/

SOTIR KOLEA

E pamundur të shkruash për Elbasanin dhe personalitetet e tij mendjendritur, pa përmendur Sotir Kolean. Vërtet ai lindi në Berat, por pas gjithë atyre punëve dhe mundimeve për Shqipërinë, brenda dhe jashtë vendit, zgjodhi që ditët e fundit të jetës në pleqëri të thyer, t’i kalojë në Elbasan.

894 pamje
6 minuta lexim
Sotir Kolea

(Berat 1872 – Elbasan 1945)

E pamundur të shkruash për Elbasanin dhe personalitetet e tij mendjendritur, pa përmendur Sotir Kolean. Vërtet ai lindi në Berat, por pas gjithë atyre punëve dhe mundimeve për Shqipërinë, brenda dhe jashtë vendit, zgjodhi që ditët e fundit të jetës në pleqëri të thyer, t’i kalojë në Elbasan. Besoj që kjo nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme e tij, pasi ai e njihte ndjenjën e elbasanasve për atdhetarinë, diturinë dhe përkushtimin ndaj të pamundurve.

Duhet thënë se Sotir Kolea nuk u martua kurrë.

Fati deshi që im atë, si dhe shumë qytetarë të tjerë elbasanas, ta njohin atë, ta vlerësojnë punën e tij në dobi të vendit, si dhe të përkujdesen për shëndetin e tij.

Sotir Kolea banoi pikërisht në Shtëpinë e Murgeshave, e cila ndodhet pothuajse ngjitur me këmbanoren e kishës “Shën Maria” në Kalanë e Elbasanit. Po ashtu, Sotir Kolea edhe pse i rënduar nga mosha dhe shëndeti, nuk reshti së mbledhuri pasuritë nga tradita folklorike e zonës sonë. Dhjetëra përralla, gojëdhana, proverba, gjëza, mite e rite … disa prej të cilave ai i kishte kriptuar, sipas një kodi që e dinte vetëm ai.

(Thuhet se njëri prej miqve të tij elbasanas, i riu Nazmi F. ish-student në Vjenë të Austrisë, u torturua dhunshëm pas arrestimit në vitin 1946, sepse mendohej që vetëm atij mund t’ia kishte lënë Sotir Kolea kodin e shkrimeve). Ndoshta dikush interesohej t’i shtinte në dorë ato shënime.

Sotir Kolea

Sotir Kolea vdiq më 3 Korrik 1945 në moshën 73 vjeçare, por ndonëse unë nuk kam dijeni nëse u ndodhën të afërmit e tij në varrim, ai u varros me shumë nderime te varrezat kristiane, që ndodheshin te kisha e “Shën Thanasit”, në veri-lindje të Elbasanit. Ndoshta për shkak se ishin vitet e para pas luftës dhe, njerëzit kujdeseshin më shumë për mbijetesën.

Pas vitit 1950, varrezat e qytetit (ato myslimane ku sot ndodhet parku “Rinia”, si dhe ato kristiane te kisha “Shën Thanasi”), u zhvendosën dhe kaluan te varrezat e sotme publike. Secili qytetar që kishte mundësitë financiare, i mori mbetjet e të afërmve dhe i kaloi në varrezën e re.

Për Sotir Kolean nuk u kujtua askush (madje as sot, ndërkohë që pushtetet vendore rrokullisen njëri pas tjetrit). Ish-varreza kristiane u sheshua dhe u shndërrua në arë bujqësore.

Vite më vonë vjen në Elbasan Aleks Buda me cilësinë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i kërkon tim eti (sigurisht i pranishëm në varrimin e tij), që të mundësojë gjetjen e varrit të vjetër të Sotir Koleas në ish-varrezën kristiane, tashmë pa asnjë shenjë të dikurshme. U desh interesimi privat i Aleks Budës për rivarrosjen me dinjitet të eshtrave të Sotir Koleas në varrezën e re publike. Çuditërisht, im atë e gjeti me saktësi vendin dhe sot eshtrat e këtij dijetari të madh shqiptar, pushojnë qetësisht në varrezën publike të Elbasanit.

E gjej me vend të theksoj, se për varrin e Sotir Koleas kujdesen vetëm të afërmit nga Tirana ose Berati, ndërkohë shumë elbasanas as që e kanë dëgjuar ndonjëherë emrin e tij.

Unë me mjaft modesti e tregoj, se sa herë shkoj te varret e prindërve të mi, sigurisht do të shkoj edhe te varri i atdhetarit Sotir Kolea.

(- Bab’, si ishte Sotir Kolea, ç’tip?

– “Bâni mirë” qe vdiq shpejt.

– Pse?!

– E pyta ‘i her’: Profesor si po t’duket kjo Shqipnija e Re. M’u përgjigj: Shqipëria e Re, si Shqipëria e vjetër, ik një dreq sot, ‘ja nesër një tjetër”).

***

Për më shumë, mund të lexoni shkrimin e zj. Nini Mano, e afërme e Sotir Koleas, të cilën unë e falënderoj:

https://www.facebook.com/nini.mano.7/

Bukurosh Dylgjeri

Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Tetor 2022

RSS
Ndiq me Email
Share