///

Një e Huaj për Elbasanin

… e, së bashku me ta, renditet edhe një e huaj, "Englezka". Vendi nga kishte ardhur, populli dhe kombësia së cilës i përkiste e pati nxjerrë në plan të dytë emrin e saj. Dhe bujtësja kështu përmendej gjithmonë, me këtë mbiemër të emërzuar, "Englezka": "Ajo Englezka, mikja e Lef Nosit, ...", "Afër shtëpisë së Englezkës…", "Në kohën e Englezkës…", etj.

1507 pamje
19 minuta lexim

Margaret Hasllëk (Margaret Hasluck 1885 – 1948)

Nga: Prof. As. Dr. Astrit BISHQEMI

Në jetën e një qyteti ndodh që të bëhen të njohur, të dashur e popullorë disa bir e bija të tij, disa personalitete, disa njerëz që kanë jetuar e punuar aty dhe që kanë ndihmuar për diçka, në njërën fushë a në tjetrën. Dikush ka bërë emër si atdhetar i flaktë, dikush si dijetar “me kokën plot”, dikush si mjek i zoti dhe i gjindshëm, dikush si tregtar i ndershëm, dikush… Ata kanë zënë vend në kujtesën e Qytetit, mbahen mend dhe përmenden brez pas brezi.

Kështu ka ndodhur edhe në Elbasan me shumë figura: Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Lef Nosi, Aqif Pasha… e, së bashku me ta, renditet edhe një e huaj, “Englezka”. Vendi nga kishte ardhur, populli dhe kombësia së cilës i përkiste e pati nxjerrë në plan të dytë emrin e saj. Dhe bujtësja kështu përmendej gjithmonë, me këtë mbiemër të emërzuar, “Englezka”: “Ajo Englezka, mikja e Lef Nosit, …”, “Afër shtëpisë së Englezkës…”, “Në kohën e Englezkës…”, etj.

Sot kanë kaluar mbi treçerekë shekulli nga ajo kohë. Kopshti përreth vilës së re ku banonte erdhi gjithmonë duke u reudhur e duke u pushtuar pëllëmbë pas pëllëmbe nga ndërtesa të tjera. Po shtëpia e saj, në rrugën e Universitetit “A. Xhuvani” mbahet ende në këmbë, duke e ruajtur soliditetin e bukurinë e dikurshme. Dhe ka shërbyer herë si qendër kopshti didaktik e shkollave 7 e 8-vjeçare të qytetit, herë si qendër e ndonjë fondacioni të huaj, herë si kopsht fëmijësh…

Një i moshuar, mësues pensionist, aso kohe nxënës i Normales, më tregonte një ditë sesi “Englezka” shkonte herë pas here në shkollën e tyre, kishte miqësi e diskutonte me mësues, hynte nëpër klasa, bisedonte me nxënës, mblidhte proverba e përralla, mbante shënim fjalë e shprehje të ndryshme. Madje, shtoi: “Unë e kam pasur shtëpinë në atë lagje. Oo, qemë shqepur jo vetëm me pemë në qipshtet e saj, po edhe me mish të zier!”. “Me mish të zier?!” hapa sytë i çuditur. Dhe ai më shpjegoi si duke qeshur. “Englezka” na paska qenë ca nazike në të ngrënë. Blinte ndonjë “berr”. Vinte njeri për ta therur e për ta rrjepur. Ia hiqte të përmbrendshmet. Mishin e priste dhe e fuste në kazan. E zinte mirë e mirë, derisa të ndahej nga kockat. Lëngun pastaj e veçonte dhe e mbante për ta pirë, ndërsa mishin nuk e fuste në gojë. Gostiste me të fëmijët e lagjes ose ua jepte të varfëve për ta ngrënë…

Margaret Hasllëk

2. “Engleska” quhej Margaret Hasllëk. Për jetën dhe veprën e saj në Leksikonin e Hasan Hasanit nuk gjetëm asnjë fjalë. Në ndihmë na erdhi botimi “Elbasani-Enciklopedi”, “Sejko”, Elbasan 2003, ku lexojmë:

