//

Ustai

Ai ishte veçse një burrë fisnik origjinal, pasi jo gjithmonë pamja tregon shpirtin. Krijues i këngëve qytetare shumë të bukura, autor i teksteve dhe muzikës, interpret i mahnitshëm, autodidakt i shkëlqyer … megjithëse ishte analfabet. Ngjarjet e ndryshme në qytet, histori dashurie, ndodhi patriotike, gjëma të paparashikueshme, mrekullitë e natyrës, yshtjet mistike etj etj. ishin “brumi” i këngëve të tij. Nuk besoj se e teproj nëse them që krijimtaria e tij ishte “ditari muzikor” i qytetit.

1810 pamje
19 minuta lexim

Usta, na merr ‘i kângë! – tha shkujdesur një nga të pranishmit që ishin ulur në kahve, aty te Bobollja. Ishte një kërkesë si mëdyshas, pak ofenduese, sepse erdhi si lutje dhe si urdhër. Vetëtimthi Ustai e pa pjerrtas me një shikim të ftohtë. Nuk foli. Përveshi ngadalë mëngët e këmishës vdorë të bardhë, nxorri violinën dhe e kundroi atë me qetësi. Befas e futi sërish brenda këllëfit dhe me ofshamë të lehtë e me ndërprerje të shkurtëra sikur po fliste me vete, tha: – Javash ‘i her’ … unë nuk jam gramafon … kânga vjen vetiu. … burrat ulen e përshneten me njâni-tjetrin … nezin ka i cinarre duhan … kthejnë ka i gotë raki … e ani vjen muhabeti ke kânga … për kângë e ziafet m’gjeni n’akshâm ke Çairja, … përmi llonxhën n’Spahikorre … pa shku’ ke kisha e “Shën Thanasit”…! Ia bëri me shenjë Met Gurrës, se ai vend nuk ishte për ta.

Ustai ishte tip i sertë, me pamje të zymtë e nuk e teproj po të them i vrazhdë, por çuditërisht, krejt ndryshe nga pamja dhe tërësia e sjelljeve, ai kishte shpirt të madh artisti. Megjithëse kishte karakter të ashpër, ai nuk ishte vetëpërcaktues arrogant, apo një kokëfortë i ngurtë. Ai ishte veçse një burrë fisnik origjinal, pasi jo gjithmonë pamja tregon shpirtin. Krijues i këngëve qytetare shumë të bukura, autor i teksteve dhe muzikës, interpret i mahnitshëm, autodidakt i shkëlqyer … megjithëse ishte analfabet. Ngjarjet e ndryshme në qytet, histori dashurie, ndodhi patriotike, gjëma të paparashikueshme, mrekullitë e natyrës, yshtjet mistike etj etj. ishin “brumi” i këngëve të tij. Nuk besoj se e teproj nëse them që krijimtaria e tij ishte “ditari muzikor” i qytetit.

Pasdite vonë, të gjithë pjestarët e orkestrinës së tij nuk shkuan andej nga Çairja si përhera, por ia mësynë nga Rrapi i Mansit. Të heshtur dhe seriozë ata u futën në teqen e bektashinjve që ndodhet aty pranë. Ustai ishte njeri respektuar atje dhe teqja e kishte pranuar “myhib” (gradë fetare e urdhërit bektashi). Babai i teqes me mjekrrën e bardhë e të gjatë, doli vetë në derë dhe plot shend e buzagaz ua uroi mirëseardhjen me përshëndetje shqip dhe arabisht duke përsëritur “bujrum…bujrum”. Pasi u rehatuan këmbëkryq dhe u përshëndoshën me njëri-tjetrin në konakun e pritjes, Babai përplasi duart dhe menjëherë ia behën dy dervishë, të cilët i qerasën mysafirët me reçel kajsie dhe shurup trëndafili. Nuk vonoi dhe erdhi sofra e cila u mbush kapul me gatime të shijshme dhe ata me mirësi i përcollën të zotit të shtëpisë urime e selame të pafundme, me gotat e mbushura me raki.

Këtë foto ma ka dhuruar miku im i mirë Xhemil Gurra (i ndjeri), i cili ishte njëri nga katër djemtë e Mehmet Gurrës, që citohet më lart.
I treti nga e djathta në foto është usta Isuf Myzyri, në qendër është Mehmet Gurra.

