///

Teatri i Elbasanit

Elbasani kishte krijuar teatrin e tij që në 10-vjeçarin e parë të shekullit XX dhe, deri në vitin 1944 kishte shfaqur për shikuesit 64 drama në Elbasan dhe në Tiranë

1069 pamje
6 minuta lexim
teatri_elbasanit

Elbasani kishte krijuar teatrin e tij që në 10-vjeçarin e parë të shekullit XX dhe, deri në vitin 1944 kishte shfaqur për shikuesit 64 drama në Elbasan dhe në Tiranë.

E pra ndër të tjera, plot 92 vjet më parë, pikërisht më datë 8 Tetor 1930 trupa teatrore amatore e Elbasanit mori pjesë në Olimpiadën e Parë Filarmonike të teatrove të Shqipërisë dhe fitoi çmimin e parë. Në këtë konkurs ishin në garë edhe trupat e teatrove të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kavajës dhe Bilishtit. (trupa teatrore e Korçës mbërriti me shumë vonesë dhe nuk u pranua në garë).

Përzgjedhjen e pjesës së teatrit elbasanas e mori përsipër Ethem Haxhiademi, i cili ishte krijues i tragjedisë konkuruese në këtë Olimpiadë, dhe njëkohësisht aktor (me role burrash edhe grash, pasi dihet mendësia obskurantiste në lidhje me femrat që mund të aktronin).

Pjesa “Aleksandri i Madh” e Ethem Haxhiademit me të cilën konkuroi Elbasani, ishte tragjedi e kthyer prej tij në poezi dhe jo në prozë. Subjekti i pjesës sonë, si dhe loja mjeshtërore e djelmoshave elbasanas e mahniti spektatorin kryeqytetas. Ky konkurs teatror zgjati katër ditë dhe, shpesh, shfaqjet që fillonin në mbrëmje, mbylleshin në mesnatë.

teatri_elbasanit
Trupa teatrore elbasanase që interpretoi tragjedinë “Aleksandri i Madh” në vitin 1930

Mendoni kushtet e vështira të kohës për udhëtimin cfilitës që zgjaste 7 orë nga Elbasani deri në Tiranë të trupës teatrore elbasanase, e hipur në karrocerinë e një automjeti aspak të përshtatshëm, që udhëtonte në rrugën e pa asfaltuar të malësisë së Krrabës.

Pra, Elbasani u përfaqësua me tragjedinë “Aleksandri i Madh” e shkruar nga Ethem Haxhiademi, i cili sqaron:

“Kjo vepër âsht mbaruë së shkruemi në Lushnje mbë 1928 dhe âsht botuë së parit mbë 1931 në Tiranë nga shtëpija botuese “Luarasi”.

Në këtë Olimpiadë Filarmonike të teatrove që u zhvillua në Tiranë, nën kujdesin e princeshës Rukije, Elbasani fitoi çmimin e parë, ose Çmimin e Veçantë të Mbretit. Në gazetat e kohës thuhet:

“Çmimi ishte nji kupë florini me: një peshtaf kadife me nji enë, pirun, thikë e nji lugë likuri të florinjta, nji medalje argjendi e nji dipllom, si dhe nji flamur e të cilat për siguri qenë dorzuar në arkën e Bashkisë Elbasan”.

Nuk përmendet se në cilën sallë ose ndërtesë u zhvillua ky konkurs, por gjasat janë që të ketë qenë “Kinema – theatër Nacional”, përndryshe quhej edhe kinemaja e Beshirëve në Tiranë, kjo fole e artit, e cila me të drejtë u mbiquajt “zemra dhe shpirti artistik” i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë së kohës.

Natyrisht, në ngritjen dhe rezultatet e vazhdueshme të teatrit elbasanas, meritë kryesore kanë mësuesit dhe studentët e Normales, veçanërisht ata studentë që shkuan jashtë vendit për studime të mëtejme dhe kur u kthyen këtu, përcollën tek të tjerët edhe dijet artistike të fituara andej.

Njëri prej tyre ishte edhe vetë Ethem Haxhiademi, poet, dramaturg, i vetmi tragjedian shqiptar, aktor, përkthyes, publicist etj. Ndër veprat e tij të mrekullueshme, mjafton të lexosh vetëm poezinë “Nymfat e Shkuminit” për të shijuar se sa ëmbël e stolis ai atdheun.

***

Literaturë:

Referuar “Filozofi në skenë” të autorit elbasanas Fetah Biza, i cili ma ka dhuruar një kopje të këtij libri.

Shumë e falënderoj!

Në foto:

Trupa teatrore elbasanase që interpretoi tragjedinë “Aleksandri i Madh” në vitin 1930.

(Poshtë nga e majta): Halit Narazani, Ethem Haxhiademi, Vasil Llapushi dhe Abedin Çaushi.

(Lart nga e majta): Mustafa Shehu, Miri Papajani, Faik Haxhiymeri, Mustafa Shqerra, Besim Qorri dhe Azmi Qafleshi.

(Foto është marrë nga profili i Hortensia Haxhiademi – Pëllumbi)

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2022

RSS
Ndiq me Email
Share