Veprimtaria e gjanë kulturore dhe shkencore e Kostandin Kristoforidhit ka lidhje edhe me kujtimet e hershme të Visarionit për gjuhëtarin e shquem, përkthyesin dhe letrarin e talentuem, kur ai mësonte prej tij shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe në Elbasan, si edhe kur ndiqte ritet fetare në kishën e Kalasë.
Me dy qarkore të viteve 1931 dhe 1935 Visarioni urdhënoi të gjitha kishat që ta përmendnin emnin e Kristoforidhit në lutjet kishtare. Qarkorja e dytë jepte vendimin e Këshillit Mikst që më 21 Maj të bahej përshpirtje në të gjitha qytetet e katundet dhe të flitej për figurën e Kristoforidhit.
Kryepeshkopi ka dhanë këtë biografi të shkurtën të Kristoforidhit:
“Kostandin Kristoforidhi Elbasanasi ka lindun më 1830 prej Anastas Nelkos dhe Vojsava Josifit. Ka mbarue gjimnazin në Janinë. Ka përkthye Dhjatën e Re, Historinë e shkronjës së shenjtë, Psallmi, të Bërat dhe të Dalat, Fjalët e urta të Sollomonit dhe Isainë, si dhe copa të tjera të Dhjatës së Vjetër. Ka mbarue jetën në Elbasan më 1895, më 24 Shkurt.
Gjithë jetën e tij e kaloi me predikimet e fjalës së Shenjtë, të Ungjillit, të idealit të bekuem të shqiptarizmës. Mësimet e nalta i bani në Ingliterë. Ka vuejtë shumë moralisht dhe materialisht i ndjekun prej propagandës së Fanarit. Ka marrë pjesë në flotën angleze në luftën kristiane kundra Turqisë me shpresë lirimin e Shqipnisë.
Ka shkrue fjalorin me randësi të gjuhës shqipe. Si kryetar familje ka ba detyrën e vet plotësisht”.
Zavendësit të Mitropolitanës së Elbasanit Visarioni iu drejtue me nji letër të veçantë udhëzuese shumë të hollësishme, sepse aty do të bahej ceremonia kryesore. Ai e udhëzoi atë që të merrte masa që festa e Shën Gjonit dhe përshpirtja e Kristoforidhit të baheshin sa ma madhështore dhe të merrnin pjesë qytetarë dhe katundarë dhe të thirreshin autoritetet civile dhe ushtarake të qytetit.
Përshpirtja në kishë do të fillonte në orën 9. Këshilli kishtar caktoi nji person që do të mbante fjalimin e shkurtën, në të cilin do të flitej për punën e Kristoforidhit, për kishën shqiptare, për veprimtarinë e tij partriotike dhe vlerat e veçanta për gjuhësinë shqiptare. Vorri i tij do të stolisej me dafina dhe lule. Oborri i kishës dhe rrugët përqark duhej të ishin të pastra. Në portën e Kishës dhe të Mitropolisë ngriheshin flamurë. Palareja do të ishte e stolisun vetëm me të bardhë dhe tryeza do të mbulohej me çarçafë mëndafshi të bardhë.
Të njëjtin kujdes tregon edhe për mitropolinë. Ajo duhej të ishte e pastrueme dhe e shtrueme me qilima. Pritja që do të bahej në Mitropoli, do të bahej nga një komision intelektual të cilët edhe do të përcillnin të ftuemit. Gostitja do të ishte e thjeshtë, vetëm bombone dhe me ujë të freskët.
Për përkujtimin e birit të nderuem të qytetit, do të merrnin pjesë të gjithë banorët, prandaj u caktuen edhe organizatorët e ceremonialit.
Kësaj veprimtarie i bani jehonë “Predikimi” i nr. 49 i datës 31 Maj 1935:
“Më 21 Maj me një ceremoni madhështore u festue prej klerit të Kishës OASH 40 vjetori i vdekjes së Kristoforidhit. Në të muerën pjesë autoritetet e vendit si dhe populli i Elbasanit pa dallim feje”.
Qarkorja mbyllej me porosi që të gjitha kishat të interesoheshin që përshpritja të bahej sa ma madhështore. Në këtë përshpirtje u mbajtën fjalimet e rastit dhe u vendos statuja modeste por shumë impozante e Kostandin Kristoforidhit, vepër e skulptorit Odise Paskali, që u ba me shpenzimet vetjake të Kryeepiskopit Visarion. Dhurata e Kryehirësisë ishte për t’u lavdërue, sepse ajo bahej nga një kryetar shpirtnor që nuk ishte i pasun.
Shkëputur nga Dr. Visarion Xhuvani, VEPRA (Përgatitur nga Nos Xhuvani-Pavli Haxhillazi), 2007, f. 147.