Pak para se në sofër të shtrohej kabunija me mish dashi e rrush të thatë, Babai u drejtua nga Ustai dhe e udhëzoi: -Tek nefes! (një frymë, një shpirt, një zë….me kuptimin: nise ti fillimisht këngën, nise ti i pari këngën etj.) Ustai ia nisi i pari, por me zë të dridhur, paksa qejfprishur ku u dallua qartë trishtimi, sepse kënga e tij e dashur në të vërtetë ishte një elegji, bënte fjalë për një bolbë që kishte ndodhur ato ditë në Elbasan. Një vajzë e re kishte vdekur…. “Fustani me pika, sa hije të paska / n’rije pak kapelen Nepi, sa të shof se plasa…..”. Ngadalë – ngadalë instrumentistët bënë gati veglat muzikore dhe vijuan së bashku. Ashtu urtë e butë, pa ngjirje e gulçime kënduan këngë “dautije”, shtruar, ëmbël dhe qetë. Vazhduan me këngë deri në sabah.

Që në moshë 24-vjeçare ai krijoi formacionin e parë muzikor të përbërë nga: Mehmet Gurra me ud të cilin e kishte mik besnik dhe ky i shkruante edhe tekstet e këngëve, Mahmud Ashiku me lahutë, Arif Topalli me dajre, Simon Vela me çyr, Ibrahim Zaimi me çyr bishtgjatë, Myrteza Graceni e Riza Berati me violinë dhe Thoma Prifti me klarinetë. Më pas, orkestinave të themeluara prej tij, do t’i bashkëngjiten edhe Mehmet Balashi me lahutë, Musa Bebeti me mandoll etj. Studiuesit mendojnë se Ustai ka krijuar 90 këngë, por vetëm 21 prej tyre kanë mbërritur e ruhen, e të tjerat janë shuar me kalimin e viteve dhe askush nuk i mban mend. Unik në llojin tij si krijues i këngës qytetare. U martua, por u nda shpejt e nuk pati fëmijë. Pjesën tjetër të jetës e byri me të motrën.

Flitet se këtë violinën ia kishte dhënë Ustait një oficer i nemces gjatë Luftës -I- Botërore, kur ushtritë austro-hungareze u futën në Elbasan duke përzënë ushtrinë serbe. Fare rastësisht ushtaraku i huaj kishte kaluar andej nga Ura e Zaranikës dhe tej portokallave të një bahçeje, dëgjoi tingujt magjepës të një violine. I befasur nga interpretimi, oficeri i huaj kërkoi dhe takoi instrumentistin. Dhe ja, para tij u shfaq një vendas rreth të 40-tave, fytyrëzbehtë, i veshur me tirq, xhamadan e qeleshe … dhe me një violinë të vjetër në dorë!!! Sa çudi! Në periferi të këtij qyteti të vogël me fizionomi pothuajse orientale, qenkësh dikush që luan në violinë?! Kjo pamje paksa sureale e shtangu të huajin me uniformë ushtarake, sepse mendoi që do të takonte ndonjë zotëri me kostum alla frënga, me borsalinë e kravatë, por jo! Mendimet iu ngatërruan në kokë, ndaj u ul e ndenji pak kohë aty duke dëgjuar muzikën e Ustait. Pas ndonja 10-15 minutash u çua pa dëshirë për t’u larguar, por i mrekulluar nga saktësia dhe larmia e melodive të luajtura nga ky virtuoz i çuditshëm. Të nesërmen, oficeri i nemces i dhuroi violinën e tij. Të paktën kështu thotë legjenda.

Thuhet gjithashtu, se kur u martua Mbreti Zog, Ustai i kushtoi një këngë. Në shenjë mirënjohje për këngën, Mbreti i dërgoi një letër falënderuese, si dhe i dhuroi 3 monedha (nopolona) ari, por që njëra prej tyre “duke u endur zyrave kishte humbur rrugës”. I nevrikosur nga mospërputhja e tyre, Ustai dyshoi se e kanë vjedhur. Në të njëjtën letër të ardhur, i tha Met Gurrës që të përgjigjet me falënderime për Mbretin dhe njëkohësisht ta njoftojë atë për monedhën e artë që mungonte. – Shkruj, Met! …“Na xhepi jemi hollë / na mosha jem pleqni / u nodhëm ene pa shkollë / na fal kusuret Naltmadhni”! Nuk kaluan 24 orë dhe monedha që “kishte humbur rrugës” i erdhi në dorë Ustait…

“Moj martinë ta puthsha çarkun / pa m’dal xhani ma more hakun”! janë vargje-jehonë të këngës së tij për Cen Kavajën (Desari) që u ndesh deri në vdekje me ushtarët osmanë. (Ceno Kavaja_Desari ka qenë komandanti ushtarak i Degës së Elbasanit të Lidhjes së Prizrenit. Për t’iu fshehur gjurmimeve të pushtuesit osman, ai shpesh strehohej në Teqen Halvetie që ndodhet ende pranë ndërmarrjes elektrike në Elbasan. Ushtarët e huaj nën ndikimin e fanatizmit sunnit, nuk shkelnin në këtë teqe, sepse e konsideronin blasfemi).

