Fill pas shpalljes së Pavarësisë, borgjezia e mesme qytetare elbasanase nisi të shikonte nga përdorimi i kapitalit, në ndërmarje më të mëdha industriale, ndryshe nga format pothuajse primitive të prodhimit artizanal. Kështu, që në muajin Prill të vitit 1923 ata ngritën të parën Dhomë Tregtie të Elbasanit me kapital krejt privat.
Në periudhën midis viteve 1920-1939 kapitalistët elbasanas filluan të investojnë aksione në Shoqërinë STAMLES në Durrës, themeluar në vitin 1925 e cila merrej me përpunimin e duhanit, si dhe në Shoqërinë SITA në Tiranë, themeluar në vitin 1927 që merrej me tregtinë e krypës.
Shpejt këta kapitalistë e ndjenë që duhej të bënin diçka të vetën dhe, në vitin 1928, themeluan në Elbasan shoqërinë SAIDE, e cila merrej me përpunimin dhe tregtimin e duhanit (ish Shtëpia e Kulturës).
Po në këtë periudhë, u ndërtua Centrali Elektrik dhe Fabrika e Vaj-Sapunit, si dhe Centrali Elektrik pranë Urës së Zaranikës (Vërlaci-Beça, Anonime), Fabrika e Alkoolit (Nosi) në fshatin Mengël në lindje të Elbasanit, Fabrika e Orizit (fisi Trungu) pranë fushës së vjetër të futbollit në lagjen Hazinedare, Fabrika e Miellit (Vërlaci) në Balashe, Hotel “Grand”, Hotel “Modern”, Kinema “Nacional” etj.
Fabrikat ishin modeste, punonin me energji elektrike dhe kishin një numër jo shumë të madh puntorësh. Gjithashtu, në Llixha u ndërtuan dy hotele kurative, Nosi dhe Stringa etj.
LISTA PËRFUNDIMTARE E DHOMËS TREGTARE
(Gazeta “Ura e Shkuminit”, 4 Prill 1923)
Për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës Tregtare të Elbasanit, çështja u zgjidh me votim të fshehtë dhe mjaft korrekt. Në fund të votimit, vendin e kryetarit e fitoi Arif Dardha, tregtar i manifaturës, si dhe personalitet i pajisur me cilësi njerëzore mjaft të mira. Ai gëzonte vërtetë besimin dhe respektin e kolegëve dhe qytetarëve elbasanas.
Emri dhe Mbiemri | Vota | Klasi | Sasia e patentës |
Arif DARDHA | 12 | ||
Demir PENI | 9 | ||
Hysen BAKALLI | 11 | ||
Ibrahim MIRAKU | 10 | ||
Reshit PIÇI | 9 | ||
Musa HARJA | 9 | ||
Musa XHEPA | 9 | ||
Nazif BAHOLLI | 9 | ||
Qamil SHKODRA | 11 | ||
Beqir PLANGARICA | 9 | ||
Jusuf BALLIÇ | 9 | ||
Kosta HAXHINIKOLLA | 9 | ||
Sulejman MOLLOHOLLI | 8 | ||
Qazim BYLYKBASHI | 9 | ||
Veli BAKALLI | 8 | ||
Veniamin NOSI | 11 | ||
Abdyl DAJA | 11 | ||
Dhimitër PAPAJANI | 11 | ||
Emin HAXHIADEMI | 11 | ||
Ibrahim BUMÇI | 11 | ||
Mihal XHUFKA | 9 | ||
Til KASAPI | 11 | ||
Ahmet DAKLI | 11 | ||
Ibrahim HASEKIU | 11 | ||
Nexhip HAXHIADEMI | 11 | ||
Pertef KULLA | 11 |
Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Maj 2016
(fotot nga web, si dhe nga miqtë, Fatmir Skilja e Bledar Këneta, të cilët i falënderoj për ndihmën)
Bukurosh Dylgjeri Elbasan, Janar 2021