HASLLËK, Margaret (Margaret Hasluck 1885-1948). Etnografe dhe sociologe angleze. Kureshtja shkencore e drejtoi edhe në Shqipëri. Në Elbasan vendoset në fund të v. 1927. Në vitin 1935 ngriti vilën e saj në V të qytetit. Qytetarët e quajnë “Shtëpia e Englezkës”. I pëlqeu Elbasani për qetësinë, mikpritjen, kulturën, traditën dhe zakonet fisnike. Hyri e doli në Elbasan shtëpi më shtëpi. Në rrethet intelektuale të qytetit u mirëprit për zellin e saj dhe metodën e gjurmimeve shkencore. Ajo me të diturit elbasanas zgjoi interesin për arkivimin sistematik të dokumentacionit historik të kodikëve të esnafëve, “Psalltirit” të Anonimit, fragmenteve të Dh. Todhrit, dorëshkrimeve të Shën Gjonit, regjistrave të Mitropolisë.
U largua nga Elbasani në shkurt të vitit 1939. Vendoset në Greqi e më pas në Aleksandri e Kajro të Egjiptit. Në v. 1946 me cilësinë e graduates së një ushtrie aleate, i kërkoi E. Hoxhës anullimin e dënimit me vdekje të Lef Nosit. Mesazhin e vet e përligjte me dokumente e fakte që dëshmonin atdhetarinë e kulluar të tij. Një javë më pas Lef Nosi u pushkatua.
Vepra e saj madhore është “E drejta e pashkruar në Shqipëri”. Margaret Hasllëk është e para që mblodhi anekdotat e Binak Alisë, Mustë Ballgjinit dhe Selim Peshkut. Bashkëpunoi me shtypin shqiptar. Në v.`30 të shek. XX në revistën “Shkolla Kombëtare” botoi shkrime mbi luginën e Tomoricës dhe Tomorin, reportazhin “Përmes pyjeve të Ballenjës”.

3. Duke rrëmuar në fondin albanalogjik të Bibliotekës publike “Qemal Baholli” të qytetit tonë, gjetëm edhe një botim tjetër, dëshmi e punës shkencore të “Englezkës” dhe e ndihmesës së saj për kulturën shqiptare, një vëllim që paraqet interes në disa rrafshe. Ai ka një frontespic të tillë:

“KËNDIME ENGLISHT – SHQIP
OR
ALBANIAN-ENGLISH READER
Sixteen Albanian Folk-Stories Collected and Translated, vvith Tvvo Grammars and Vocabularies by MARGARET M. HASLUCK
CAMBRIDGE AT THE UNIVERSITY PRESS 1932″

Libri, pra, i cili i kushtohet Lef Nosit (TO LEF NOSI), është shtypur në Britaninë e Madhe (PRINTED IN GREAT BRITAIN). Dhe ky fakt nuk duhet të jetë pa interes.

Në parathënie theksohet se “Ky libër i ofrohet atyne Shqiptarve që dishërojnë me mësue me folë gjuhën englishte, si dhe atyne Englezve e Amerikanve që dishërojnë me mësue me folë gjuhën shqipe” (f. x).
Parathënia nuk është e njëjtë në të dy gjuhët. Kështu, për shembull, shqiptarëve u jepet informacion për ata persona që e kanë ndihmuar autoren në hartimin e librit: “zz. Parasqevi Gegnasi, Aleksandër Xhuvani edhe Dhimitër Paparistja”.

Aty theksohet edhe ndihmesa e veçantë që i ka dhënë Lef Nosi: “Si e hujë, kam pasë nevojë për bashkëpunimin e nji shqiptari, i cili të më ndihmonte në përkthimin e sa më tepër në rendimin e fjalorthëve edhe në pjesën e gramatikës. Për këtë bashkëpunim iu drejtova z.Lef Nosi, i cili edhe nuk m`a kurseu, gja për të cilën i falem nderës botënisht” (f. x).

Por këto bashkëpunime nuk paraqesin interes për lexuesin e huaj. Ndaj për të autorja ndalet në disa të dhëna për Kongresin e Manastirit më 1908, për pavarësinë e Shqipërisë më 1912, për Kongresin e Lushnjes më 1920, si dhe për ndonjë botim të vlefshëm për mësimin e gjuhës angleze (Çekrezi “English-Albanian Dictionary”, Boston 1923) etj.

Libri i Margaret Hasllëkut është ndërtuar në tri pjesë. Pas përmbajtjes dhe parathënies në dy gjuhë, jepen alfabeti dhe njoftime kryesore mbi gramatikën angleze dhe atë shqipe. Me rradhë, më tej jepen mësime mbi theksimin, nyjen, emrin, artikullin e përparshëm, mbiemrin, mbiemrin dëftor, përemrat vetorë, pronorë e refleksivë, si dhe mbi foljet ndihmëse dhe të rregullta. Të gjitha këto zënë 40 faqet e para të vëllimit dhe shënohen me numra romakë. Pjesa e dytë, që zë 80 faqe, përbëhet nga tekste leximi anglisht e shqip. Ndërsa pjesa e fundit përbëhet nga “Fjalurthi Shqip-Englisht” (f. 81-110) dhe “Fjalurthi Englisht- Shqip” (f. 112-145).

