/

Prof. Kostaq Cipo – nderojnë Elbasanin

Po me shqipen u njoha më shumë në shtëpinë t’ime se sa në shkollë. Aso kohe shtëpia ime ishte kthyer në një farë klubi ku mblidheshin dy-tre herë në javë profesorët e të parës shkollë normale që u hap mbë 1909, Luigj Gurakuqi dhe Sotir Peçi meqë në shtëpinë time banonte Aleksandër Xhuvani, një nga të tre profesorët e vërtetë të Normales.

3311 pamje
32 minuta lexim
Kostaq_Cipo

Kostaq Simon Cipo – Autobiografi

Linda n’Elbasan më 25 Shëndre 1892 (ose 10 Janar 1893 alla frënga). Mbë 1898 u regjistrova në shkollën shtatëvjeçare të qytetit që ishte në gjuhën greke. Mbë 1906 e kisha kryer këtë shkollë dhe iu luta t’im eti në kish mjete për të vijuar mësimet gjimnaziale jashtë. Prisja nga im atë të më thoshte se ku do të vazhdoja mësimet. Im at më tha: “parà që të të dërgoj jashtë nuk kam; dhe një fjalë që më ka dhënë Dhespoti i Durrësit Prokop për një bursë për në gjimnazin greqisht me sa duket e hëngri”, andaj për një herë e ktheu mendjen dhe që të mos mbetesha fare pa shkollë m’urdhëroi “shko e regjistrohu në Idadi-je y Mylqi (një gjysëm-gjimnaz tyrqisht) që është hapur n’Elbasan”. S’ja prisha t’im eti por vajta fill e në gjimnaz. Këtu u rregjistrova në klasë të parë, me që nuk dijesha fare tyrqisht dhe bëra pesë vjet shkollë në këtë gjysëm-gjimnaz tyrqisht t’Elbasanit.

Më 1909, një mot pas çpalljes së kushtetutës tyrke, gjymnazi Elbasanit bëri një grevë të madhe, lë shkollën dhe kërkon me këmbëngulje mësimin e shqipes dhe emërimin e një profesori shqiptar. Nxënësit e këtij gjimnazi kërkuan me këmbëngulje të mësuarit e shqipes me gërma latine dhe u betuam se nuk do të ktheheshim në bankat e shkollës pa u plotësuar dëshirat. Kërkesa jonë u pëlqye dhe mësimi i shqipes hyri triunfalisht. Kjo ngjarje i vajti në vesh dhe gazetës “Dielli” e cila shkroi: “… kjo vepër patriotike u detyrohet dy nxënësve të atij gjymnazit: Kostaq Cipos dhe Emin Matraxhiut.”

Po me shqipen u njoha më shumë në shtëpinë t’ime se sa në shkollë. Aso kohe shtëpia ime ishte kthyer në një farë klubi ku mblidheshin dy-tre herë në javë profesorët e të parës shkollë normale që u hap mbë 1909, Luigj Gurakuqi dhe Sotir Peçi meqë në shtëpinë time banonte Aleksandër Xhuvani, një nga të tre profesorët e vërtetë të Normales. Çështje patriotike, çështje gjuhe dhe çështje shkolle rriheshin prej Luigj Gurakuqit, Sotir Peçit dhe Aleksandër Xhuvani. Atje për herë të parë mora vesh si është shqipja dhe u njoha me mësimin e saj.

Cipo_Autobiografi
Kostaq Cipo – Autobiografia

Mbë 1911 i kreva të pesë klasët e gjysëm-gjimnazit dhe u nisa për në Manastir, ku do të vazhdoja dy klasat e fundit të gjimnazit po të fitoja një nga dhjetë bursat që kish dhënë qeveria tyrke për nxënësit e vobekët. Nga dyqind e sa shpirte që muarën pjesë në këtë konkurs të bursavet, modestia më njanë, nga dhjetë veta që fituan bursën, kam dalë i dyti dhe u regjistrova nxënës bursist aty, të paktën fitoi një prej Elbasani.