“S’paske pasë pikë mëshire”, “Dashunija si rrufe”, “Nji lulisht’ me trandafila”, “Iku nata, agun malet”, “Si bilbili në pranverë”, “Mâ mirë n’pyll se në qytet”, “Në zabel të erdha”, “Midis vetllash m’ke nji pikë”, “Ç’u dëshirush për me të pa ty”, “Kur pata nji lule t’bukur” … e shumë e shumë të tjera, tashmë janë bërë këngë – hymn nëpër dasmat shqiptare.

Për pak kohë ai mori pjesë në dasma i pajtuar me pagesë së bashku me grupin e tij, por shpejt i la ato. Nuk mundej të këndonte me porosi. As vendi e as koha nuk ia diktonin dot këngën, por duhej që ajo të buronte vetë, duhej tik-taku i një sahati të brendshëm që kurdisej vetë, pa u përlyer me rendin tokësor të gjërave. Kënga për të ishte një “shkëndijë e brendshme” që nuk ndikohej fare nga jashtë. Vetëm ashtu i ndizej shpirti! Ai ishte si zog i lirë dhe nuk “kuadratohej” lehtë.

Ndërkohë, fama e tij ishte rritur dhe në Tiranë pritej si hero. Kishte miq të vjetër atje se edhe zanatin e qeleshepunuesit prej tyre e kishte mësuar, te Rexhep Murthi. Shkonte shpesh në Tiranë dhe ata e respektonin mjaft. Pinin e këndonin deri në agun e ditës tjetër. Ashikë të vjetër. Po ashtu edhe në Berat.

Kjo famë e “dërgoi” edhe në Kosovë e Maqedoni ndër shqiptarët e atjeshëm, të cilët e çmuan dhe e vlerësuan shumë repertorin e tij të shkëlqyer. Këngët e tij janë aq popullore në këto treva shqiptare, sa të rinjtë e atyre zonave që nuk e dinë, e pandehin Ustain sikur të ketë qenë me prejardhje nga Gjakova!?

Këngët e tij janë të pranishme në çdo shtëpi elbasanase, në çdo tavolinë ku këndohet, në çdo skaj ku jetojnë shqiptarë. Rastësisht Ustai u njoh në Llixhën termale të Elbasanit edhe me Lasgush Poradecin dhe u bënë miq, sepse gjenitë e nuhasin njëri – tjetrin. Poeti brilant njohu poetin dhe muzikantin e magjishëm popullor! Madje, thuhet se vite më vonë Poradeci erdhi në Elbasan e kërkoi ta takojë përsëri Ustain, por njëri nga miqtë iu përgjigj pa e fshehur pikëllimin: – Ka kaluar… (Ustai kishte ndërruar jetë).

Isuf Myzyri (1881 – 1956) ndërroi jetë më 22 Tetor 1956 dhe varrimi i tij u shndërrua në një ceremonial funeral të paparë deri atëhere në Elbasan, sepse në këtë botë shumë njerëz lindin dhe vdesin, por disave nuk u “vdes” emri pikërisht sepse është krijimtaria e tyre në dobi të njerëzve që nuk “vdes”. Ustai ishte prej tyre. Madje brenda këtij lloji, ai ishte nga ata që japin shumë dhe nuk kërkojnë asgjë, e ne vetëm se i respektojmë me devocion.

Në vitin 1956 Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë e dekoroi me “Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë”. Më 7 Qershor të vitit 1978, ai u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa Elbasani, qyteti i tij i lindjes, e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Sot, Ansambli i Këngëve dhe Valleve në Elbasan mban emrin “Isuf Myzyri” dhe në Muzeun Etnografik të qytetit është vendosur një shtatore e tij. Gjithashtu, Isuf Myzyri bashkë me Mustafa Bodinin dhe Aleks Josifin (Leksi i Vinit), formojnë trekëndëshin e artë të muzikës qytetare elbasanase. Unë nuk bëj aspak çudi pse këta krijues gjenialë të këngës tonë qytetare janë përqëndruar te ne, sepse besoj që vetëm një mjedis i “mbarsur” me mirësi, dashuri, hakikat e bashkëjetesë të kundërtash, siç është Elbasani, pjell të tillë gjigantë.

b_dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2018

RSS
Ndiq me Email
Share