(Ky postim duket si vazhdim i përshkrimit të jetës dhe krijimtarisë muzikore të Isuf Myzyrit, por në fakt është një analizë e thjeshtë për këngën e tij të mëposhtme)
Mâ mir n’pyll se n’qytet,
ne të dy o atje do t’shkojm’. (2)
Njeri atje ne s’na gërget,
të amël o jetën ta çojm’ (2)
Kapërceva Mal’n e Krastës,
të mirëmeç’ more Elbasan. (2)
Vuna kam’ në Mal të Vashës,
pashë Sopotin dhe Vasjan’ (2)
Ç’ju lutëm Zotit na e dha,
nuk ka tjetër lumtuni. (2)
N’kët’ kasolle mulu’ me bar,
t’rrojm’ në mal o si bari. (2)
Kur hum’ rrugën nji njeri,
të gjitha brengat i menon’. (2)
Shok i bâhet nji bari,
– Hajde sonte n’kasollen tonë. (2)
Zoti ju dhânte bujari,
nuk e latë udhtarin’ jasht’ (2)
Buk’, venë e raki,
n’kët kasolle mulu’ me kashtë. (2)
Bariu mikun e dëfren,
edhe fyllit tu i ra. (2)
Zakone t’vjetra i rrëfen,
kështu gjyshnat na i kan’ lân’. (2)
Sa amël i raka fyllit,
kush ka vesh o me e nigju’. (2)
Larg u nodh’ Isuf Myzyri,
Bariu afër ju afru’. (2)
Përgjithësisht një këngë analizohet në të dy përbërësit e saj, pra muzika dhe teksti, si dhe sa janë të harmonizuar ata. Unë nuk po trajtoj ndërtimin muzikor, sepse nuk jam specialist i muzikës dhe, rrjedhimisht nuk kam koment. Por tekstin e këngëve të tij unë përpiqem ta analizoj sipas gjykimit tim, po ashtu siç ka të drejtë kushdo ta analizojë atë sipas mënyrës së tij.
Duhet cilësuar se Myzyri nuk përdor në tekstet e tij përmbajtje të ndërlikuara filozofike ose kuptimore. Ai është kaq i thjeshtë dhe i magjishëm, sa që po ta dëgjosh me vëmendje këtë këngë të tij, secili nga ne fillon të mendojë dhe, në një farë mënyre të përjetojë meditimin. Ai arrin ta prekë shpirtin e çdo dëgjuesi, pasi dihet që nëse një këngë ose pjesë muzikore t’i mbush krahët me mornica, ajo ia ka dalë të depërtojë në brendinë tonë të pashpjegueshme …
Të gjithë tekstin e këngës “Mâ mir n’pyll se n’qytet”, e konsideroj një poezi alegorike të stilizuar mjaft bukur, (ndonëse nuk mungojnë huazimet dhe kuptimet nga sfondi religjioz), por që Myzyri e përshtat me elemente identifikuese shqiptare. Kjo ka rëndësi.
Në vargjet e kësaj kënge, veç bujarisë shqiptare, përcjelljes së traditave tona shumë të mira, si dhe të përfshirjes së kodeve të Kanunit (“Shpia asht e t’ Zot dhe e Mikut.”), fyelli është një metaforë e zgjedhur me mjeshtëri prej tij, sepse fyelli është instrument frymor që përhap magjishëm tingullin Hyjnor, megjithëse Myzyri vetë luante me violinë. (Ose duhet pasur parasysh që fyelli – hamendësohet – të jetë instrumenti i parë muzikor që përdori njeriu. Madje, thuhet se “njeriu filloi të bëhet njeri” veç kur nisi të vallzojë dhe të këndojë – pra, të shijojë muzikën si thelb i shpirtit).
E kam cekur edhe më herët që Myzyri ishte i tillë, sepse ai ishte talent i lindur, ai ishte njëkohësisht poet dhe krijues, instrumentist dhe interpretues i këngëve të tij.
Çuditërisht analfabet.
Pra, në këngën “Mâ mir n’pyll se n’qytet”, me “qytet” Myzyri nënkupton jetën tokësore, rendin e gjërave të prekshme, kulturën e konsumizmit, kotësinë, dijet, pasurinë, plogështinë …
Duke iu larguar “qytetit” – sipas bindjeve të tij fetare – ai na mëson “të braktisim dëshirat egoiste”, si dhe “gjithçka të gënjeshtërt që përmban kjo jetë kalimtare e mbushur plot me zullumqarë”.
Ndaj ai “na fton në pyll” …
Me fjalën “pyll”, Myzyri nuk ka qëllim që ne t’i rikthehemi jetës baritore, dhe as po e konsideron pyllin si një vend argëtimi e shlodhës pas një pune raskapitëse. Jo! Ai na thotë në mënyrë alegorike se pylli është vendi ku njeriu duhet të mendohet thellë për madhështinë e Hyjit.
Nuk më duket i rastësishëm as qëmtimi prej tij i fjalës “pyll”, si vend meditimi dhe adhurimi. Ai fare bukur mund të kishte përzgjedhur malin, fushën, lumin etj, por nga pikëpamja gjuhësore, fjala “pyll” ka ngjashmëri tingullore me fjalën Yll – Hyll – Hyj …
(Madje, jo më kot thuhet se komunitetet rurale janë më religjiozë, pasi të jetuarit në natyrë (pyll), u jep mundësinë atyre që të jenë fare pranë Aktit Përfundimtar të Krijimit, e shohin çdo ditë atë, e përjetojnë lirshëm, si dhe kundrojnë me habi se si “një dorë inteligjente” ka sistemuar me përsosuri; drurët, kafshët, shtratin e përroit, insektet, shpendët, motin etj).
Pra, Myzyri i gërsheton shumë bukur në tekstin e kësaj kënge: traditat tona të mrekullueshme – besë e bujari – me krijimtarinë muzikore dhe meditimin sufist, që ishte mjaft i pranishëm në kohën e tij. Ai i jep tipare shqiptare krijimtarisë së tij.
Ndaj e pëlqej këtë këngë.
Bukurosh Dylgjeri
Elbasan, Shtator 2022