Jehona e Manastirit ish më e madhe nga vetë qyteti. Zura të frekuentoj Muço Qullin, Drejtorin e gazetës “Drita” që botohej në Manastir gjysmë shqip e gjysmë tyrqisht, dhe një grup patriotësh si Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazin një shqiptar i mirë por filobullgar, si dhe të frekuentoja Hotelin “Lirija” e Minella Gërmenjit, vellai i Themistokli Gërmenjit. Këtu gjenim tërë gazetat e Amerikës që ishin të ndaluara të shiteshin në Tyrqi. Jeta në Manastir la vragë në shpirtin tim. Muço Qulli nuk ishte ai njeri i trashë siç e kish pikësuar Faiku; ai më kishte ftuar disa herë të shkruaj në gazetën “Drita” se e kish kuptuar se unë dija ca shqip, po nuk shkrova gjë prej gjëje dhe jo rena.

Nga muaji Maj-Qershor i vitit 1911 mbas një kontrolli që u bë në Idaie (gjimnaz) m’u gjet një vjershë tyrqisht të shkruar nga unë. Kjo vjershë me ndjenja të ngrohta për Shqipërinë ish e trajtës së disa poetëve tyrq. Kjo vjershë më kushtoi një ditë paraburgim dhe ishte në rrezik të humb bursën por të mos kishte ndërhyrë në favorin tim profesori i frëngjishtes Panajoti, një grek i Manastirit filo-shqiptar i cili e ndreqi punën në Drejtori dhe unë dhashë fjalën se do ti shtrohem mësimeve dhe nuk do të meresha me politikë. Këtë fjalë, mirë bëra, keq bëra, e mbajta.

Kur plasi Lufta Ballkanike unë isha në Manastir dhe vazhdoja akoma më shumë takimet me Muço Qullin ku gjeja shpesh herë edhe Shahin Kolonjën. Tërë këta persona, ndonse të shkollës tyrke, ishin që të gjithë antityrq dhe proballkanikë. Ata deshin që të prishej Tyrqia pa le të ishte dhe një Shqipëri e vogël, mjaft që të qe e lirë dhe e pavarur, se sa triunfin e armëve tyrke d.m.th. politikisht dhe patriotikisht ndodheshin në antipodet e Faik Konicës që ish tyrkofil. Kisha vënë re se Shahin Kolonja ish njeri me merita dhe me kurajo civile dhe jo ashtu siç e ka përshkruar Faiku në Albania si një injorant.

Vitin e fundit të gjimnazit s’e mbarova dot se plasi Lufta Ballkanike. Me afrimin e ushtrisë serbe në Manastir tërë sa qemë atje u çakërdisëm dhe muarëm dhenë për në vendet tona. Unë erdha n’Elbasan kur pas pak aty erdhi dhe serbi. Si dolli serbi nga Shqipëria, kaloi në Elbasan komisioni i gjashtë fuqive të mëdha për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë. Duallën dhe e pritën Komisionin populli i Elbasanit dhe dibranët muhaxhirë nga ana e të cilëve kam mbajtur një fjalim në frëngjisht të shkruar nga Mid’hat Frashëri duke kërkuar që Dibra ti mbetej Shqipërisë. Në një dorë mbaja një flamur të zi dhe me dorën tjetër mbaja fjalimin e shkruar që niste kështu: “Le drapeau noir que vous voyey monsieur, est le signe de deuil qui est tombé sur nous dernierement… etj.etj.” (“Flamuri i zi që ju shihni zotërinj, është shenja e zisë që kohët e fundit ka rënë mbi ne…”)

Si s’mbarova dot një shkollë të mesme të plotë, me të ikur serbi nga Shqipëria, në vjeshtë të vitit 1913 vajta në Vlorë dhe ju luta Luigj Gurakuqit, Ministër i Arsimit në Qeverinë Provizore të kryesuar nga Ismail Qemali që të më ipte një bursë për në Evropë. M’u dha një bursë italiane për studime dhe sakaq u nisa për në Itali. Në San Demetrio Corone ku shkova, bëra katër vjet mësime të rënda fort, se më duhej brenda katër vjetëve të mbaroja lisenë klasike duke u barazuar me shokët italianë në lëndët: italishte, latinishte, greqishte e vjeter dhe në filosofi. Me durim të math i kapërxeva vështirësitë. Zura vendin e parë dhe tërë këto në një gjuhë e që po e mësoja për herë të parë, në gjuhën italishte.

