit, por ajo ishte larg dhe koha nuk priste … ta lagim me ujë … ta lyejmë me lëngun e rrushit të papjekur … Ndërkohë fëmija i pickuar nga bletët as po qante do më, sepse po i ënjtej edhe fytyra me gojën. Të lemerisur nga pamundësia, ne shikonim me ankth sytë e vogëlushit që kërkonin derman.

E në atë kakofoni zhurmash, urdhërash, këshillash dhe lëvizjeve tona të pakuptim, kumboi më në fund zëri i gjyshit, i cili pa lëvizur nga vendi, tha: – Lyjeni, lyjeni të gjithë trupin e çunit me hudhra të shtypura. Lyjeni nga gishtat e këmbëve e deri në kokë. Kaq foli gjyshi, i cili dukej sikur nuk ishte turbulluar fare.

Të ndodhur në gjendje të pashpresë, sepse nuk dinim ç’të bënim tjetër, morëm rrufeshëm një varg me hudhra, që rrinin varur në një gozhdë dhe i shtypëm. E zhveshëm lakuriq fëmijën dhe e lyem, siç tha gjyshi. Mbasi mbaruam punë shumë shpejt me lyerjen, mbetëm pa lëvizur si të hutuar duke pritur mrekullinë. S’kishim ç’bënim tjetër.

Dhe vërtetë mrekullia ndodhi. Pas pak minutave trupi i vogëlushit filloi të shfryhet ngadalë – ngadalë dhe, mbase për dhjetë minuta mori formën e parë. Fjalët e para të tij ishin: – Dua bukë dhe, nisi të buzëqeshë. (mbase si reagim nga frika dhe tmerri që përjetoi).

Thirrjet e gëzuara tonat dhe hareja ia zunë me të drejtë vendin lemerisë së parë. Përqafonim njëri – tjetrin nga suksesi, si dhe e “mbytëm” me të puthura vogëlushin e sapo dalë nga ajo gjendje e traumatizuar.

E gjitha kjo ndodhi aq shpejt, sa na u duk si ëndërr.

Ktheva kokën nga gjyshi, por ai me vështrimin e tretur tutje, vazhdonte lëshonte shtëllunga tymi duhani, sikur nuk kishte ndodhur gjë.

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2022

RSS
Ndiq me Email
Share