4. Interes për studimin tonë paraqet pjesa e dytë e librit, e cila mbushet me tekste leximi. Këto tekste nuk janë zgjedhur nga letërsia e kultivuar shqipe e kohës, por nga folklori. Janë përralla. Përse është vepruar kështu? Sepse, siç sqaron në parathënie, autorja ka mendimin se “në çdo vend përrallat janë pranue si nji nga mjetet ma të mirë për me mësue me folë nji gjuhë të huejë”.

Me këtë libër, pra, Universiteti i Kembrixhit u ofron të tjerëve, kryesisht anglezëve e amerikanëve, mundësinë për të mësuar gjuhën tonë, shqipen! E theksojmë, parësore këtu nuk është lehtësia që shqiptarët të mësojnë anglishten, por e kundërta. Se, ndryshe, metoda duhet te ishte mbushur me tekste të gjuhës së kultivuar (a të folklorit) anglez dhe të përkthyera në shqip. Atëherë shtojmë pyetjen: vallë për gjuhën e sa popujve ka botuar Kembrixhi të tilla metodika e ka ofruar ndihmesa të tilla?
Le të vazhdojmë më tej!

Folklori është përzgjedhur jo nga i gjithë trevave të vendit tonë, po vetëm nga qyteti i Elbasanit. Arsyen përsëri na e shpjegon vetë Hasllëku:

“Përrallat janë mbledhë n’Elbasan, sepse dialekti i këti qyteti asht pranue prej Shtetit si dialekt zyrtar edhe çdo i huej që e mëson kte mund të kuptojë lehtë edhe dialektet e tjerë.” Gjithsej janë 16 përralla, të cilat janë renditur sipas gjatësisë së tyre: përralla e parë zë vetëm një faqe gjë, gjashtë pasueset – nga një faqe e gjysmë, dhe kështu me radhë deri tek e fundit, që zë 4,5 faqe. Autorja ka bërë punë origjinale, e ka mbledhur vetë folklorin, folklorin e kohës, nga goja e gjallë e popullit, nga meshkuj e femra. Në variantin anglisht të parathënies, Hasllëku shpjegon më me imtësi për punën e saj: “Historitë e mia […] janë thjesht disa nga përrallat e gjalla të vjetra të shkruara me kërkesën time nga nxënës shkolle e të rritur në Elbasan. Atyre që i shkruan iu kërkua që të mos i kopjonin nga libra, por iu lejua ti shkruanin nga diktimi i të afërmve të rritur” (f. xi). Gjithashtu, atyre mund t`u jetë bërë vetëm ndonjë redaktim i thjeshtë, pa u vënë fare dorë, pa u përpunuar artistikisht.”

Veç dy përrallave, të cilave nuk u dihet personi nga janë mbledhur, të tjerat kanë shënime të sakta. Dhe mosha e këtyre personave paraqet interes të vërehet me kujdes. Tri përralla janë mbledhur prej moshave të rritura (zotërinjtë Lef Nosi e Tahsim Dylgjeri). Gjithë të tjerat janë mbledhur nga goja e fëmijëve. Njëri nga këta fëmijë është 9 vjeç (Margarita Nosi), tre janë nga 12 vjeç (Fila Vasil Çerekes, Sherif Suparaku dhe Petrit Suparaku), tre të tjerë nga 13 (Mahir Domi, Mihal Skuqi e Hasan Muzhaqi), një është 14 (Petrit Ahmet Dakli) dhe tre të fundit nga 15 vjeç (Mehmet Gjevori, Zija Domi e Abdyl Bajraktari). Përse autorja nuk i ka mbledhur nga moshat e vjetra këto përralla? Mendojmë se ka vepruar kësisoj për të komunikuar më mirë e më lehtë me lexuesit, me studiuesit e gjuhës angleze dhe asaj shqipe, të cilët më së shumti presupozohet të jenë të moshave të njoma. Fëmijët nga të cilët janë mbledhur përrallat patjetër që i kanë dëgjuar nga të afërmit e tyre, nga gjyshet e gjyshërit. Dhe janë familje të përmendura e me tradita për kulturën e tyre në qytetin tonë: Nosi, Domi, Dakli, Gjevori, Dylgjeri, Bajraktari etj. etj. Edhe fëmijët, siç duket, janë nga ata më të përparuarit në mësime, ndonjëri prej tyre bëri emër më vonë në kulturën shqiptare: Mahir Domi, Mehmet Gjevori etj. (vijon)

b_dylgjeri

Mblodhi: Bukurosh Dylgjeri

Elbasan, Dhjetor 2019

RSS
Ndiq me Email
Share