Ç’mbaj ment nga këto vite në Sën Demetrio Corone është një telegram frëngjisht që i kam dërguar Princ Wiedit në Durrës, më 7 Mars 1914.

Në vjeshtë të vitit 1917 u nisa për në Romë dhe po me atë bursë që kisha u shkruajta në Fakultetin e Letrave e Filosofisë në grupin e filologjisë klasike. Këtu u njoha me Mustafa Krujën, me Teofik Mborjen, me Omer Beratin, me Lec Kurtin, me Kostandin Kotten, me Mirash Ivananë, më vonë me Sotir Gjikën. Këtu u njoha dhe me Avni Rustemin që ishte në Shkollën e Lartë Pedagogjike dy vjeçare, me Koço Tasin, me Vinjaun dhe me Turhan Pashanë.

Kam qënë nacionalist i nxehtë dhe anti-italian i çmendur po gjithashtu dhe antiserb sa s’bëhet. Studentët shqiptarë që gjeta në Romë kanë qënë nja dhjetë a pesëmbëdhjete veta ndër të cilët dhe Avni Rustemi. Nuk kam njohur shqiptar patriot më të nxehtë se Avni Rustemi. Kisha formuar bindje se dy veta të armiqësuar për vdekje, Avniu mund t’i pajtonte me anë të fjalës që i dilte nga zemra valë.

Në Romë u njoha, pjekalorthi, edhe me Doktor Mihal Turtullin, anti-italian por filoserb, i cili kur vinte në Romë më kish si sekretar privat dhe më duket se i hyra në zemër për ndjenjat e mia anti-italiane të cilat edhe ai i kishte. Miqësia me Turtullin me gjithë ndryshimin e math të moshës kontribuoj që të njihja më mirë politikën ndërkombëtare. Ai më spjegoj një ditë në Hotel Quirinal ku kish dhomë të angazhuar se të mos kishin dhënë serbët fjalën në Luftën e Vlorës se nuk do të na ngitnin për të na vënë midis dy zjarreve, po se do të na përkrahnin edhe me armë për të dëbuar italianët nga Shqipëria. “Pse kishin një premtim të tillë” shtoi Doktori pa muarën guximin të godasin italianët, për ti dëbuar nga Vlora; jo vetëm më tha që e mbajtën fjalën por edhe shtytën shtypin frëng të flasë mirë për luftën tonë. Ky fakt historik më bëri të ndroja mendimin që kisha kundër serbëve sidomos kur Trembçiçi nuk pranoi të mari Shkodrën për ti njohur Italisë Fiumen.

Kur vrau Avniu Pashanë në Paris dhe dolli i pafajshëm erdhi të takohet me ne studentët në Romë, dhe erdhi e na gjeti pikërisht në ato restorante proletare nën dhè (bodrumet) ku rrinim disa prej nesh, dhe të gjithë në shenjë nderimi e puthëm në ballë, dikush i puthi dorën e fortë që e shtriu përdhe kuçedrën.

Unë si student nuk kam qënë i kufizuar vetëm rreth punëve të Fakultetit, çështja shqiptare më preokuponte më shumë si detyrë kryesore. Këtu u njoha dhe me Patër Gjergj Fishtën, Mehdi Frashërin, me Dhimitër Beratin, dhe me imzot Bumçin. Këtu u njoha më mirë me Luigj Gurakuqin. Bursa që na ipte Italia si student që ishte prej 155 lireta mezi na dilte për bukën e gojës. Me 1918 Sotir Gjika filloi botimin e gazetës shqipe “Kuvendi”. Kërkova pra të punoja në këtë gazetë shqipe por që ishte organ i propagandës italiane që filloi botimin në Romë më 1917-1918.

