/

Abedin Çaushi (1894 – 1966) – Nderojnë Elbasanin

Lindi në Elbasan më 3 Janar 1894, ndërsa i ati i tij Ali Hysen Çaushi ndërkohë që ishte mjeku i Beledijes (Bashkisë) Elbasan, ishte aktivizuar në përpjekjet për Pavarësi. Ai ishte komandant i Çetës së Bushekut, në lidhje të ngushtë me Aqif Pashën për shpalljen e pavarësisë së Elbasanit, e cila u realizua më 25 Nëntor 1912.

1165 pamje
7 minuta lexim

Aktivist i shquar i arsimit dhe kulturës, etnograf dhe historian.

Lindi në Elbasan më 3 Janar 1894, ndërsa i ati i tij Ali Hysen Çaushi ndërkohë që ishte mjeku i Beledijes (Bashkisë) Elbasan, ishte aktivizuar në përpjekjet për Pavarësi. Ai ishte komandant i Çetës së Bushekut, në lidhje të ngushtë me Aqif Pashën për shpalljen e pavarësisë së Elbasanit, e cila u realizua më 25 Nëntor 1912. Në Qershor 1914, Aliu arrestohet bashkë me të birin, Abedinin, nga forcat obskuro-rebele të Haxhi Qamilit, të cilët i djegin shtëpinë.

Arsimin fillor, Abedini e kreu në shkollën turke qytetëse (Ruzhdije Mekteb) në vendlindje dhe, me çeljen e Normales në Dhjetor 1909, i ati e regjistron menjëherë në shkollën e re shqipe. Për koincidencë të dy shkronjave të para të emrit të tij, ai merr numrin 1 të amzës së kësaj shkolle dhe sot identifikohet Abedin Çaushi studenti i parë i kësaj shkolle të famshme, Normales së Elbasanit. Pas mbylljes së përkohëshme të Normales nga xhonturqit, ai vijoi mësimet në gjimnazin turk të Manastirit.

ABEDIN ÇAUSHI

Ngjarja më e rëndësishme e Abedinit kulmon më datë 5 Maj 1913, kur ai me shumë sakrifica hapi shkollën e parë shqipe në Shijak. Nga viti 1915, derisa doli në pension në vitin 1960, Abedini shërbeu në shumë shkolla të ndryshme duke qenë një nga mësuesit e respektuar dhe model i arsimtarit.

Gjatë periudhës së mësuesisë ai merret me përgatitjen e teksteve mësimore dhe në vitin 1932 botoi “Mësime Ushtrimore”, si dhe ka lënë në dorëshkrim një tekst studimor mbi historinë e re të Shqipërisë.

Abedin Çaushi është edhe personaliteti më i afirmuar në fushën e etnografisë së zonës së Elbasanit. Me durim dhe përpjekje ai grumbulloi materiale të shumta etnografike mbi kulturën popullore të Elbasanit, grumbulloi dokumente të vjetra të kohës së pushtimit osman etj. Ishte Abedini ai që gjeti dokumentin shkresor më të vjetër dhe më interesant në Elbasan, Statutin (Sexhere) e Esnafit të Tabakëve, i hartuar nga Sheh Seid Mustafa Sulejmani më 14 Maj 1657 (muaji Shaban 1067). Statuti i Tabakëve të Elbasanit u bë shembull i të gjithë esnafëve të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Me emrin e Abedin Çaushit është e lidhur edhe lëvizja teatrore amatore në Elbasan, e cila zë fill 100 vjet më parë. Në vitin 1917 ai shfaq për publikun premierën e tij të parë “Vdekja e Pirros” me trupën amatore të nxënësve të shkollës së Qoshes (sot rreth-rrotullimi “1 Maj”). Kjo veprimtari artistike dhe amatore do të vazhdojë deri në vitet 1950 dhe Abedini ishte drejtuesi, regjizori dhe skenografi i kësaj trupe teatrore amatore. Lëvizja teatrore elbasanase nuk duhet parë vetëm si një event artistik dhe emancipues i kohës, por edhe si një element shumë i rëndësishëm i lëvrimit të shqipes së shprehur nëpërmjet të shprehurit artistik, siç është teatri. Dhe kjo e fundit nuk përbën çudi në Elbasanin e Jorgji Theoharit, Kristoforidhit, Todrit, Xhuvanit, Haxhiademit, Cipos, Domit etj. Me të drejtë sot bashkëqytetari ynë Ruzhdi Stringa vëren: “Elbasani ka qenë gjithmonë në radhët e para për punët me gjuhën shqipe, sidomos për ato përbashkuese (Kristoforidhi), pastrim-pasuruese (Xhuvani) dhe shprehëse (Haxhiademi)”.

Në vitin 1930 trupa teatrore amatore e drejtuar nga Abedin Çaushi mori pjesë në konkursin kombëtar të javës teatrore dhe artistike në nivel kombëtar, me tragjedinë “Aleksandri” të Ethem Haxhiademit, si dhe “Mjerim dhe lumtuni” dramë me 5 akte nga Firdusi etj. Rezultati ishte i mrekullueshëm dhe publiku e priti shumë mirë. Trupa jonë teatrore amatore zuri vendin e parë dhe Abedin Çaushi nderohet me Kupën e Artë.

Ndonëse u martua, fati u tregua i shtrënguar me Abedinin dhe nuk i dha fëmijë. Për pasojë, shumë nga dorëshkrimet e tij të historisë, etnografisë dhe teatrit u zhdukën apo u përvetësuan nga të tjerë. Për Abedin Çaushin dhe kontributin e tij në arsim, teatër dhe etnografi është botuar një libër, si dhe ai është nderuar me titujt “Mësues i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Elbasanit’.

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Shtator 2015

(Falënderoj Z. Pëllumb Gega për ndihmën)

RSS
Ndiq me Email
Share