Fillova të punoja jashtë orarit të shkollës s’ime që në ditët e para të botimit të saj. U pranova dhe u emërova redaktor me 100 lireta në muaj, kështu përmirësova pak gjendjen t’ime sepse im atë veç që nuk kishte të më dërgonte asnjë dysh, po kish kohë që kishte rënë i sëmurë dhe po lëngonte në shtrat dhe më 1918 kur u ktheva për një muaj pas një mungese prej pesë vjetësh për shkak të Luftës së Parë Botërore, baba më kishte lënë shëndenë.

Këtu, te “Kuvendi” si redaktor kam shkrojtur një radhë artikujsh mbi literatyrën shqipe. Me Sotir Gjikën kam patur shumë bisedime e diskutime të ashpra rreth çështjes shqiptare. Aty nisa të shkruaj për herë të parë. Në Romë u njoha dhe me Faik Konicën që ish i dërguari i “Vatrës” për të ndjekur së afërmi e për të parë se ç’politikë do të loste diplomacia italiane në çështjen shqiptare. Studioz i math me një të folur të bukur dhe të kulluar por ishte naks njeri. Ky ves i keq nuk e ndihmonte për të fituar miq. Studentët që rendën të njiheshin e të mësonin prej tij e lanë sakaq kur zuri të tallet me luftën e Vlorës dhe me luftëtarët e saj. Kjo ftohtësi po kthehej në urrejtje kur u hap fjala se Faiku kish shtyrë gjoja disa studentë (nuk dihet cilët) që të venë e t’i thonë legatës frënge në Romë që Avni Rustemi e vrau Esatin jo nga vetja e tij por i shtyrë nga Qeveria e Durrësit.

Në Dhjetor të vitit 1921 u ktheva në Tiranë dhe po ato ditë u emërova profesor në shkollën Normale t’Elbasanit. Në vitin e dytë të punës më pezullojnë për gjashtë muaj se gjoja po prishja zakonet e mira te vendit, duke dalë nëpër rrugë karos (pa qylaf në kokë). Çështjen ja referova Luigj Gurakuqit që ish Deputet dhe me ndërhyrjen e tij dhe të Koço Tasit puna ndreqet e të paktën me paguhen rrogat e kohës së pezullimit. Në vjeshtë të vitit 1922-1923 dhe deri në mbarim të vitit shkollor 1924-25 u transferova në gjimnazin e Shkodrës ku kam qënë profesor në gjimnaz. Në këtë periodë ndodhën dy ngjarje:

1. Vrasja e patriotit të çquar Bajram Currit nga sikarët (agjentët) e Zogut. Atë ditë e pres mësimin përgjysmë dhe përshkruaj me ngjyra të gjalla ç’ish i vrari i math dhe duke goditur rëndë e sharë në mës të klasës Koço Kotën që kish uruar prefektin e Dibrës për këtë vrasje. Si kurdoherë edhe këtë herë nxënësit e mij nuk nxuarrën fjalë jashtë.

2. Në zgjedhjet e Asamblesë më 1924 vura kandidaturën si deputet i Elbasanit në listën e kryesuar nga Ahmet Dakli kundër listës së Shefqet Vërlacit. Me gjithë që brenda n’Elbasan lista jonë fitoi, rrethet votuan për beun nga frika e hakmarrjes dhe kështu që lista jonë nuk fitoi por fitoi lista e Vërlacit. 

Në vjeshtë të vitit 1925, transferohem në Korçë si profesor i Liceut frëngo-shqiptar ku kam ndenjur plot 14 vjet gjer në vitin 1939. Veprimi im në Korçë, si profesor më parë dhe si Zv. Drejtor më pastaj, nuk ka qënë një veprim stricte prej profesori të gjuhës. Herë-herë mësimin e lidhja me çështje politike dhe shoqërore. Nuk ndruhesha të kritikoja në klasë gjëndjen e vajtuarshme të Shqipërisë. Herë kritika ime vishej me lëvozhgën e alegorisë, herë ishte një fjalë gaz-idhët tip Diogjen.

Si profesor kam qënë mbrojtës i nxehtë i nxënësve të mi duke marë gjithmonë anën e tyre dhe duke u prishur or’e çast me shokë e me eprorë, e duke hyrë në konflikt edhe me Ministrinë e Arsimit. Kur u vra Ceno Begu më zunë e më shpien në Tiranë ku me mbajtnë mbyllur për 10-12 ditë. Si u kuptua pafajësia ime më liruan dhe më kërkuan ndjesë. Jashtë shkollës veprimi i im ka qënë antizogist dhe kjo dihej nga të gjithë.

Me hyrjen e fashistave në Shqipëri, me 1939 pozita ime si Zv. Drejtor u bë fort delikate. Sidoqoftë vendosa të mos le profesor të bëjë lutje që të regjistrohet në Fascio dhe sa qeshë unë s’guxoi njeri të sjellë lutje.

Kur u hap lajmi se pritej të vinte Jakomoni për të vizituar Korçën, e lashë Liceun dhe shkova në Pogradec. Kjo gjë bëri përshtypje të thellë dhe q’atë dite kam qënë i survejuar dhe i gjyrmuar. Sa kohë që ndeja në Pogradec vendi m’u bë zjarr, andaj e lashë Pogradecin dhe vajta në Korçë, ku mësova se burgimi im pritej me sot e me nesër. Dhe vërtet ditën e parë të Gushtit 1939, kur isha duke biseduar me ca shokë në kafene Majestik vjen një kapiten dhe më fton të shkojmë deri në komandë por në të vërtetë më shpunë në burg. Gusht e Shtator i bëra në burg të Korçës ku më kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës të gjithë. Nga burgu i Korçës më muarën dhe më sollën në burgun e Tiranës ku hoqa shumë atë javë që ndejta. Prej këndej na nisnë bashkë me disa shokë për n’Itali si i konfinuar politik për në Colfiorito, një fshat i keq njëqind shtëpishe, me klimë të egër dhe me erëra që të shkurtonin. Këtu shkuam dy vjet internim. I ftohti i math na plaku e na shkurtoi. Më vinte keq për kalamajt’e mij që dridheshin nga të ftohtit. Këtu hoqa të zit e ullirit se djali i math m’u sëmur shumë dhe gruaja ment më vdiq, dhe e nisa ashtu të sëmurë vetëm për në Romë. Qëndrimi i ynë këtu ka qënë qint për qint antifashist.

Si u mbushën dy vjet më liruan dhe u ktheva në Pogradec tek im vjerr, i cili më tregon me lot në sy se ç’kishim e ku kishim ay dhe unë ishin bërë rëmullë. Aty gjeta shtëpinë e plaçkitur nga shkaku i luftës italo-greke. Për një kohë prej shtatë muajsh pa punë, më ftojnë në Tiranë dhe më emërojnë profesor në dispozicion të Ministrisë por pa ushtruar profesionin. Më vonë për të treguar keqardhjen e tyre për çka hoqa më emëruan inspektor.

Si ra Duçja nga fuqia dhe erdhën gjermanët, Mehdi Frashëri, me të cilin isha njohur që në Itali me thëret në zyrë dhe më ofron Dikasterin e Arsimit. E falenderova por nuk e pranova. Si në kohën e pushtimit italian ashtu dhe n’atë të gjermanëvet, kudo që piqeshin dy vetë e fjaloseshin, çështja kryesore ishte lufta e popullit. Tërë ne të shtëpisë me gruan e me fëmi, ne që kishim bërë burg e internim, drithëroheshim për luftëtarët e lirisë. Këtë simpati të ngrohtë për lëvizjen Nacional Çlirimtare e kish vënë re dhe kryetari i Ballit Mid’hat Frashëri që më thiri në shtëpi të vet dy herë për çaj që të më iniciojë në misteret e Ballit. Mid’hatin e kam këshilluar të heqë dorë se do të shkaktonte një vëllavrasje në Shqipëri.

Si u çlirua Tirana, u emërova më 15 Janar 1945 Ministër i Arsimit që e mbajta deri në Mars-Prill të vitit 1946. Në Maj të 1946-tës u emërova Drejtor i Institutit të Studimevet dhe kur më 1948 ndroi emrin në Institut i Shkencave e iu aneksua Kryeministrisë mbeta MIS i këtij Institutit dhe nëpunës teknik për gjuhën shqipe.

Tiranë 1948

Kostaq Cipo

Image 1 of 17

RSS
Ndiq me Email
Share